Qarku i Durrësit, ku përcaktohet
fituesi, Lista e PD më e dobëta

Qarku i Durrësit, ku përcaktohet<br />fituesi, Lista e PD më e dobëta
TIRANE - Qarku i katërt në vend për nga madhësia, Durrësi me 13 deputetët që dalin prej tij, ka qenë disa herë vendimtar për anësimin e balancës fituese në zgjedhjet në Shqipëri. Durrësi është qarku ku zakonisht janë votuar ofertat politike dhe njerëzore, pa hyrë në militantizmin e qarqeve të tjerë. Durrësi është qarku i dytë pas Tiranës, ku FRD ndihet e fortë, duke pasur parasysh edhe listën e dobët të paraqitur nga PD, e në fakt kjo është një plus për të majtën.
 
Qarku i Durrësit është qarku i katërt më i madh në vend dhe përbëhet nga dy rrethe, Durrësi e Kruja, me 6 bashki, 10 komuna me 108 fshatra. Sipas INSTAT (2013) popullsia e qarkut është 266.823 banorë, nga të cilët pjesa më e madhe, 207.013 banojnë në zonat urbane dhe vetëm 59.810 banorë në zonat rurale. Njësia më e madhe administrative është Bashkia Durrës me 153 mijë zgjedhës, ndjekur nga komuna Rashbull me 19.4 mijë zgjedhës, Bashkia Sukth me 17.8 mijë, bashkia Fushë Krujë me 17.1 mijë, Bashkia Krujë dhe komuna Xhafzotaj me nga 12 mijë zgjedhës, komunat Katundi i Ri dhe Thumanë me nga 10.6 mijë, Bashkia Shijak me 9.7 mijë dhe ajo Manëz me 7.7 mijë zgjedhës. Qarku i Durrësit përfaqësohet me 13 deputetë në parlamentin shqiptar. Për shkak të rritjes së popullsisë pritej që në këto zgjedhje të shtohej edhe një mandat, por mungesa e konsensusit politik e la numrin 13 të pandryshuar.
 
TRADITA, VOTA NË DURRËS BËN NDRYSHIMIN POLITIK
 
Një analizë profesionale e zgjedhjeve politike në Durrës mjafton për të kuptuar se vota durrsake ka qenë dhe mbetet e moderuar, cilësore dhe pragmatiste. Ata kanë votuar përherë ofertat më të mira politike, duke ditur të largohen nga praktika e ndonjë qarku tjetër, për sjellje militante apo ndjekje të verbër të një pale politike. Për shkak të sistemit zgjedhor vlen të analizohet ecuria e votës mazhoritare 1992-2005, gjatë të cilës pala që ka fituar Durrës praktikisht ka fituar edhe mandatin qeverisës.

Sjellja elektorale e vitit 2005 përbën një rast tipik të votës cilësore. Demokratët fituan 8 mandate mazhoritare, madje edhe në ndonjë zonë ku pritej humbje, duke fituar numrin e nevojshëm të mandateve për të qeverisur vendin. E njëjta sjellje politike u pa edhe më 1992 dhe 1996 pro PD-së, dhe 1997 dhe 2001 pro PS-së. Për shkak se demokratët kanë qëndruar më gjatë në pushtet edhe bilanci mesatar i 21 viteve shkon në favor të tyre.
 
Gjithsesi, ndryshimi i sistemit zgjedhor më 2009 solli balancim politik. Sipas tabelës demokratët fituan dy mandate më shumë, por që në fakt është vetëm një mandat, pasi një mandat i të majtës i shkoi LSI-së, edhe kjo forcë e majtë politike. Me krijimin e FRD-së grupi demokrat në parlament e humbi edhe një mandat tjetër, ndaj mund të thuhet se e nisi 2009 me 7:6 dhe e mbylli me raportet 6:6 me 1 mandat jashtë tyre nga FRD.

