Qese, bidona plastike, mbetje shtepiake, xhama te thyer e mbeturina ndertimi, jane hedhur kudo pergjate brigjeve te lumit Mat. Pamjet qe po shihni janë xhiruar në aksin rrugor Lezhe-Rubik, pranë fshatit Pllanë. Krahas pamjes aspak normale, djegia e tyre shkakton ndotje të konsiderueshme të ajrit.

Hedhja e mbetjeve, sipas banorëve, ndodh kryesisht gjatë orëve të natës. Ata kërkojnë më shumë vigjilencë dhe prani të institucioneve në këtë zonë, me qëllim parandalimin e ndotjes dhe identifikimin e autorëve.

"Janë këto firmat të hekurave që i hedhin natën", thotë një banor.

Bashkia Lezhë thotë se është në dijeni të problematikës, ndërsa e konsideron të vështirë monitorimin pasi nuk ka kamera në rrugë. Megjithatë premton se do pastrohen brigjet e lumit dhe personat që kapen duke hedhur plehra do të përballen me gjoba, madje dhe ndjekje penale.

"Disa automjete shfrytëzojënë rastin për të hedhur plehra, pasi në këtë zonë nuk ka kamera. Në zonë ndodhen fadroma që po merren me pastrimin e tyre", thotë nënkryetari Fatjon Zefi.

Hedhja e mbetjeve në brigjet e lumit Mat, si në pjesën e Lezhës ashtu edhe në atë të Kurbinit, vijon të mbetet një problem shqetësues prej vitesh. Përveç ndotjes së mjedisit, situata rëndohet edhe më tej nga djegia e vazhdueshme e tyre.