TIRANE-Një grup maturantësh në kryeqytet të pakujdesshëm në distancim dhe pa maska po protestojnë përpara ministrisë së Arsimit. Protesta vjen një ditë pas provimit të dytë, që ishte gjuhë letërsia. Por përse? Maturantët akuzojnë ministren e Arsimit se struktura e ndërtimit të testit nuk ishte e njëjtë me atë model që u premtua dhe studiua. Gjithashtu ato shprehen se testi ishte pa lidhje dhe logjikë, ndryshe nga ajo që kanë mësuar këto vite. Testi ka qenë me alternativa, 60 pyetje. Studentët po ashtu kërkojnë që të ulet niveli i vështirësisë në provimet e radhës. Maturantët në protestë janë nga gjimnaze të ndryshme të Tiranës.

Tre kërkesat e maturantëve;
Mundësia për rivlerësim të tezës
Uljen e katofit të vlerësimit
Mosvlerësimin e pyetjeve jashtë programit

"Ne kërkojmë një rishikim të tezës, pyetjet ishin subjektive" tha njëri prej maturantëve. Ndërsa një tjetër theksoi se "Ne kemi kaluar shumë peripetsi nga tërmeti dhe pandemia. Procesi mësimor nuk ka qenë i plotë. Shkuam në provim me premtimin për një tezë më të lehtë, por modeli i testit nuk ishte i tillë, nuk e kishim parë asnjëherë një gjë të tillë. U surprizova dhe demoralizova".

"Është turp të dalim të gjithë me radhë këtu për të kërkuar cilësinë e arsimit. Zgjidhjen ta japë ministria. Vlerat tona janë hedhur poshtë dhe janë nëpërkëmbur. Në program nuk është thënë që pjesë të shkruarit do të bëhet teorike. Ishte idiotësi.  Modeli i testit u ndryshua, nuk kishte asnjë lloj lidhje. Ana gjuhësore ishte jashtë programit. Ne kemi punuar modele në cdo provim tre mujori, por nuk kishte asnjë lidhje. I gjithë testi është një absurd. Nuk mund të testohen vetëm me ese narrative. Ne presim, ndërsa ata tregohen të pa sinqertë me ne" tha një tjetër maturante.

Grumbullimet nuk janë të lejuara, por maturantët përpos protestës paradite do të mblidhen sërish pasdite, në të njëjtin vend, te ministria e Arsimit. Ndërkohë që përpos Tiranës protestë ka pasur edhe Berat. Disa maturantë janë mbledhur për të protestuar duke i cilësuar pa lidhje gjuhën shqipe të tezës që ishte formuluar. Maturantët kanë marshuar në shenjë proteste nga bulevardi Republika deri tek drejtoria Arsimore Berat.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:26
Regjisori Robert Budina i bashkohet protestës së maturantëve

1591972042_robert.jpg
Protestës së maturantëve i është bashkuar edhe regjisori Robert Budina, i njohur për tubimet dhe rezistencën te teatri kombëtar. Ai është shprehur se iu bashku protestës, pasi ka djalin maturant.

Ora 15:39
Protesta e maturantëve, ministrja e Arsimit: Po e nxit dhe mbështet opozita

Ministrja e Arsimit Besa Shahini akuzon opozitën se qëndron pas maturantëve që po protestojnë kundër testit të Gjuhës dhe Letërsisë.

"Ndoqa me keqardhje protestën pranë ndërtesës së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Nuk besoj të ketë ndodhur ndokund tjetër që nxënësit të protestojnë për "provimet e vështira"! Megjithatë, keqardhja për nxënësit "protestues" më vjen bashkë me revoltën ndaj nxitësve të tyre!

Fatkeqësisht, nxitësit janë publikisht të afishuar dhe nuk janë zëdhënës opinionesh dosido. Ata janë opozita politike e vendit! Që është një absurditet unik: opozita nxit dhe mbështet protestë kundër testeve kombëtare!!! Opozita stimulon "lehtësimin" e dhënies së notave për nxënësit!!! Po mbase këtu s'ka asgjë të re, përderisa kjo opozitë ishte dje qeveria e notave fallco, diplomave fallco, universiteteve fallco, provimeve fallco, promovimeve fallco...

Provimet Kombëtare hartohen nga ekspertë provimesh. Unë i besoj Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) kur thotë se sivjet provimet janë më të lehta se kurdoherë më parë sepse ndodhin pas një gjendjeje të jashtëzakonshme dhe prandaj janë konceptuar vetëm me alternativa - PA TEMAT që janë zhvilluar në kushte shtëpie. Dhe kjo, vërtetohet lehtësisht në fund, kur të mblidhen të gjitha rezultatet dhe nëse rastis që testi të ketë qenë më i vështirë se sa njohuritë e nxënësve, atëherë qsha bën rishpërndarje të peshës së pikëve për çdo notë. Por, këto çështje teknike s’kanë as lidhje e as vend për debate politike dhe jo më për protesta opozitare.

