PRISHTINË, 20 Maj /ATSH-B.Jashari/ - Qëndra Kinematografike e Kosoves (QKK) dhe Sarajevo Film Festival arrijnë marrëveshje, mbështetur nga programi "Culture for All - phase III".
Pesë studentë nga Kosova do të kenë mundësinë të përcjellin festivalin më të madh të Europës Juglindore. Ata do të jenë pjesë e një programi special në Festivalin e Filmit të Sarajevës, ku gjatë qëndrimit të tyre do të shikojnë filma, do të përcjellin ligjerata dhe do të shkëmbejnë kontaktet dhe idetë me kolegët nga rajoni.
Qëndra Kinematografike e Kosoves dhe Sarajevo Film Festival rane dakord që kjo marrëveshje të hyje në funksion këtë vit, pra studentët kosovarë do të vizitojnë SFF për pesë ditë në gusht 2015. Marrëveshja u finalizua në Kanë nga drejtori i festivalit të Sarajevës, Mirsad Purivatra dhe drejtori i QKK-së, Arben Zharku.
Purivatra u shpreh se, "me këtë bashkëpunim ne po e çojmë përpara vendosmërinë tonë që me anë të kësaj platforme t'i perkrahim talentët e ri të Kosovës, vendi që tanimë e ka dëshmuar veten si pjesë e rëndësishme e rajonit. Ekipi im dhe unë besojmë fuqishëm që kontaktet dhe lidhjet e krijuara në Sarajevë do të hapin mundësi të reja bashkëpunimi për filmbërësit e ri dhe në këtë mënyrë ta fuqizojmë kinematografinë kosovare e sidomos rrugëtimin e filmave nëpër festivalet e filmit në Europë".
Ndërsa  Zharku tha se, "platforma e mrekullueshme që e ofron Sarajevo Film Festival është një derë e hapur për artistët kosovarë që të takohen me artistët nga rajoni e më larg dhe gjithashtu një mundësi shumë e mirë që të jenë pjesë e ligjeratave të mrekullueshme që gjithmonë i sjell SFF".
E themeluar në vitin 1995 gjatë rrethimit të Sarajevës në luftën e pavarësisë të Bosnjës, Sarajevo Film Festival është një nga festivalet më të mëdha në Europë e cila do ta ketë edicionin e 21-të në gusht 2015 me një gamë të gjerë të filmave të metrazheve të ndryshme nga e gjithë bota që konkurrojnë në disa kategori.
/k.m/ /a.ke/