Ky ndryshim, forcimi i FRD me votat e të djathta të zonës si dhe rezultati i zgjedhjeve të fundit lokale janë një tregues i rënies së dukshme të forcës përfaqësuese të qeverisë në këto zgjedhje. E lexuar në këtë mënyrë dhe për shkak të hendekut minimal midis të djathtës në veri dhe të majtës në jug, Durrësi bashke me dy qarqet e tjera të Shqipërisë së Mesme pritet të përcaktojnë fatin e fituesit të zgjedhjeve. Për shkak se demokratët llogarisin humbje në Elbasan, atëherë Durrësi merr rëndësi dyfishe për fatet e saj.
 
BRAHO DHE “TË ARDHURIT” PËR MANDATE NË DURRËS
 
Zgjedhjet e vitit 1996 dhe 1997 janë të vështira për tu marrë si fakte zgjedhore për shkak të problematikës dhe cilësisë së tyre. Gjithsesi vlen të theksohet se nga lista e kandidatëve fitues e sfidues më 1997 për dy partitë kryesore, pas 16 vitesh është ende në politikë dhe fitues i sigurt për në parlamentin e ardhshëm vetëm Spartak Braho (PS-LSI). Ai sfidoi më 1997 prefektin aktual të Durrësit, Genc Juka me diferencë 40% vota. Në zgjedhjet e vitit 2001 Durrësi reflektoi një vullnet balancimi politik.

Socialistët fituan pesë mandate (Braho, Duka, Bizhga, Koja, Agasi) kurse demokratët tre mandate (Qesja, Babasi, Berisha). Mandatet demokrate u morën në Krujë e Fushë Krujë, si dhe në zonën e të ardhurve në komunat e Durrësit. Nga këta emra, më 2013 janë në garë Braho e Duka, ky i fundit si kandidat i mazhorancës së djathtë në Shijak, zonë kur më 2001 kandidoi si ministër në kabinetin e PS-së. Nga kandidatët humbës janë në politike pas 12 vitesh edhe Arben Imami (me PAD mori 3.7% të votave) tashmë ministër e drejtues fushate në Elbasan, Osman Metalla kandidat i PD në Shijak, si dhe Koja si kryetar i një partie të re.

Në zgjedhjet e vitit 2005 gara elektorale në qarkun Durrës, sidomos në Shijak, ishte shumë e ashpër. Demokratët fituan të gjitha zonat në mazhoritar. U zgjodhën deputetë në Krujë Ziri dhe Babasi, në Durrës Sami Gjergji, Flori Bajramaj, Ferdinand Xhaferi, Gazmend Oketa dhe Genc Juka, si dhe në Shijak Sokol Olldashi. Gjergji fitoi më thellë, me 25% vota më shumë sesi rivali E.Barçi; Oketa fitoi me 22% vota më shumë sesa ish ministri Gj.Koja. në Shijak diferenca midis dy kandidatëve ishte 435 vota ndërkohë që çuditërisht 9 kandidatët e tjerë të kësaj zonë patën më pak sesa 100 vota secili. Më 2013 ende në garë reale për deputetë janë katër ish protagonistë të vitit 2005: Oketa, Olldashi, Gjergji, Duka.
 
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dy partitë kryesore hynë me lista mikse kandidatësh për deputetë. PD vendosi në krye të listës fituese Ferdinand Xhaferin ndjekur nga Albana Vokshi, Gazmend Oketa, Ylli Lama, Osman Metalla, Eduart Halimi dhe Igri Cara. PS ia besoi drejtimin e këtij qarku sekretarit organizativ të saj Blendi Klosi, ndjekur nga një prurje e botës akademike Rudina Seseri, biznesmeni Hazir Gashi, drejtuesi lokal Gazmir Bizhga dhe mjekja Klodiana Spahiu. LSI vendosi në krye të listës kandidatët e saj Lefter Koka dhe gazetarin Artur Zheji, por fitoi vetëm mandatin e parë. Sic shihet nga të dhënat nominale, më 2013 vetëm gjysma e tyre janë përsëri në garën elektorale.
 
