TIRANË- Në një takim ku në fokus ishte bujqësia dhe implementimi i teknologjisë në këtë fushë, kryeministri Edi Rama ua bëri të qartë fermerëve që asnjë prodhim bujqësor nuk mbetet pa u shitur nëse ata  prodhojnë duke pasur një strategji të qartë dhe duke i njohur mirë nevojat e tregut. Sipas Ramës, fermerët nuk duhet të mbajnë shpresa në subvencionet e mbijetesës, pasi ato nuk janë një zgjidhje e përhershme, por tashmë duhet kaluar në një stad tjetër, në mbështetjen e sipërmarrjeve të suksesshme, pa hequr dorë nga subvencionimet.

Konkretisht kreu i qeverisë u ndal tek qershitë e Dibrës, problematikë të cilën Report Tv e ka trajtuar problematikat e fermerëve të cilët thonë se u ka mbetur prodhimi pa shitur. Sipas tij, të njëjtin prodhim ka fermerë që e shesin, ndërkohë ka të tjerë që u mbetet, ndonëse operojnë në të njëjtin territor.

Rama thotë se kjo është një problematikë që ka të bëjë me mosinformimin e fermerëve, të cilët duhet të orientohen drejt dijes dhe nevoja të tregut, ndërsa u sugjeroi që të shkojnë të vizitojnë sipërmarrje të suksesshme dhe të mësojnë nga strategjitë e njëri-tjetrit.

Por një rol në informimin e fermerëve, Rama tha se duhet ta luajë edhe Ministria e Bujqësisë, e cila duhet të ndërtojë ura komunikimi mes tyre.

“E gjitha lidhet me dijen. Nuk ka nevojë të na dëgjoje ne, të shohin si bëjnë tjerët, dalin ca fermerë që hedhin qershitë se nuk i shesin sot, bërtasin për çmimet, subvencionet. Do ishte shqetësues nëse ndodh me gjithë Shqipërinë, në të njëjtin territor ka të tjerë që në këtë kohë bëjnë sukses, më shumë sukses si rezultat i rritjes së çmimeve. Cili është dallimi mes të parëve dhe të dytëve. Pse për të njëjtin vullnet përkushtim, disa e hedhin prodhimin dhe disa bëjnë të ardhura të larta, është i njëjti shtet, qeveri struktura, dobësi dhe ja ku janë dy realitete. Ca duhet bërë këtu, e para ata fermerë duhet të marrin mundimin dhe të shkojnë të tjerët dhe tu thonë si e bëni këtë dhe ta shikojnë atje sesi ndodh kjo dhe e dyta i takon ministrisë AZHBR që të ndërtojnë ura komunikimi, kanale informacioni për të transferuar dijen”, tha Rama.

E pranishme në takim ishte edhe ministrja e Bujqësisë Frida Krifca, e cila bëri me dije se po ndërtohet një portal online që do t’i shërbejë fermerëve për të marrë informacione për prodhimin, tregun si edhe politikat që do të ndiqen për bujqësinë.

“Në bashkëpunim me BERZH po ndërtojmë një portal në dispozicion të fermerëve dhe agrobizneseve me të dhëna për mundësitë e financimit, transparencë për politikat, ofrimin e informacioneve lidhur me tregun dhe prodhimin ne vend”, tha Krifca.

Kryeminsitri njoftoi një tjetër mbështetje për fermerët por nga ana tjetër do ndryshoj edhe skema e naftës, ku fermerët do sjellin dhe faturat e shitjeve të prodhimeve.

“Po bëhemi gati për financimin e radhës për fermerët. Naftën do e marrësh dhe do sjellësh dhe faturat dhe raporti që ke marrë naftën por ke prodhuar dhe ke shitur. Është një hap tjetër për tu hedhur”, tha Rama. 

Kreu i qeverisë ripërsërirti se synimi është arritja në 1 mld euro eksporte në bujqësi e peshkim. Ai komentoi edhe deklaratat e deputetit socialist Erion Braçe i cili thotë se numri i lopëve është ulur ndjeshëm. Rama ngriti pyetjen më thoni ku ikën lopët kur sot Shqipëria prodhon 97% të qumështit që konsumon.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:37
Braçe vijon replikën me Ramën: Unë nuk numëroj lopët! Iu besoj haureve bosh, më falni që nuk di të gënjej

Ish-zëvendëskryeministri Erjon Braçe ka vijuar replikën me kryeministrin Edi Rama, mbi numrin e lopëve dhe sasinë e qumështit të prodhuar. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Braçe i kthen përgjigje Ramës, ku ky i fundit tha se Shqipëria prodhon 97% të qumështit që konsumon. Në përgjigje të kësaj deklarate, ish.zv.kryeministri tha se shifrat i ka marrë nga INSTAT, institucion në të cilin për raste të tjera përdoret prej qeveritarëve si burim informacioni.

