Komisioni i Venecias ka dhënë opinion pozitiv lidhur me ligjin kthimit dhe kompensimit të pronës në Shqipëri. Në një intervistë ekskluzive për Report tv, kreu i Agjencisë së Trajtimit të Pronës, Sonila Qato, thotë se zbatimi i ligjit tashmë do të vazhdojë normalisht.

Ajo thekson se të gjithë pronarët të cilëve u është publikuar emri në regjistrin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, kanë afat deri në muajin nëntor për të plotësuar dokumentacionin për të përfituar kthimin apo kompensimin e pronave të tyre.
 
“Deri në muajin nëntor të këtij viti të gjithë pronarët të cilët kanë parë emrin e tyre në regjistrin përfundimtar të publikuar që në datën 30 maj të vitit 2016 të vendimmarrjes për kompensim, aty ka agjencia ka kërkuar bashkëpunim me pronarët duke u kërkuar të sjellin dokumentacion në mënyrë që vendimmarrja jonë të jetë e plotë dhe e drejtë sipas frymës së ligjit të ri mund të paraqiten në agjencinë e trajtimit të pronës për të na furnizuar me ato dokumente të cilat janë të nevojshme për të bërë vlerësimin përfundimtar nga ana jonë sipas metodologjisë së ligjit të ri”, është shprehur Qato.

Qato thotë se pas qëndrimit të Venecias, edhe gjykata kushtetuese duhet të japë verdiktin përfundimtar mbi fatin e ligjit.

“Sigurisht që në vijim të Komisionit të Venecias ne presim që Gjykata Kushtetuese të japë vulën përfundimtare edhe zyrtare të kushtetutshmërisë së ligjit të ri për trajtimin e pronës dhe përfundimin procesit të kompensimit”, nënvizoi Qato.

Ligji i ri i pronave u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga 8 subjekte, mes të cilëve Presidenti i Republikës dhe Avokati i Popullit. Ata kërkuan shfuqizimin e ligjit si antikushtetues, kryesisht për shkak të formulës së kompensimit, e cila parashikon vlerësimin e pronave sipas zërit kadastral që kanë pasur në vitin 1945.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com