PD ka rikonfirmuar treshen Halimi-Cara-Vokshi, si dhe ka dy prurje të reja, një zhvendosje nga Tirana për në Krujë (Strazimiri), një anëtar të kabinetit personal të kryeministrit (Bylykbashi) si dhe një figurë administrative por pa përvbojë politike (Topalli) në zonën Fushë Krujë. Në Shijak u rikonfirmua përsëri Metalla. Risi për demokratët në Durrës është numri tetë i listës, kryetari i PAA, Lufter Xhuveli, ish deputet i PPSH më 1991, ministër në disa qeveri të majta dhe prej 8 vitesh këshilltar i kryeministrti Berisha.

Në listën e PS-së me përjashtim të dyshes së vitit 2009 Klosi-Spahiu, të gjithë emrat e tjerë pretendentë për parlament janë prurje të reja nga zonat e tjera (Dokle në Krujë, Beqja në Durrës) apo emra të rinj në politiken qëndrore (Bejko, Bushi, Troplini). Fakt kritik për listat elektorale të qarkut Durrës është tendenca e dy partive të mëdha për të menjanuar figurat politike me origjinë dhe aktivitet politik në Durrës dhe zëvendësimi I tyre më figura të dërguara nga qëndra. Tek dy listat janë refuzuar pothuajse 60% e propozimeve të ardhura nga baza dhe janë zëvendësuar me figura të imponuara nga lart.
 
FRD, NUMRI PËRCAKTUES MES TË MAJTËS-TË DJATHTËS
 
Për shumë arsye FRD e shikon Durrësin si një nga zonat me pretendime të mëdha të saj. FRD me dy kandidatë potencialë, Oketa dhe Gjergji ka organizuar disa herë takime publike me pjesëmarrje të gjerë votuesish, siç ishin edhe dy më të fundit në Durrës e Manëz. Ata janë politikanë karriere, kanë përfaqësuar qytetin në vendimmarrjen e lartë politike, nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e ndonjë skandali politik dhe se në memorien parlamentare, sidomos Oketa, konsiderohet një zë moderator e qytetar, tipik për sjelljen elektorale të banorëve të Durrësit.

Për ta plotësuar forcën e tyre lokale vlen të theksohet edhe fakti se Gjergji drejton prej vitesh një biznes të suksesshëm dhe ka njohje e partneritet aktiv me shumë qytetarë të zonave të bashkive periferike e komunave të Durrësit. Gjithashtu FRD pretendon vota edhe në qytete të mbyllura si Shijaku apo në komunitetin e të ardhurve, kandidati A.Ahmetaj, i së cilëve është i vetmi nga çdo parti politike dhe ka shënuar bilanc pozitiv të takimeve elektorale.
 
Hyrja e FRD-së në Durrës ndihmohet nga fakti se lista e kandidatëve të PD-së është më e dobët sesa listat e mëparshme. Asnjë drejtues historik i PD-së lokale nuk është në listë, ministri që e kryeson listën nuk ka njohje pozitive dhe as nuk ofron aftësi mobilizimi e inspirimi elektoral, ndërkohë që pas Oketës dhe Xhaferit, nuk ka më asnjë ministër apo zyrtar të lartë politik në hierarkinë shtetërore nga zona e Durrësit.
 