“Me falni qe nuk di te genjej! Une nuk numeroj lopet! Jo se e perbuz si pune, fare; thjesht nuk kam mundesi ta bej kudo. Une kam cituar drejt e pa asnje gabim INSTAT; nje institucion qe per statistika te tjera e ngreme ne qiell! INSTAT ne publikimin e tij, thote kudo: Purimi: ministria e bujqesise e zhvillimit rural.

Pra po them: Lopet i ka numeruar ministria edhe ne 2017, edhe ne 2018-fundit te tij i jam referuar une, edhe ne 2019, edhe ne 2020, edhe ne 2021! Burimi i INSTAT eshte ky numerim! Po ti numeroja une do ishin edhe me ndryshe, reale! E dini pse? Sepse midis nje ministri qe thote “nuk ka qene aq numri i lopeve se e shtoi ai qe ishte atehere per te vjedhur leket e vaksinave”, nje tjeter ministri qe argumenton edhe me thelle “lopet i kane ngrene turistet; erdhen shume, cfare hane ata”-ne te njejtat qeveri, une i besoj haureve bosh, deshmive te blegtoreve per numrin e lopeve qe kishin e kane, stallat e pergjysmuara apo edhe me pak; i besoj nje fshati te tere si Lifaj qe ka patur mbi 2000 krere lope e tani ka disa qindra!

Jane shume me te besueshem keta se pese ministra nga 2016-ta e ketej qe akuzojne njeri tjetrin se kane numeruar gabim lopet! Te dhenat e INSTAT jane ne linje e logjike; numri i lopeve ne renie, shoqerohet me sasine e qumeshtit prodhuar me pak; dhe nese numri i lopeve eshte numeruar nisur nga korrupsioni, litrat e qumeshtit te prodhuar kane si burim fabrikat e perpunimit, faturat, sipas INSTAT. (Ketu une perseri kam rezerva, po hajde)

Numrat e INSTAT mbeshteten ne ekonomi; nese me pare, cmimi i qumeshtit ne grumbullim ishte i ulet, ndryshimi i skemes se TVSH e beri te pagrumbullueshem ekonomikisht, pra te padobishme ekonomikisht mbajtjen e tufes, sot edhe pse cmimi eshte lart, eshte me pak se shpenzimet e ushqimit per lopet!
Thene keto, une mund te pranoj cdo arritje, cdo gje te mire te bere e nuk le rast pa e bere publik; por nuk genjej dot, kerkend, perfshire edhe kryeministrin!

Per dy arsye: E para, te genjesh eshte mungese respekti per tjetrin; e dyta, te genjesh nuk zgjidh problemin dhe kjo nuk shpeton kerkend, nuk i intereson kerkujt, as bujqve e blegtoreve”, shkruan Braçe.

Kjo përgjigje vjen pas deklaratës së Ramës në një takim mes ekspertësh shqiptarë e të huaj, me fermerët, agropërpunuesit, përfaqësues nga Shërbimi i Këshillimit dhe Qendrat e Transferimit të Teknologjive në vend, pedagogë dhe studentë nga Universiteti Bujqësor Tiranë, i cili tha se Shqipëria sot prodhon 97% të qumështit që konsumon e se nuk ka mundësi që numri i lopëve të jetë ulur.

Ora 14:00
Braçe: Boll! Llogaritë e rreme nuk u japin të ardhura bujqve! E ardhura për një dynym lakër sallatë është 3500 euro, jo 9000 euro

 

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar për problemet në sektorin bujqësor duke thënë se asnjë llogari e rreme nuk u sjell të ardhura bujqve. Në reagimin e tij në rrjete sociale, Braçe bëri një analizë dhe llogari për të ardhurat që fiton një bujk nëse mbjell një dynym serrë të thjeshtë me lakër sallatë. 

Braçe thotë se një dynym serë  ka 7000 bimë dhe produkti shkon nga 600 gramë në 1.2 kg dhe e gjithë e ardhura është 3500 euro, jo 8000-9000 euro.

