VLORË- Operatorët turistikë, artistët dhe pronarët e shumë loungeve, apo lokaleve të natës po protestojnë në Lungomare pas vendimit për mbylljen e club-eve, lokaleve të natës e  lounge-ve për shkak të shfrenimit të tyre dhe mosrespektimit të masave të parandalimit të pandemisë së COVID-it.

Ata janë mbledhur për të kundërshtuar vendimin e qeverisë, pasi kjo prek drejtpërdrejt punën e tyre dhe të ardhurat ekonomike. Me banderolën  "Vlora proteston na lini të shërbejmë" ata kërkojnë tërheqjen e qeverisë nga ky vendim i marrë më 20 korrik.

Rreth  80 subjekte preken në Vlorë nga ky akt normativ i vendosur nga qeveria për të parandaluar përhapjen e pandemisë së COVID-19. Ata parashtrojnë kërkesat për ndryshime në aktin normativ ndërsa paralajmërojnë përshkallëzim të protestës. Artistët thonë se qeveria mund të marrë minimalisht  parasysh suportimin e këtij sektori me përfshirje në paketën fiskale. Protestuesit shprehen se lokalet e natës në Vlorë vetëm një muaj punojnë, kurse gjithë pjesën tjetër të vitit jo.

"Jemi shumë të penalizuar nga situata, të gjithë fajësojmë qeverinë, por ajo duhet të na ndihmojë jo të na penalizojë, kjo është kërkesa që po bëjmë në protestën e sotme. Mbyllja është falimentim për çdo biznes në të gjithë Shqipërinë. Ne sapo përgatiteshim kundrejt masave që kishte dhënë qeveria por na penalizoi më shumë se sa mendonim. njerëzit nuk duan që të pinë kafe e të shohin policin. Protestat duhet të bëhen në të gjithë Shqipërinë", tha një protestues.

"Apeli që kam për qeverinë, të ulet me këmbë në tokë mos t'i presë gjërat me sëpatë", tha një tjetër.

"Ky akt i ri normativ dëmton kjo vetëm biznesin në Lungomare por gjithë turizmin, kryesisht loung-et, baret, pub-et ajo pak jetë e natës që në 2-3 orë operon është në kaos. Në orën 9 që fillon biznesi këta thonë mbylle. Aq më tepër Vlora që vetëm një muaj shfrytëzon. Jemi të gjithë duke shprehur në mënyrë paqësore këtë indinjatë", tha një protestues tjetër.

Qeveria mori vendimin më 20 korrik që hapja e loungeve, pubeve, lokaleve të natës në këtë kohë që vendi po përballet me shifra të larta të prekurish me COVID do të gjobitet me 3 milionë lekë dhe një vit pezullim. Kurse muzika pas orës 20:00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdo lloji ndalohet dhe nëse vendimi nuk zbatohet subjekti gjobitet me 1 milion lekë dhe 6 muaj pezullim. Shoqata e Bareve e e cilëson këtë vendim absurd, duke shtuar se vatër e virusit nuk janë baret dhe clube-t por spitalet Covid. Kurse kryeministri Rama i është kundërpërgjigjur duke theksuar se ato nuk janë lejuar asnjë ditë të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Ata gjithashtu zhvilluan protesta në Tiranë prej dy ditësh para Kryeministrisë kundër këtij vendimi, ku u vunë nën hetim 5 organizatorët.