SPECIFIKA TË LISTAVE ELEKTORALE
 
Vendimi i ish Ministrit Duka për të kandiduar për PR-në në Durrës përbën surprizën kryesore në këtë qark. Duka ka konkurruar për rreth një dekadë kundër të djathtës dhe tani është emri kryesor I saj për mandat parlamentar. Ky nuk është problemi i tij i vetëm. Në garë është edhe një emër tjetër i njohur, Lefter Koka (LSI), kunat me Dukën. Bashkë me Kokën ndodhet në listë edhe ish ministri i jashtëm Edmond Panariti, shanset e të cilit për mandat parlamentar janë vetëm teorike. Në zgjedhje dy palët bëjnë fushatë për dy palë të ndryshme pretendente pushteti ndaj në çdo rast ata do të marrin vota nga njëri tjetri. A mund të fitojnë të dy, njëri apo asnjëri? Historia e zgjedhjeve lokale në Durrës nuk flet për mbështetje të qëndrueshme pro emrave të tyre, përkundrazi në kulmin e fuqisë politike janë votuar kundër.
 
Një element që i bën ata konkurrent të fortë dhe njëherësh paraqet dukuri elektorale është fuqia ekonomike dhe investimi i tyre financiar në fushatë. Ata dhe të paktën katër parti të tjera politike që kanë aspirata përfaqësimi kanë zgjedhur mbështetjen në fuqitë financiare dhe lobimin që buron prej saj për të siguruar votat e nevojshme për një mandat, brenda koalicioneve politike ku bëjnë pjesë. Në të kaluarën e afërt këto modele kanë pasur histori suksesi (komuna) dhe dështimi (në qytete). Mbetet për tu parë se cili votues do të jetë kontingjent i mbështetjes së tyre.
 
Element i tretë tradicional ka qenë përfaqësimi politik i komuniteteve përbërëse të qarkut. P.sh, PS më 2009 pati një përfaqësues të njohur të komunitetit kosovar në listën parlamentare, siç PD ka pasur në mandatin përpara tij. Këtë herë dy palët kanë hequr dorë nga kjo praktikë dhe kanë emëruar kandidatë, të cilët në të kaluarën e tyre familjare kanë përkatësi ose lidhje me këto komunitete, gjë që në praktikë shpesh nuk funksionon. Më dukshëm vlen kjo në rastin e Krujës, ku asnjëra nga dy palët kryesore nuk ka kandidatë përfaqësues të kësaj zone, por politikanë preferencialë që dërgohen për mandate të sigurta parlamentare. Ndryshe kanë vepruar partitë e treta, përfshirë FRD, të cilat kanë zgjedhur kandidatë lokalë me lidhje të forta lokale, vendim që mund të ketë ndikim në leximin përfundimtar të rezultateve.
 
PËR CILËT DEPUTETË VOTOHET ME 23 QERSHOR NË DURRËS?
 
Për shkak të sistemit zgjedhor e kanë siguruar paraprakisht mandatin parlamentar nga katër deputetë tek secila listë elektorale e partive të mëdha: Halimi, Vokshi, Cara dhe Strazimiri tek PD; Klosi, Spahiu, Beqja e Dokle tek PS. Pesë vendet e tjera janë në garë të dyfishtë: midis koalicioneve dhe partive të tjera politike, si dhe midis vetë partive të koalicionit. Kështu, për pesë mandatet e mbetura janë në garë të fortë tre nga katër subjektet kryesore elektorale. Koalicioni i PD-së pretendon të ruajë rezultatin e vitit 2009, gjë që duket e pamundur.

Nëse ai merr gjashtë mandate atëherë mbeten në garë të brendshme Bylykbashi e Metalla në PD dhe Agron Duka në PR. Të paktën njëri prej tyre do të mbetej pa mandat. Nëse rezultati mbetet siç është atëherë secili prej tyre mund të marrë mandatin. Socialistët pretendojnë për fitore me dy mandate ose ngushtim të rezultatit në 7:6. Në këto dy raste në garën për deputet mund të pretendonin edhe Bejko e Bushi të PS, si dhe Koka i LSI. Për mandatin e shtatë PS-së i duhen të paktën 3.5 mijë vota shtesë, një shifër e mundshme vetëm nëse duket qartë mesazhi i ndryshimit politik, për të cilin tradicionalisht voton Durrësi.
 