"Boll! Llogaritë e rreme nuk u japin të ardhura bujqve! Sapo dëgjova një tregtar kastraveci për turshi që llogaria i kish thënë: me një dynyum serë të thjeshtë, një bujk nga lakra sallatë fiton 8000-9000 euro! Eeeeej, booooooll! Fotot janë të miat e i bëra në shkurt të këtij viti ne serën moderne të Visit në Divjakë. Llogaria është kjo: Një dynum serë ka 7000 bimë. Produkti shkon nga 600 gramë në 1.2 kilogramë.

Me kokrrën më të madhe, pra 1.2 kg, prodhimi arrin në 8400 kg. Cmimi këtë vit, caktuar nga tregtarë që operojnë në tregje të sofistikuara, ishte 30 lekë/kg. Por llogarinë po e bëj me cmimin 50 lekë/kg që të ndiheni edhe më mirë. E gjithë e ardhura nga një dynym serë me lakër sallatë është: 420.000 lekë ose 3500 euro!

Po ua fal të gjitha shpenzime, po e zë që Visit ja paguan të tjerët shpenzimet për mbjellje e kultivim. 9000 euro të ardhura bëhen vetëm nëse çmimi është dy herë e gjysmë më i lartë, pra 128 lekë/kg, jo 30 lekë/kg. Ndaj, ju lutem booooooooll!", shkruan Braçe.

Ora 11:25
Rama i përgjigjet Braçes: Më thuaj ku ikën lopët, sot Shqipëria prodhon 97% të qumështit që konsumon

 

Kryeministri Edi Rama ka komentuar postimin e deputetit socialist Erion Braçe i cili ka shkruar një ditë më parë se krahasuar me vitin 2018 kemi 65 mijë lopë, 250 mijë dele dhe 100 mijë dhi më pak.

Rama ngre pyetjen më thoni ku ikën lopët kur sot Shqipëria prodhon 97% të qumështit që konsumon.

“Shqipëria meqë kemi dëgjuar shumë, që qumështi falimentoi, ikën lopën, Shqipëria prodhon 97% të qumështit që konsumon. Më thoni ku ikët. Nëse shikojmë realitetin me shifrat e konsumit ne na dalin pyetje të tjera si bëhen statistikat, si janë regjistruar miliona lopa që u zhdukën, kanë ngordhur. 97% e qumështit që konsumohet në Shqipëri, prodhohet në vend”, tha Rama.

Ora 11:22
Rama: Duhet financim suksesi në bujqësi, jo subvencion mbijetese! Sipërmarrësit janë të suksesshëm, nuk e pranojnë se kanë para të padeklaruara

 

Kryeministri Edi Rama ka theksuar se është rritur prodhimi i grurit dhe theksoi idenë e tij për mënyrën e financimin që nuk e përfshin subvencionin. Sipas tij, subvencioni është mbijetesë në bujqësi dhe përsëritje e ciklit, ndaj duhet financim suksesi për krijimin e sipërmarrësve.

Për këta të fundit thotë se janë të suksesshëm por nuk e pranojnë se kanë shumë para të padeklaruara, ndaj thotë se do të bëjnë ligjin për amnistinë fiskale.

"Është rritur prodhimi i grurit në Shqipëri që do të thotë se sot jemi në kushtet kur mund të synojmë për shumë më tepër dhe patjetër që rastet e suksesit janë shumë domethënëse për shumë arsye, por unë do veçoja dy.

Së pari janë për të kuptuar të gjithë se çfarë potenciali ka pa hyrë fare shteti. Nuk është çështje e sasisë së parasë, por e mënyrës se si ne financojmë. Kemi bërë një ndryshim të konsiderueshëm në ndryshimin e financimit që ka sjellë ndryshim në realitet, edhe pse unë bashkë me Dhimon, ndryshe nga politikanët që na drejtojnë, mendojmë që mënyra e financimit duhet të thellohet në drejtim të financimit të suksesit, jo të subvencionit të mbijetesës.

Subvencioni i mbijetesës në bujqësi do të thotë përsëritje e ciklit të mbijetesës dhe pamundësi për të dalë nga ai rreth vicioz. Financimi i suksesit do të thotë krijimi i bujqësisë sipërmarrëse. Ata që janë nga komuniteti, janë sipërmarrës sot, nuk janë njerëz që mbushin tokën e trastën, shesin domate e patate te autostrada, por janë njerëz që bëjnë sukses financiar. Sipërmarrësit shqiptar po ti pyesësh nuk e pranojnë se kanë shumë të padeklaruara, prandaj do bëjmë amnistinë, por janë të suksesshëm. Vërtetë AZHBR por shikoni çfarë ka bërë. Është vepër arti, nuk është magazinë", tha Rama.