Nga e hëna e 3 qershorit, të gjithë prindërit që duan të regjistrojnë fëmijët e tyre në çerdhe publike do të kenë afat 1 javë që ta kryejnë këtë proces. Ndërsa për sa i përket regjistrimeve në kopsht, procedura e aplikimeve do të nisë me datë 10 qershor.
“Ditën e hënë, në datën 3 qershor, në të gjitha çerdhet e Tiranës fillon procedura e aplikimeve për të marrë shërbim nga shtatori dhe në vazhdim. Të gjithë të interesuarit zgjedhin një nga çerdhet e njësisë së tyre. Për sa i përket çerdheve do të kenë një javë afat për aplikim. Për kopshte 2 javë. Për sa ju takon prindërve që nuk i kanë frekuentuar çerdhet më parë, me datën 10 qershor, paraqiten në kopshte me të njëjtin dokumentacion si në çerdhe për të marrë shërbimin në shtator”, tha drejtoresha e çerdheve dhe kopshteve për Tiranën, Zhaneta Beqiri.
Drejtoresha e çerdheve dhe kopshteve për Tiranën, Zhaneta Beqiri tregon edhe dokumentet që duhet të kenë me vete prindërit në momentin e regjistrimit.
“Në momentin e aplikimit duhet të kenë me vete certifikatën e fëmijës, certifikatën familjare dhe vërtetimet e punës. I kërkojmë vërtetimet e punës sepse fillimisht e marrin të drejtën ata që janë në marrëdhënie pune, por të drejtën për të marrë shërbim e kanë të drejtën të gjithë. Të gjithë fëmijët kanë nevojë të socializohen. Gjatë vitit edhe në varësi të hapësirave të reja që krijohen në çerdhe, shtojmë dhe numrin e shërbimeve”, tregoi Beqiri.
Fluksi i kërkesave është i lartë, por ajo thotë se së shpejti do të shtohen kopshteve e çerdhet e reja në dispozicion të fëmijëve.
“Për sa u përket çerdheve, janë 2500 kuota të lira. Në 43 çerdhet ekzistuese. Këtyre çerdheve do ju shtohen dhe 2 çerdhe të reja, në njësinë 13 dhe 12. Rreth 200 fëmijë të rinj që shtohen në shërbim. Tek 2500-3000 mijë fëmijë në kopsht. Bashkia e Tiranës është duke parë mundësinë e marrjes së ambienteve me qira. Nuk mund të pritet 2-3 vite për tu ndërtuar godina të reja”, përfundoi ajo.
Prindërit paguajnë një tarifë vetëm për ditët që i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe apo kopshte. Konkretisht për çerdhet është 150 lekë/dita dhe për kopshtet 170 lekë. Ato do të jenë të hapura edhe përgjatë gjithë stinës së verës për t’u ardhur në ndihmë të gjithë prindërve.