Për dekada me radhë, komedia “Prefekti”, e shkruar në vitin 1948 nga Besim Levonja, ka shoqëruar jetën e brezave të tërë në epokën e diktaturës. Qazim Mulleti, nuk ishte thjesht një personazh i lindur nga një fantazi krijuese, por ai vërtetë kishte qenë drejtuesi më i lartë i kryeqytetit, në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Në komedinë e vënë në skenat e Teatrove të kohës, dhe e transmetuar pafundësisht në ekranin e televizorit, ai pikturohej si një figurë tejet groteske.

Pas rënies së diktaturës, edhe emri e figura e tij nisi të ridimensionohej përballë realitetit të fakteve. Një dokumentar i skenaristit dhe Regjisorit Ylli Pepo, e bën të qartë synimin e tij, që në titullin “Qazim Mulleti, ai i vërteti”.

Përmes dëshmive historike, videove të Tiranës së viteve kur jetoi Qazim Mulleti,  fotografive të tij dhe intervistave me historianë, e të afërm të tij si: Nevila Nika, Adhurim Kolari apo studiuesin Përparim Kabo, botuesin Alfred Çako dhe mbesën e tij, Fatbardha Mulleti, ndërtohet portreti i Qazim Mulletit nga lindja e tij, për t’u ndalur në formimin akademik, karrierën dhe jetën publike e deri në fund të jetës.

“Është historia e Qazim Mulletit, i cili ka qenë për dekada të tëra i tallur, i dënuar, i poshtëruar. Filmi, me dokumenta, me dëshmi, me të vërteta sjell figurën e saktë të Qazim Mulletit.”, tha regjisori Ylli Pepo.

Një intelektual i formuar në shkollat elitare të kohës, poliglot dhe protagonist i jetës politike e administrative të Shqipërisë, Qazim Mulleti është lindur në Tiranë, në vitin 1893. Ai studioi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe në kolegjin prestigjioz “Galatasaraj” të Stambollit, ku u diplomua me medalje ari. I përfshirë në zhvillimet politike të kohës, ai mbajti poste drejtuese në administratën e kryeqytetit, përfshirë atë të prefektit.

Një ndër dëshmitë më interesante ishte ajo që u zbulua nga intervista me historianen Nevila Nika, e cila rrëfen për ndihmën që Qazim Mulleti iu dha familjeve hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke i ndihmuar shpesh që të ndërronin emrat e tyre në myslimanë, në mënyrë që të shpëtonin. Ajo foli edhe për një tjetër kapitull të historisë së Qazim Mulletit, i cili u përpoq të ndihmonte familjet e internuara gjatë periudhës së komunizmit.

Studiuesi Përparim Kabo vuri në pah kulturën gjermanike të Mulletit, i cili në një pjesë të jetës së tij jetoi në Vjenë, ndërsa Alfred Çako rrëfeu se ai ishte një nder personat e pranishëm gjatë atentatit që iu bë Ahmet Zogut.

“Unë kam qenë katër vjet prefekt i Tiranës vetë dhe kur më merrnin në telefon miq, njëri më thoshte gjithmonë zoti Qazim. Dhe njëherë, unë kur isha njëçikë me nerva, ai e kuptoi e më tha: ‘Mos të vjen keq që të them zoti Qazim? - Po,- i thashë. Më vjen keq sepse nuk i ngjaj Qazimit aq sa duhet.’  Shpresoj që me këtë dokumentar të jetë korrigjuar njëçikë dhe ai gabim historik që është bërë, që e kanë denigruar figurën e tij.”, tha Ruzhdi Keçi, kryetar i shoqatës “Tirana.”, tha Ruzhdi Keçi, kryetar i shoqatës “Tirana”.

Në dokumentar, mbesa e Qazim Mulletit, Fatbardha Mulleti sjell kujtime familjare dhe tregon se si pas vendosjes së regjimit komunist, vetë familja Mulleti u përball me një kalvar të gjatë përndjekjeje derisa Qazim Mulleti vendosi të largohej në Itali, ku ndërroi jetë në vitin 1956. Vetëm 67 vjet më pas, në vitin 2023 eshtrat e tij u kthyen në Shqipëri.

Dokumentari është realizuar me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, Shoqatës “Tirona” dhe familjes Mulleti, nën kujdesin e prefektit Shkëlqim Hajdari.

“Ky dokumentar është pronë e shoqatës 'Tirana'. Kështu që shoqata 'Tirana' do ta verë në dispozicion të çdo qyteti, të çdo kinemaje këtu në Shqipëri dhe jashtë saj, por edhe në diasporë, sepse do bindemi ne këtu dhe të tjerët që nëpërmjet artit të Ylli Pepos dhe të ekipit të tij do shohim një Qazim Mullet krejt tjetër.”, tha prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari.

Hajdari bëri me dije se në 20 dhjetor, sheshi i Pazarit të Ri do të marrë emrin e Qazim Mulletit. Në nderim të tij do të organizohen gjithashtu një simpozium shkencor dhe një aktivitet kushtuar kulinarisë tradicionale tiranase.