Qerim Skënderaj, 27 tregime
për Itakën e fundosu

Qerim Skënderaj, 27 tregime<br />për Itakën e fundosu
Intervistë me shkrimtarin shqiptar Qerim Skënderaj, i cili pas disa vitesh në emigrim, rikthehet në vendlindje. Në këte intervistë tregon momente të largimit të tij nga Shqipëria dhe rikthimin, mes librash të shkruar në shqip dhe në gjuhën italiane. Qerim Skënderaj lindi në Ninesh të Mallakastrës në vitin 1949, ku kaloi fëmijërinë dhe mori mësimet e para. Pas vdekjes së të atit, ndërtoi një lidhje të fuqishme shpirtërore me mamanë e tij, duke e kthyer në muzën e tij frymëzuese, për shumë poezi. Në vitin 1963, shkon në Tiranë për të kryer studimet ushtarake dhe pas 7 vitesh merr titullin Oficer në Specialitetin e Artilierisë Kundërajrore.

U emërua më pas në kryeqytet, ku shërbeu për dy vite pranë Fushës së Aviacionit në Laprakë. Në vitin 1971, trasferohet në qytetin e Vlorës, ku njihet dhe dashurohet me Afërditën, duke krijuar familje, nga e cila erdhën në jetë katër djem. Ka shkruar për shtypin periodik të kohës, kryesisht atë ushtarak. Në vitin 1998, bashkë me një grup krijuesish, formuan Shoqatën e Shkrimtarëve `Petro Marko` dhe deri në vitin 2001, ka qenë kryetar i saj. Që nga ai vit u vendos në Pistoia të Italisë, bashkë me familjen. Ka shkruar mjaft libra në shqip dhe në gjuhën italiane, më i fundit `Itaca affondata`, botuar në vitin 2013-të në Itali. Ndërsa fundviti i 2013-tës e riktheu sërisht në Tiranë. 
 
Artistëve, shkrimtarëve, u ndodh shpesh që të ndihen "të humbur" kur largohen nga vendlindja, pasi ndeshen me një ambient të huaj, ku përveç përshtatjes sociale, ndjejnë se nuk kanë më një identitet artistik... Ju si e përjetuat largimi?
 
Mundësia e parë për një artist kur largohet nga vendi i tij është ose ose të vdesë artistikisht, ose të bëhet i famshëm, e para është e tmerrshme e dyta shumë e vështirë. Unë nuk bëj pjesë, as tek e para dhe  as tek e dyta, por nuk "vdiqa" artistikisht. Nuk reshta së shkruari, duke arritur të botoja 4 libra në gjuhën shqipe,  në 3-4 vitet e para të qëndrimit tim në Itali dhe më pas  2 libra  të tjerë në gjuhën italiane. Duke e marrë si një sfidë, me këmbëngulje dhe dëshirë. Tanimë kam  gati për botim edhe tri libra të tjerë, njëri prej tyre është në proces botimi.

Një nga librat e botuar pak vite më parë,  ishte "Albania ultimo atto", një libër narrativ, metaforik dhe alegorik. Ndërsa libri i sapo botuar “Itaca affondata” (Itaka e fundosur) është një libër  më universal dhe është krijuar i gjithë në italisht. Ndryshe nga libri i parë, i cili u përkthye nga im bir,  ky libër është  përkthyer nga unë vetë, me ndihmën e  korrektores  italiane Miriam Beccari.
 
Pse e keni titulluar këtë libër `Itaca affondata`?
 
Mendoj që jetojmë në një kohë mjaft interesante, ku lëvizja e njerëzve dhe e ideve është e vazhdueshme, duke qenë gjithnjë në lëvizje, njerëzit harrojnë se duke gjetur diçka të re, kanë humbur diçka të vjetër, shumë të shtrenjtë e shumë të dashur. Itaca në përfytyrimin tim është tërësia e jetës, kujtimet, rrugicat, aty ku ke lindur e je rritur. Kur kjo Itakë që të duket e mangët se të ka ikur një pjesë e jotja,  kështu largohesh  edhe ti në një vend tjetër, për të ndjekur këtë pjesë...

 Ky libër ka 27 tregime që janë të lidhur me njëri tjetrin dhe që përfundojnë me jetën e personazhit. Gjithashtu  kam edhe projekte të tjerë në Shqipëri dhe Itali.... Në Shqipëri jam një shkrimtar i pa njohur, pasi në vitet 90-të jeta ishte ndryshe dhe tashmë duhet të rifilloj gjithçka nga e para. Kam menduar që 7 vëllimet e mija t'i përmbledh në një libër të vetëm, gjithashtu kam në dorë edhe një roman, që do të jetë një libër autobiografik, por që do të përfundojë më vonë, pasi nuk është në planet e mija, për ta botuar në vitet e para të rikthimit tim në Shqipëri.
Kam shkruar gjithashtu edhe  3 libra në prozë, kam në dorë edhe një roman të katërt,  që do të jetë një libër autobiografik, por nuk është në planet e viteve të para të rikthimit në Shqipëri.
 
Si mund  t'i përmblidhni në pak fjalë vitet tuaja gjatë qëndrimit në Itali?

