"Sakrificën tani duhet ta bëjë shteti dhe jo biznesi". Kështu është shprehur biznesmeni Luan Bregasi, duke u rreshtuar krah zërave të shumtë që kanë dalë kundër aktit normativ të qeverisë për të ndaluar muzikën në të gjitha lokale pas orës 20:00 si dhe për pezulluar aktivitetin e lokaleve të natës.

Bregasi shprehet se shteti ka për të detyrë të ushtrojë kontrolle dhe të mbyllë vetëm ata që kapen në shkelje. "Shteti të zbatojë fort rregullat jo të gjobiten. Shteti duhet të marrë kontrollin".

Nga Vlora, kreu i shoqatës Biznes Albania tha se industria e turizmit është më e dëmtuara në vend, ndaj masat e fundit të qeverisë po rëndojnë krizën ekonomike. Operatorët turistikë në Velipojë dolën publikisht kundër vendimit për mbylljen e lokaleve të natës.

Ata shprehen se kanë marrë leje në bashkinë e Shkodrës për të mbajtur muzikën në lokale deri në mesnatë. Ndërsa një tjetër operator tha se nëse qeveria nuk tërhiqet bizneset në plazh do të falimentojë, duke shtuar numrin e  të papunëve.

Akti normativ u njoftua të hënën nga ministrja Manastirliu e cila tha se për shkak të injorimit të masave anti-covid do të mbyllen pa afat klubet e natës, diskove, lounge bareve.