/ATSH-AFP/ - Presidenti rus, Vladimir Putin kërkoi sot krijimin e një unioni monetar me aleatët e Bashkimit Ekonomik Euroaziatik, një mënyrë sipas tij për të shmangur pasojat negative nga kriza ekonomike ruse për këto vende.
"Ne mendojmë se ka ardhur koha të diskutojmë për mundësitë e formimit të një unioni monetar", njoftoi presidenti rus, që mori pjesë në një samit tripalësh me homoloët kazak dhe bjellorus në  Astana.
Unioni Ekonomik Euroaziatik përfshin, përveç Rusisë, Bjellorusinë, Kazakistanin dhe Armeninë.
"Nëse punojmë së bashku do të jetë më e lehtë për të reaguar ndaj kërcënimeve financiare dhe ekonomike të jashtme dhe për të mbrojtur tregun tonë të përbashkët", shtoi Vladimir Putin.
Lidhjet politike dhe ekonomike mes Rusisë dhe dy vendeve të tjera themeluese të Unionit Ekonomik Euroaziatik, Bjellorusia dhe Kazakistani, janë bërë më të brishta nga ndikimi i sanksioneve të vendosura nga Perëndimi kundër Rusisë për rolin e saj të dyshimtë në krizën ukrainase.