QSHA ka adresuar kërkesat në lidhje me provimet e maturës që ishin protokolluar në Ministri. Ndërkohë, ne do të kallëzojmë çdo shpifje që opozita ka publikuar në lidhje me maturën sivjet. Besoj se edhe kjo do të shërbejë në edukimin e të rinjve, duke nisur nga të rinjtë e forumeve politike, për të mësuar se shpifja është gënjeshtër e dënueshme me ligj e jo liri fjale për çfarëdo kundërshtie qytetare apo opozitare" deklaron Shahini.

Ora 15:19
'Bojkot provimeve, nuk lëvizim nga ministria'! Maturantët peticion për testin e Gjuhës

Maturantët deklarojnë se nuk do të largohet nga ministria e Arsimit, por do të vijojnë protestën duke i kërkuar Besa Shahinit që t'u japë zgjidhje shqetësimeve të tyre për testin e Gjuhës dhe Letërsisë. Maturantët kanë nisur edhe firmosjen e një peticioni, ndërsa paralajmërojnë bojkotin e provimeve të tjera nëse nuk marrin zgjidhje.

Ora 15:09
Ministria e Arsimit rrëzon dy kërkesa të maturantëve: Sillni pyetjet jashtë programit t'i heqim nga vlerësimi! Provimi zgjatet me 2 orë e 30 minuta

Qendra e Shërbimeve Arsimore u kërkon maturantëve që po protestojnë që të çojnë ankesat konkrete për pyetjet që mendojnë se janë jashtë programit në mënyrë që të adresohen duke i hequr nga vlerësimi. Në lidhje me pretendimin e ngritur për “pyetje jashtë programit”, ministria nënvizojmë se nuk ka asnjë pyetje jashtë këtij programi. QSHA rrëzon pretendimet e maturantëve duke deklaruar se testi nuk ka pasur gabim shkencor. Në fund, QSHA thotë se në testet e radhës maturantët do të jenë 30 minuta më shumë kohë për provimet.

Reagimi i plotë nga Ministria e Arsimit
Qendra e Shërbimeve Arsimore njofton se Testi i Maturës Shtetërore 2020 është mbështetur tërësisht mbi programin e reduktuar. Në lidhje me pretendimin e ngritur për “pyetje jashtë programit”, nënvizojmë se nuk ka asnjë pyetje jashtë këtij programi. Në këtë kuadër, ftohen nxënësit të sjellin pranë QSHA ankesat konkrete për pyetjet që mendojnë se janë jashtë këtij programi në mënyrë që të adresohen duke i hequr nga vlerësimi.

Në lidhje me cut-off-in, në përfundim të marrjes së rezultateve, QSHA do të shikojë kurbën e shpërndarjes së pikëve. Bazuar mbi këtë kurbë, nëse do të vihet re zhvendosje të saj (në rast se ka pasur ndonjë grup pyetjesh me një shkallë më të lartë vështirësie), atëherë do të shikohet mundësia e ri-shpërndarjes së peshave të pikëve në test. I gjithë ky proces do të analizohet profesionalisht dhe në mënyrë të kujdesshme nga specialistët e fushës në mënyrë që të bëhet më e mira për maturantët.

Njëkohësisht, duam të shprehim se testi nuk ka asnjë gabim shkencor dhe mënyra se si hartohet përjashton çdo mundësi që të ketë gabime – qoftë në përmbajtje dhe qoftë në përfshirjen e koncepteve jashtë programit.

Për sa i përket dy (2) testeve të ardhshme të Maturës Shtetërore, bëjmë me dije se ata do të jenë me kohëzgjatje 2.5 orë dhe me alternativa, paçka se edhe kohëzgjatja prej 2 orësh e parashikuar në fillim është më se e mjaftueshme në zhvillimin e provimit.

Ora 12:44
Revoltohen maturantët në protestë, hedhin vezë drejt Ministrisë së Arsimit (VIDEO)

Maturantët vijojnë që të protestojnë para ministrisë së Arsimit. Situata ka agravuar. Maturantët kanë hedhur vezë në drejtim të ministrisë, pasi nuk po marrin përgjigje për kërkesat e tyre. Një nga maturantët është futur brenda, por nuk e kanë dorëzuar kërkesën, pasi kërkojnë që të dalë ministrja e Arsimit Besa Shahini dhe të marrë kërkesën.

1591958680_veze.jpg