Qetësohen gjyqtarët e korruptuar
pezullohen procedurat e kontrollit

Qetësohen gjyqtarët e korruptuar<br />pezullohen procedurat e kontrollit
Rikthehet përkohësisht qetësia në sistemin e drejtësisë. Pezullohet çdo lëvizje dhe procedurë për zbatimin e ligjit të Vetingut. Në konflikt flagrant interesi, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ka vendosur dje të “ngrijë” një nga ligjet më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi, pikërisht ligjin e Vetingut, i cili parashikon të kalojë në skenar të trefishtë rreth 800 prokurorë dhe gjyqtarë, për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale. Në një kohë rekord pas kërkesës së Partisë Demokratike, Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë mbledhur dje në dhomën e këshillimit, duke vendosur pezullimin e ligjit për vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sipas burimeve, seanca ka qenë e tensionuar, ndërsa ka zgjatur dy orë.

Kushtetuesja ka vendosur t’i drejtohet Komisionit të Venecias, për t’u shprehur mbi pajtueshmërinë e ligjit me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Shqipërisë. Vetëm 20 ditë pas kërkesës së opozitës dhe në një kohë kur institucionet kishin nisur zyrtarisht lëvizjet për zbatimin e ligjit të Vetingut, Kushtetuesja ka pezulluar ligjin, duke “ngrirë” kësisoj çdo procedurë. “Pasi mori në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga kërkuesi për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në bazë të nenit 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, vendosi: Pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Kërkimin e amicus curia nga Komisioni i Venecias në lidhje me pajtueshmërinë e ligjit nr. 84/2016, datë 30.08.2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pranimin e kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve te Shqipërisë për të marrë pjesë në gjykim si subjekt i interesuar”, thuhet në njoftim.

Gjykata Kushtetuese ka pezulluar dje ligjin e Vetingut në konflikt flagrant interesi. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë njerëzit e parë të drejtësisë, objekt i veprimit të ligjit të Vetingut, ku duhet t’i nënshtrohen skanerit të trefishtë, për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale. Në pikën katër të nenit 4 të ligjit për Vetingun, thuhet se çështjet për rivlerësimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe për Prokurorin e Përgjithshëm do të trajtohen me përparësi në kohë nga institucionet e rivlerësimit. Pra, Kushtetuesja u shpreh dje për një ligj që parashikon kontrollin e trefishtë të anëtarëve të saj si dhe vendosjen e fatit të mandatit të tyre, në bazë të rezultatit të kontrollit.

Edhe pse i detyruar me ligj, kreu i shtetit vendosi të mos i hapë rrugë zbatimit të menjëhershëm të ligjit të Vetingut. Neni 7 pika 1 i ligjit parashikonte që Presidenti i Republikës shpallte menjëherë thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për pozicionet e të gjithë anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit në faqen zyrtare të internetit, si dhe në dy gazeta me tirazhin më të lartë në vend. Institucionet e rivlerësimit janë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe komisionerët publikë. Me sa duket, Nishani e ka pritur vendimin e Kushtetueses. Nga ana tjetër, krerët e ILDKP dhe DSIK firmosën urdhrat për procedurat e kontrollit të pasurive dhe kontrollit të figurës.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s’do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Elbasan/ Bleu karburant, me kartëmonedhë 100 euroshe false, arrestohet 35-vjeçari

Elbasan/ Bleu karburant, me kartëmonedhë 100 euroshe false, arrestohet 35-vjeçari