TIRANË- Pesë ditët e fundit, çmimi i naftës në Shqipëri, është i fiksuar, në vlerat 214 lekë në pjesën më të madhe të pikave dhe 217 lekë për litër në disa të tjera. Çmimi nuk ka ndryshuar pavarësisht luhatjeve të forta në bursë, veçanërisht pas deklaratave të presidentit të SHBA, Donald Trump se ka pasur bisedime pozitive me Iranin dhe njoftoi ndalimin e bombardimeve ndaj strukturave energjetike. Nafta në bursë arriti deri 117 dollarë fuçia më 19 mars, por këtë të hënë ka rënë në 100 dollarë, edhe pse në tregun vendas nuk ka pasur asnjë ndryshim.

Çmimet duke nisur nga kjo javë pritet të caktohen nga Bordi i Transparencës i cili është zyrtarisht në fuqi prej mbrëmjes të së enjtes. Në vendimin e 19 marsit që mban firmën e kryeministrit Edi Rama thuhet se tashmë çmimet e naftës, gazit dhe benzinës do të caktohen nga Bordi i Transparencës.

Anëtarët e bordit do të caktohen më 24 mars, kur është edhe dita e fundit që kanë institucionet dhe kompanitë e shumicës dhe të pakicës së tregtimit të karburantit për të njoftuar Ministrinë e Ekonomisë për përfaqësuesit e tyre në përbërje të këtij bordi.

“Çmimet, që përcaktohen nga Bordi gjatë situatës së veçantë, janë të detyrueshme për të gjitha subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e tregtimit të nënprodukteve të naftës dhe të gazit në vend, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi”, thuhet në vendim.

Çmimet bordi i cakton duke marrë në konsideratë bursës, vlerën në zhdoganim, koston e transportit dhe fitimin e kompanive, që do të jetë 3 lekë për shumicën dhe 12 lekë për litër për pakicën. Të gjithë ata që nuk i respektojnë do të ndëshkohen, me gjoba e deri tek pezullim i licencave të tyre. Ky vendim i qeverisë për shpalljen e gjendjes së veçantë në tregtimin e hidrokarbureve do të jetë në fuqi pa afat.

Një tjetër ndërhyrje e qeverisë që mund të ulë pakëz çmimin, ulja me 20% e akcizës, nëse çmimi do të kapërcejë 220 lekë për litër. Aktualisht në një litër naftë akciza është 38.8 lekë, dhe me këtu ulje zbret në 31 lekë për litër.

Paralelisht do të vijojë punë edhe Task-Forca për kontrollin tërësor të sektorit, për të mos lejuar spekulimet me çmimet por edhe evazionin, si dhe nuk do të ndalet as monitorimi ditor i pikave të shumicës dhe pakicës.