Në zanafillë të krijimit të saj, Akademia e Studimeve Shqiptare tenton të hedh dritë përmes një simpoziumi shkencor, mbi figurën e vërtetë të ish-prefektit të Tiranës, Qazim Mulletit.

“Historia kur shkruhet për njerëz që denigrohen, nuk mund të mbahet me tri-katër vjet punë, por duhet të marrë qysh nga aktiviteti i saj dhe gjatë gjithë jetës. Me të mirat dhe ato që mund tu duken të tjerëve se kanë qenë negative”, thotë mbesa e Qazim Mulletit, Fatbardha.

Filli i pakëputur i denigrimit që preku edhe mbërritjen e eshtrave të tij nga Roma në atdhe, 67 vjet pas vdekjes, ngjallën këtë të premte reagimet e familjarëve, historianëve e figurave politike të ftuara në panel.

“Shoh sot nëpër portale duke bërë komente rreth kësaj ngjarje të veçantë (riatdhesimi i eshtrave) një mungesë të madhe respekti nga llogoret e provincës (nënkupton jo prejardhjen por mentalitetin provincial). Për më shumë një pjesë e të cilave janë të  orkestruara”, shprehet ish-presidenti Bamir Topi, i cili i dedikon një hapësirë të veçantë Qazim Mulletit në librin e tij “Betejat e humbura të Tiranës”.

Ish-nëpunësi, intelektual i Tiranës, Qazim Mulleti, 79 vjet më parë para largimit, pati menduar se diktatura s’do të prekte bashkëshorten dhe djalin e tij të vetëm.

Por, sipas rrëfimeve të mbesës, ishin ata, përpos të afërmeve të tjerë, që nga një kamp përqendrimi në një tjetër ndjenë në lëkurë, anën më të mprehtë të urrejtjes komuniste karshi komunitetit intelektual.

“Ajo është pjesa më e dhimbshme e familjes Mulleti. Qazim Mulletin nuk arritën ta vrisnin as me pushkë, as me top por e vranë me një komedi. Ai la në Shqipëri familjen dhe familja e tij u mbajt gjithë jetën në internim. Djali i tij u mor nga bankat e shkollës në kampin shfarosës të Tepelenës, dhe ka dalë nga internimi në moshën 62 vjeçare pa mundur të krijojë familje. Ndërsa ajo zonja që qeshet në komedinë “Prefekti”, ajo vdiq në Savër të Lushnjës në një kasolle”.

Imazhi negativ që i vishet familjes Mulleti në komedinë ‘Prefekti’ të Besim Levonjës, për ta bërë objekt talljeje, do ta përndiqte Reshitin fëmijë që nga bankat e shkollës, e po ashtu të ëmën Hajrien. Fatbardha tregon nëse ndonjë prej artistëve, ka kërkuar deri më sot falje.

“Ne me Besim Levonjën nuk jemi takuar asnjëherë, për arsye se Besim Levonjën nga burgu i Tiranës është shpëtuar vetëm përmes firmës së xhaxhait (Qazim Mulletit) që hyri garant për të. Po garantit ai e bëri përmes zyshës së tij, kushërira Këlliçi e xhaxhait. Dhe kur mësuesja Alije Këlliçi pa që kishte bërë komedinë prefeketi, i hyri në zyrë dhe  i ka thënë: Të gjithë mund të kishin shkruar për të, veç ju nuk kishit të drejtë se vetëm përmes tij ju kam shpëtuar. Po xhaja nuk ka shpëtuar vetëm atë, por edhe shumë të rinj të tjerë”

Prej roleve si të qenit adjutant i princ Vidit e më pas prefekt i kryeqytetit gjatë pushtimit fashist, bën që Qazim Mulleti, të etiketohet ende sot si kolaboracionist. Zë që përforcohet edhe nga dokument i publikuar dy vjet më parë, nga ish-zv.kryeministri Erion Braçe, që lidhet me tre antifashist të ekzekutuar në vitin 1942.

Kryetari i shoqatës ‘Tirana’, Arben Tafaj i akordoi Qazim Mulletit titullin ‘Fisnikëria e Tiranës’. Ai u shpreh gjatë fjalës së tij, se për të pavërtetat që lidhen me figura të tilla historike duhet të mbajnë qëndrim edhe institucionet, si Akademia e Shkencave.

Ceremonia e varrimit të ish-prefektit mbahet mesditën e kësaj të hëne në Shish-Tufinë.