Qendrat shëndetësore verore vijojnë punën në të gjitha zonat turistike të vendit, duke u ofruar ndihmë mjekësore pushuesve gjatë sezonit veror. Një prej tyre është edhe qendra shëndetësore në lagjen muzeale Kala, në Berat, ku stafi mjekësor kujdeset si për turistët, ashtu edhe për banorët e zonës historike.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale publikoi pamje nga puna e përditshme e kësaj qendre, ku trajtohen urgjencat e lehta dhe ofrohet asistencë e menjëhershme kur është e nevojshme.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, prania e këtyre qendrave në destinacionet turistike ka ndihmuar që pushuesit të marrin shërbim mjekësor në kohë, duke rritur sigurinë gjatë sezonit veror.
Në të gjithë vendin janë në funksion 36 qendra shëndetësore verore. Këtë vit janë shtuar edhe dy qendra që ofrojnë shërbim 24 orë në 7 ditë të javës, një pranë Kishës së Shën Ndout në Laç, e dedikuar turizmit fetar, dhe një tjetër pranë llixhave të Elbasanit.
Po ashtu, është hapur edhe 1 qendër në kalanë e Gjirokastrës.
Komente