Gjithsesi realiteti elektoral në Durrës nuk mund të analizohet pa marrë në konsideratë aktorin e tretë politikë, FRD-në. Dy kryesuesit e listës së FRD janë politikanë me përvojë dhe mbështetje politike sidomos në Durrës, të konfirmuar edhe në votimet në mazhoritar. Kjo është arsyeja që FRD pretendon 1-2 dy mandate. Vlen të theksohet se edhe parti të tjera politike kanë paraqitur kandidatë me pretendime, siç është Bashkurti i AK, Tahiri i PDIU, Çupi i PDK, Zeka i PSD, etj, por secili prej këtyre të fundit pa shanse reale mandati.

Shanse minimale ka edhe PDIU me AP edhe për shkak të ndarjes së komunitetit çam në dy parti politike rivale me njëra tjetrën dhe tashmë, pjesë të dy koalicioneve të ndryshme politike. Ky komunitet më 2011 fitoi 4 vende në këshillin bashkiak Durrës, por pas përçarjes dhe rivalitetit të ashpër, pritet të ndodhë që një pjesë e tij të kalojë edhe tek dy partitë e treta politike, FRD dhe Aleanca Kuq e Zi.
 
QEVERISJA VENDORE: PS QYTETIN, PD FSHATIN
 
Ndryshe nga qeverisja qendrore, e cila në qarkun e Durrësit ka ecur në varësi nga tendencat e politikës kombëtare, në qeverisjen qendrore palët janë përpjekur të ruajnë zonat e tyre të bastionit. Nëse në bashkinë e Durrësit socialistët vijojnë të jenë dominues, madje me rezultat shumë më të thellë sesa sondazhet paraprake elektorale, fitorja e tyre e përsëritur në Shijak dhe ajo e fundit në Fushë Krujë kanë krijuar një dominancë të dukshme në zonat urbane.

Lexuar sipas hartës administrative, socialistët vijojnë të jenë dominues në qytete dhe PD vijon të jetë e fuqishme në komunat e periferisë. Konkretisht, demokratët drejtojnë në komunën Katundi i Ri me 70%, në Xhafzotaj me 82%, socialistët në Kodër Thumanë me 60% vota të majta përballë palëve aktuale në qeveri. Komuna Rashbull me 55% të votave megjithëse konsiderohet fitore e djathtë më 2011, praktikisht
drejtohet nga përfaqësuesi i LSI, cili kandidoi edhe në emër të koalicionit me PD-në dhe tani mbledh vota për opozitën.

Referuar analizës krahasuese në 13 vitet e fundit, siç rezulton edhe nga tabela bashkëngjitur, në dy zgjedhjet e para palët kanë ndarë të njëjtin rezultat, e kuptueshme kjo në rrethanat kur zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 u dominuan përsëri nga të majtët. Më 2007, dy vjet pas rotacionit të pushtetit politik qendror, fushata e qeverisë dha sukses në njësitë vendore të qarkut Durrës dhe kështu, rezultati final u përmbys në favor të PD-së. Katër vjet më vonë, më 2011, dy vjet pas balancimit politik në zgjedhjet parlamentare dhe në kushtet e një aleance midis PD e LSI, opozita ia doli të rikthejë balancën politike 8:8, unike për të gjitha qarqet e tjera në vend. Siç shihet, mesatarja e këtyre viteve në analizë është pothuajse e përafërt, vetëm dy njësi vendore diferencë.
 
Një analizë nominale në njësitë kryesore: zgjedhjet për bashkinë Durrës kanë qenë gjithnjë një betejë politike sa lokale aq edhe kombëtare. Më 2000 bashkia u drejtua nga mjeku Hoti, kandidat i PS. Më 2003 Lefter Koka fitoi ndaj Avni Hoxhës me 4 mijë vota diferencë, ose 15.5 me 11.4 mijë vota. Interesat është fakti se si subjekt zgjedhor PS mori vetëm 12.6 mijë vota kurse PD të njëjtat vota sa kandidati, 11.1 mijë.

