Qeveria kthen dënimet për shpifje
ndaj zyrtarëve: "Burg deri 3 vjet"

Qeveria kthen dënimet për shpifje<br />ndaj zyrtarëve:
TIRANE - Qeveria ka propozuar ndryshime të reja në Kodin Penal, që ashpërsojnë dënimin për shpifjen. Drafti i Këshillit të Ministrave do të nisë të diskutohet në komisionet parlamentare më datën 18 nëntor, ku relator do të jenë deputetët e PS  Ulsi Manja dhe Vasilika Hysi. Kjo vepër penale e dënuar deri më tani me gjobë, propozohet të ndryshohet kur bëhet fjalë për zyrtarët e lartë të emëruar apo të zgjedhur, duke e dënuar atë deri me 3 vjet burg. Nisma e cila është depozituar nga ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, parashikon ndryshime në nenin 238/a të Kodit Penal, ku saktësohet “Shpifja ndaj një funksionari të lartë shtetëror ose të zgjedhur”.

“Shpifja e kryer botërisht ndaj një funksionari të lartë shtetëror apo të zgjedhur, me qëllim atribuimin atij të një fakti që parashikohet nga ligji si vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”,-thuhet në projektligjin e qeverisë. Në relacionin shoqërues, sqarohen arsyet e këtij propozimi: “Ka një iniciativë të Kryeministrit të shprehur publikisht, të Këshillit të Ministrave po ashtu, për të riparë kuadrin ligjor në rastin e veprave penale të opinionit apo moralit, ku përfshihen veprat penale të fyerjes dhe të shpifjes, të parashikuara përkatësisht nga nenet 119 dhe 120 të Kodit Penal.

” Përmbajtja e dispozitave, në të cilat parashikohen këto dy vepra penale, posaçërisht dhe ajo e disa figurave të veçanta të këtyre veprave, i është nënshtruar rishikimit nga ana e ligjvënësit në vitin 2012, kur u vendos që veprat penale të “fyerjes” dhe të “shpifjes” të dekriminalizohen dhe vepra penale e “Shpifjes për shkak të detyrës”, që parashikohej nga neni 240 i Kodit Penal, të shfuqizohej, ndërkohë që vepra penale e “Fyerjes së gjyqtarit” nuk u shfuqizua, por ndryshoi vetëm maksimumi i dënimit të saj, nga 2 vjet burg në tre muaj burg.

Në diskutimet e asaj kohe, opozita, mazhoranca sot, nëpërmjet relatorit të saj në Komisionin përkatës Parlamentar të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe Çështjeve të Administratës Publike shprehu një qëndrim të kundërt sa i takonte depenalizimit të veprës penale të “Shpifjes për shkak të detyrës”, duke argumentuar qartësisht nevojën për ta pasur një dispozitë të tillë në Kodin tonë Penal,” -thuhet në relacionin e qeverisë. Këto ndryshime të bëra dy vite më parë, qeveria i konsideron të parakohshme dhe mendon se kanë nxitur shpifjen.

“Shfuqizimi i kësaj vepre penale, kur kanë kaluar pothuaj tre vjet, parë i lidhur ngushtë me praktikën, rastet e rënda të ndodhjes së kësaj vepre dhe mungesës së ndëshkimit të plotë të saj, edhe në të vetmen rrugë ligjore atë civile, konfirmon qartë dhe pa asnjë dyshim se ky ishte një veprim jo thjesht i parakohshëm, por me një impakt tërësisht negativ, pasi ka nxitur në mënyrën më ekstreme shpifjen në emër të lirisë së shprehjes, shpifjen duke i atribuuar dikujt tjetër pa asnjë hezitim kryerjen e veprave nga më të rëndat penale, ndërkohë që dihet me siguri se faktet e prezumuara si të tilla janë tërësisht të abuzive”-vijon relacioni.

Shqipëria e dekriminalizoi pjesërisht shpifjen në vitin 2012 pas një lobimi të gjatë të shoqërisë civile. Por ndryshe nga klauzolat e mëparshme që dënonin shpifjen me burg, propozimi i ri i qeverisë është i kufizuar vetëm te shpifja që bëhet ndaj “zyrtarëve të lartë publikë” dhe ndërhyrja bëhet në atë pjesë të kodit penal që flet gjithashtu për krime të tjera të rënda si kryengritja e armatosur kundër shtetit apo tradhtia.

Ishte
“Shpifja e kryer botërisht ndaj një funksionari të lartë shtetëror apo të zgjedhur, me qëllim atribuimin atij të një fakti që parashikohet nga ligji si vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit”.

Kërkohet
“Shpifja e kryer botërisht ndaj një funksionari të lartë shtetëror apo të zgjedhur, me qëllim atribuimin atij të një fakti që parashikohet nga ligji si vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”.
neni

ligji



Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vendimet e Qeverisë/ Vlerësohen me pension të posaçëm shtetëror 15 personalitete nga fusha e artit, kulturës, muzikës dhe sportit! Ja sa do marrin dhe EMRAT

Vendimet e Qeverisë/ Vlerësohen me pension të posaçëm shtetëror 15 personalitete nga fusha e artit, kulturës, muzikës dhe sportit! Ja sa do marrin dhe EMRAT