Në çelje të mbledhjes së sotme të Qeverisë se Kosoves, kryeministri Isa Mustafa pohoi se, "të hënën do të kemi një takim të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në të cilin do të nënshkruajmë shumë marrëveshje, që rregullojnë fusha të përbashkëta".
Më heret, Kryeministri Mustafa që në seancën e Kuvendit të zgjedhjes së qeverisë së re të Kosovës, ka pohuar se "do të përgatitet projekti për lidhjen hekurudhore me Shqipërinë" dhe "do të unifikojmë tregun energjetik me Shqipërinë dhe se bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri do t'i japim prioritet maksimal".
Po ashtu, Kryeministri Mustafa në muajin shkurt në mbledhjen e kabinetit qeveritar ka kërkuar nga ministrat që të përshpejtohen përgatitjet për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive. Në fillim të javës së kaluar, me ftesë të kryeministrit shqiptar Edi Rama,  ai zhvilloi vizitën e parë zyrtare në Tiranë, ndersa  disa ministra nga Shqipëria dhe Kosova kanë zhvilluar vizita e takime respektive në kryeqytetet e dy vendeve.
Gjithashtu, pas kthimit nga Tirana, Mustafa në mbledhjen e qeverisë, bëri të ditur se në takimet e zhvilluara është vlerësuar shumë pozitivisht bashkëpunimi i deritanishëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë. Kryeministri Mustafa është shprehur se në takimet në Tiranë është pritur me interes të lartë  bashkëpunimi ekonomik, bashkëpunimi në fushën e tregtisë, fushën e politikave doganore, tatimore, të nivelimit të tatimit dyfishtë, në fushën e arsimit, në fushën e kulturës, bashkëpunimi ynë ndërkombëtar edhe koordinimi i axhendës ndërkombëtare së bashku me Qeverinë e Shqipërisë si dhe koordinimi i axhendës së integrimeve evropiane në të cilën është punuar mjaft shumë"./atsh/