Në zgjedhjet e vitit 2007 pritej fitorja e lehtë e Telitit të PD-së, por realisht në momentin e fundit mandati u fitua nga Vangjush Dako me diferencë vetëm 308 vota. Në zgjedhjet e fundit lokale 2011 Dako u konfirmur me rezultatin e thellë 33.2 me 29.4 mijë vota përballë ministrit Ferdinand Xhaferi, i cili më 2003 pati marrë 1.5% të votave në emër të PDr, kurse më 2011 ishte kandidat i koalicionit PD-LSI.
 
Bashkia Krujë, Sukth dhe Manëz kanë të njëjtën vijueshmëri: më 2003 fiton PS dhe në dy zgjedhjet e fundit fiton koalicioni i djathtë. Kështu në Krujë demokrattë e fituan mandatin më 2011 me vetëm 99 vota diferencë, në Sukth me 1.5 mijë vota kurse në Manëz me 300 vota. E kundërta shënohet në Bashkinë Fushë Krujë, ku pas dy mandateve të demokratit Mavriqi, prej 2011 drejtohet nga kryebashkiaku Bardhi me 1.6 mijë vota diferencë. Vlen të theksohet se Bardhi është një nga kryebashkiakët e vetëm që refuzoi mandatin parlamentar në momentin që iu afrua (nga lista shumëemërore) duke zgjedhur qëndrimin në detyrë.

Në Shijak tri mandatet e fundit bashkiake janë fituar nga kandidatët e PS-së: Cela, Alite dhe Buka përkatësit me 700, 64 dhe 300 vota. Interesant gjithashtu fakti se më 2003 p.sh, megjithëse fituesi i majtë mori 2.3 mijë vota, vetë subjekti i tij elektoral fitoi 1.7 mijë vota, kurse PD si subjekt fitoi 100 vota më shumë se kandidati. Në total, në votimin partiak qarku i Durrësit më 2011 i dha 75 këshilltarë PS-së, 73 këshilltarë PD-së, 25 LSI, 22 PR, 19 PDIU, 11 PDS, etj, duke reflektuar edhe ndarjen e interesave lokale në dorën e shumë aktorëve politikë.
 
SA VOTA U DUHEN PARTIVE NË KOALICIONE PËR MANDAT?
 
Tabela e zgjedhjeve 2009 paraqet 13 mandatet të llogaritura në dy variante: llogaritja e votave si aleanca politike, ku PD, PS dhe LSI kishin një numër partish më të vogla aleate që mblidhnin vota për to. Kolona e parë llogarit votat për një mandat parlamentar brenda koalicioneve politike, pra mandatet reale parlamentare brenda koalicioneve. Formula e aleancave vlen edhe në këto zgjedhje për koalicionin e majtë, të djathtë si dhe FRD e AZ. Kolona e votave për mandat vlen gjithashtu edhe në këto zgjedhje si formë e shpërndarjes së mandateve parlamentare brenda të njëjtit koalicion politik.
 
Për të marrë mandatin e pestë brenda të djathtës PR i duhen mbi 6800 vota, për mandatin e gjashtë mbi 5600 vota dhe për mandatin e shtatë (nëse e djathta fiton shtatë mandate) i duhen mbi 4700 vota. PDIU më 2009 fitoi 1.9 mijë vota, një e treta e votave që i duheshin për një mandat brenda koalicionit. Futja e kryetarit të PAA Xhuveli në listë nuk përbën garanci për zgjerim të votave mbështetëse për koalicionin, pasi partia e tij më 2009 ka fituar vetëm 465 vota, më pak se një e dhjeta e votave që i duhen për një mandat brenda koalicionit.