Kur u largova për në Itali, shkova me idenë se do të kthehesha shpejt, por largimi ishte një largim me kokën prapa.  Jam larguar me familjen në vitin 2001 dhe fillimi për mua ka qenë shumë i vështirë, pasi duhet t'ja nisja nga e para, duke u integruar në një shoqëri ndryshe nga ajo ku kisha lindur dhe jetuar për një gjysmë shekulli. Më pas arrita të mësoja mirë gjuhën italiane dhe nisa të publikoja libra, kjo ishte për mua shtysa për të ecur përpara, të bëja diçka ku të gjeja veten, duke mos humbur në rrjedhën e viteve në emigrim. 
 
Ju keni qenë pjesë e Komunitetit shqiptar në Itali, kryesisht në Rajonin e Toskanës, mund të kujtoni një episod që ju ka lënë mbresë...
Unë kam jetuar në Pistoia, pranë Firences dhe aty gjenden shumë shqiptarë, nëse vite më parë ishte krijuar krejtësisht imazhi i një prototipi shqiptar, tani ata janë të respektuar dhe të integruar mjaft mirë. Është e vërtetë, unë kam qenë mjaft aktiv në çdo gjë që organizonte Komuniteti Shqiptar, si në Pistoia, ashtu edhe në qytetin e Firences, apo qytete të tjerë, duke marrë pjesë në evenimente të ndryshme  duke filluar nga ekspozitat, promovimet e librave (duke përfshirë edhe promovimet e librave të mi) dhe festat e ndryshme që organizoheshin.

Vitin e kaluar në 100 vjetorin e Shqipërisë, Pistoia u vesh kuq e zi, aq sa ishte veshur edhe Vlora atë ditë, për të festuar një ditë të shënuar për ne shqiptarët. Dua të theksoj edhe diçka, shqiptarët që jetojnë në Rajonin e  Toskanës janë vërtetë shumë të integruar në shoqërinë italiane.
Gjithashtu edhe pse tashmë jam kthyer të jetoj në Shqipëri, do  jem prezent me botimet e mija në Itali...larg Shqipërisë më kanë munguar shumë njerëzit, miqtë dhe gjatë ndalesës sime në Itali, unë kam shkruar gjëra që nuk do të mund ti shkruaja nëse do të gjendesha  këtu.
 
Nga Shqipëria prisni ngjarje të mëdha?

Shpresoj që Shqipëria të bëjë kthesën e madhe, në këto vite është bërë dhe nuk është bërë, është bërë  dhe është shbërë. Uroj që Shqipëria të jetë pjesë integrale e Europës, nuk besoj aq tek vetja sa besoj tek fëmijët e mi, besoj tek të rinjtë. Në vitn96-të, kam shkruar një poemë dedikuar demokracisë dhe e kam krahasuar politikën shqiptare të asaj kohe, me një miss që gjithë e dëshironin. Kam dashur që demokracia të shkonte përpara nga një brez në tjetrin,  por një njeri që e krijoi karakterin e tij në një ambient të mbyllur,  e ka vështirë të hapet. Ky është mesazhi që dua tu jap të rinjve  shqiptarë, pasi është roli i tyre dhe mendja e tyre e hapur, mund  ta ngrenë demokracinë e Shqipërisë në nivelet e demokracisë Europiane.
 
Nëse në Itali, Albani ishte djali i Qerim Skënderaj shkrimtar....mendoni se në Shqipëri do të jeni babai i këngëtarit Alban Skënderaj dhe nuk do të keni një identitet tuajin?
Të falenderoj shumë që më bëre këtë pyetje, pasi është diçka që kam dashur ta sqaroj. Në këta  10 vite që Albani është ngjitur në skenat shqiptare dhe të huaja si  këngëtar, kam bërë një kujdes të madh. Në prezantimet e librave të mi, unë mund ta përdorja prezencën e Albanit, për të pasur më tepër pjesëmarrje, por atëherë ai nuk do të ishte më takimi im, dhe njerëzit do të vinin për Albanin, kam dashur gjithnjë të ruaj identitetin tim.
 
Unë kam pasur fatin të jem në prezantimet e librave tuaj dhe vërtetë, asnjëherë nuk e kam vënë re prezencën e tij por megjithatë kam vënë re se përpos kësaj, pjesëmarrja ka qenë gjithnjë e madhe.
Realisht Albani gjithmonë ka dashur që të marrë pjesë në këto prezantime, por unë nuk kam pranuar për arsyen që përmenda edhe pak më lart. Por në fund të kësaj interviste, dua të them se unë jam vërtet krenar për të dhe ai për mua, duke qenë secili në fushën e tij. Ne jemi babë e bir dhe nga unë ai ka trashëguar genin dhe kjo duket edhe në tekstet e këngëve të tij, që ai i shkruan vetë.

Shkrimi u publikua sot (22.12.2013) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Ervin Hoxha merr detyrën si Ministër i Brendshëm: Prioritet reformimi i drejtuesve të Policisë

Ervin Hoxha merr detyrën si Ministër i Brendshëm: Prioritet reformimi i drejtuesve të Policisë