Kërkesës për qeveri besimi i është përgjigjur në një reagim të parë për mediat dhe Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i cili u shpreh se më tepër i beson policisë se sa politikës.
 
Këtë reagim Xhafaj e bëri nga akademia e sigurisë “Arben Zylyftari” ku nisën zyrtarisht kursin mbi 300 efektivë të rinj policie.
  
Për ta Xhafaj shpalosi dhe njëherë objektivin e qeverisë dhe ministrisë së brendshme që viti 2017 duhet të heq përfundimisht Shqipërinë nga harta e kultivimit të kanabisit.

"Ne i kemi shpallur luftë të hapur fenomenit të kanabisit dhe jemi zotuar ta luftojmë që në embrion, në mënyrë që Shqipëria të hiqet një herë e mirë nga lista e vendeve që kultivojnë kanabis. Në këtë luftë siç e kam bërë të qartë publikisht nuk do të bëjmë asnjë kompromis me trafikantët me abuzuesit e ligjit, me punonjës të korruptuar. Do ketë ndëshkim për çdo rrënjë kanabis të mbjellë dhe ky ndëshkim nuk do të bjerë vetëm mbi ata që do të tentojnë ta mbjellin, por edhe mbi ata që e lejojnë, që nuk informojnë dhe nuk luftojnë duke u bërë palë me këtë veprimtari kriminale. Qëndrimi i mbajtur pak ditë më parë në rastin e Komisariatit të Kurbinit do të jetë i njëjtë në çdo rast tjetër që do të konstatohet. Për cilin do punonjës të Policisë së Shtetit që bëhet palë me krimin, ndëshkimi ligjor do të jetë mjaft i rreptë, nga largimi i tyre nga radhët e Policisë së Shtetit dhe deri në ndjekje penale", u shpreh Xhafaj.
  
Ndalur tek ndryshimet në polici Xhafa sqaroi se brenda pak ditësh do të ketë me gazetarët një komunikim të rëndësishëm duke paralajmëruar se penalizimet e përdorura në rastin e shkrirjes së komisariatit të Kurbinit do të aplikohen kudo përfshi dhe policinë e Tiranës.
 
Në ceremoninë e zyrtare të nisjes së kursit bazë të policisë për 300 efektivët e rinj ra në sy dhe shfaqja publike e zv/ministrit të LSI Ilir Marko përkrah ministrit të ri të brendshëm Fatmir Xhafaj.