Tek e majta pretendimet e LSI janë të mëdha, por mundësia praktike për mandat mbetet e diskutueshme. Më 2009 LSI përfitoi shumë nga votat e ardhura nga Fushë Kruja dhe Kruja për të siguruar një mandat parlamentar prej  9.6 votash. Me sistemin zgjedhor dhe futjen e LSI brenda koalicionit të majtë LSI ka nevojë për 60-65% të votave të vitit 2009 për të siguruar një mandat parlamentar. Mandati i pestë i socialistëve më 2009 u mor me 5472 mijë vota, shifër minimale që i duhet çdo pale për të hyrë në konkurrim të brendshëm për deputet.
 
VOTUES VETËM MILITANTËT?
 
Leximi i shifrave të pjesëmarrjes në votime në dy zgjedhjet e fundit parlamentare e lokale shpreh tendencën e njohur të konfliktit midis qendrave urbane dhe rurale. Në qytetet e mëdha ka pjesëmarrje të ulët, në periferi pjesëmarrje të lartë. Duket e pabesueshme në statistikat elektorale por p.sh, në historinë e tri zgjedhjeve të fundit në bashkinë Durrës gjenden të dhëna të pjesëmarrjes zgjedhore që shkon në kufijtë e 29% (2003), një numër shumë më i ulët sesa mesatarja kombëtare. Mesatarja e votimit në këtë bashki nuk kalon 36% kurse në zgjedhjet e fundit lokale pati një tendencë rritjeve deri ishte 42%.

Në njësitë tjera kemi kontrast të thella në kuadër të mesatares së qarkut: p.sh, pjesëmarrja në Sukth është 4% më e lartë, në Shijak 48%, për të shënuar rritje të dukshme në një zonë relativisht me shumë probleme ekonomike si Fushë Kruja me 58-60%. Të dhënat e votimit në komuna janë të ndryshme, por gjithnjë me tendencë rritjeve ndaj bashkive kryesore. Katër komunat e mëdha e kanë pjesëmarrjen e rregullt në tri zgjedhjet e fundit lokale rreth 50%, ku spikat Kodër Thumana me 57% dhe Xhafzotaj me 35%.
 
Shifra të tilla pjesëmarrjeje krijojnë dy probleme: së pari krijon hapësirë që vetëm pjesa militante e partive politike, pjesa e klientelës së pushtetit dhe e pretendentëve për pushtet të jetë aktivë dhe të interesuar për politikë. Së dyti lejon mundësi ndërhyrjeje nga jashtë përmes investimeve financiare në shkëmbim të votave apo abuzimet me votat e emigrantëve.

Fakti se disa parti politike vazhdimisht bëjnë thirrje për pjesëmarrjen e emigrantëve në votime dhe për interesim më të madh të rinisë si votues të parë për proceset politike lidhet pikërisht me synimin për ta rrëzuar traditën e votimit militant dhe për të zgjeruar bazën e vendimmarrjes politike, e cila nëse zgjerohet, natyrshëm nuk është votë në favor të palës që është në pushtet.
 
FAKTORË PRO QEVERISË

●Faktori kryesor pro qeverisë është argumenti tradicional se kemi të bëjmë me një zonë, e cila historikisht nuk ka pasur lidhje të forta politike me të majtën. Pavarësisht votës, qarku i Durrësit mund të konsiderohet i djathtë, dhe përbën një nga qytetet më aktive në proceset e ndryshimit politik. Ekzistojnë kategori komunitare të identifikuara të djathta, ndërkohë që nuk ekzistojnë kategori të dukshme komunitare të identifikuara si të majta. Përdorimi politik i emocioneve dhe interesave të këtyre kategorive përbën një nga synimet e qeverisë, dhe natyrisht një burim elektoral.
 
●Faktor tjetër i dukshëm i qeverisë është bilanci i investimeve publike rurale, të cilat në zona me popullsi të madhe dhe në një territor me zhvillim të vrullshëm turistik mund të kthehen fare lehtë në burim votash elektorale. Në funksion të kësaj teze qeveria ka përdorur investimet e buxhetit, FSHZH, projektet edhe financimet e huaja, nismat private të biznesit, etj, duke krijuar idenë se gjithçka e mirë është dhuratë prej saj.
 
●Pas ikjes së LSI mazhoranca e kompletoi shpejt ekipin drejtues lokal të mbetur bosh (që nga prefekti) bëri zëvendësime në postet drejtuese në qark dhe krijoi një ekip elektoral që mund të ketë ndikime minimale, por me rëndësi, sidomos në procesin e administrimit politik të zgjedhjeve. Vendosja edhe e disa emrave të rinj politikë në listën e kandidatëve vjen në harmoni me synimin e saj për të krijuar alibinë e LSI për gabimet, dhe për të krijuar idenë e një projekti të ri politik.
 
●Në listën e partive të koalicionit të djathtë ndodhen disa parti politike të vogla por me potenciale ekonomike tek individët drejtues të listave të tyre, Sa më shumë të ketë pretendime për mandate aleatësh aq më shumë rritet numri i votave që vjen në “thesin” e koalicionit, pra të PD-së, e cila më pas ka monopolin e administrimit të votës, pra edhe monopolin e përkthimit të tyre në mandate. Ndaj PD nuk komenton p.sh, fenomenin e Klanit të Zemunit dhe hyrjen e A.Dukës në garë, me shpresën se votat e tij mund të mos i japin atij mandat, por në thelb shkojnë në favor të vetë PD-së.
 
FAKTORË PRO OPOZITËS
 
●Faktori kryesor pro votës së ndryshimi është i lidhur me fragmentarizmin e votës së djathtë tradicionale, sidomos me hyrjen në skenën konkurruese të FRD, si parti me ndikim të dukshëm në këtë qark. Individët që drejtojnë listën elektorale të PD kanë shumë më pak kontribut historik tek e djathta sesa ata që drejtojnë listën elektorale të FRD, ndaj ka arsye të plota të besohet se një pjesë e votave do të shkojnë drejt saj.

●Një faktor tjetër politik është ndjeshmëria qytetare durrsake ndaj problemeve të keqqeverisjes, lënia në harresë e qytetit kryesisht për shkak të votës së majtë, si dhe përdorimi i aseteve publike e turistike të kësaj zone për privilegjet e politikës së Tiranës. Pakënaqësitë në rritje në zgjedhje shprehen në vullnet politik elektoral, ose me vota për palën kundërshtare, opozitën, ose me abstenim në zgjedhje, - edhe kjo në qarkun e Durrësit, në disfavor me qeverinë.
 
●Dështimi i përsëritur i PD-së për të sfiduar kryebashkiakun Dako dhe rritja e rolit të tij politik në politikën kombëtare të PS-së, natyrisht përbën një aset politik me rëndësi për fushatën elektorale. Kryebashkiaku ka mbështetje publike dhe është në mes të mandatit, pra edhe ka kapacitet e mundësi të tërheqë pak një numër votuesish jo militantë të PS-së.
 
●Rivaliteti PS-LSI për mandate parlamentare në thelb rrit numrin e votave të majta, dhe kështu, krijon një përballje direkt të së majtës me të djathtën e përçarë. Edhe në këtë rast, ashtu si tek marrëdhënia PD-Duka, pala politike është e interesuar të tërheqë sa më shumë vota por duke tentuar të mos falë asnjë mandat parlamentar.
 
●Një faktor lokal por me rëndësi lidhet me faktin se ndonëse tek e djathta ka pasur individë me pretendime të mëdha për vend të sigurt në listat elektorale dhe ata tashmë ose janë të tërhequr fare, ose kanë angazhim formal, tek e majta, e cila ndjen e kërkon pushtetin, ky fenomen nuk ekziston dhe ndaj e majta është më solide, më e organizuar dhe me potencial më të madh rritjeje në numër votuesish.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën