Qeveria po përgatit një kuadër të ri për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, që do të zëvendësojë ligjin e vitit 2020, me ndryshime që prekin më shumë se gjysmën e përmbajtjes së tij.

Projektligji i ri “Prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë” është hartuar pas komenteve të Komisionit Europian dhe vlerësimit të SIGMA-s, sipas të cilit kuadri shqiptar ishte ndërtuar sipas Direktivës europiane 2009/81/KE, por ishte vetëm pjesërisht i përafruar me të. Ndryshimet prekin që nga rastet kur tenderët e mbrojtjes mund të përjashtohen nga procedurat e zakonshme, deri te mënyra e konkurrimit, tenderët pa shpallje, ankimet dhe pavlefshmëria e kontratave.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme është ngushtimi i rasteve që mund të përjashtohen nga zbatimi i ligjit.

Në ligjin aktual përjashtohen në mënyrë të përgjithshme, ndër të tjera, prokurimet që realizohen nëpërmjet agjencive të NATO-s ose organizatave ndërkombëtare, të gjitha prokurimet në rast krizash apo situatash ekstreme të sigurisë kombëtare, si dhe blerja e pajisjeve dhe mjeteve ushtarake, armëve, municioneve dhe materialeve luftarake.

Projektligji i ri i heq këto përjashtime të përgjithshme. Kontratat që ndjekin rregulla të posaçme të organizatave ndërkombëtare do të trajtohen sipas kushteve specifike të marrëveshjes përkatëse, ndërsa pajisjet ushtarake konsiderohen pjesë e objektit kryesor të ligjit dhe nuk mund të përjashtohen automatikisht nga rregullat e tij. Gjithashtu, ligji parashikon që aktet nënligjore nuk mund të krijojnë përjashtime të reja apo të zgjerojnë ato që përcaktohen në ligj.

Procedurë e thjeshtuar për kontratat me vlerë më të ulët

Një tjetër risi është krijimi i një procedure të thjeshtuar të prokurimit për kontratat me vlerë më të ulët.

Ligji i ri parashikon tri kategori kufijsh monetarë: kufirin e lartë, kufirin e ulët dhe një kufi të posaçëm për procedurën e thjeshtuar. Vlerat konkrete nuk përcaktohen në ligj, por do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, duke marrë në konsideratë edhe pragjet europiane.

Për kontratat nën kufirin e ulët monetar do të mund të përdoret procedura e thjeshtuar, një instrument që mungon në ligjin aktual. Për kontratat e tjera, procedurat kryesore mbeten ajo e kufizuar dhe negocimi me shpallje paraprake, ndërsa dialogu konkurrues do të përdoret për kontrata veçanërisht komplekse.

Tenderët pa shpallje, vetëm në raste të përcaktuara

Projektligji ruan mundësinë e negocimit pa shpallje paraprake, por kërkon që përdorimi i tij të argumentohet në urdhrin e prokurimit dhe më pas arsyetimi të bëhet pjesë e njoftimit të fituesit.

Kjo procedurë mund të përdoret, ndër të tjera, kur një tender i mëparshëm nuk ka marrë oferta, kur ofertat janë të papranueshme, kur ekziston një urgjencë e shkaktuar nga kriza, në raste ekstreme të paparashikueshme ose kur kontrata mund të realizohet vetëm nga një operator për arsye teknike apo për shkak të të drejtave ekskluzive.

Për punët dhe shërbimet shtesë, vlera e prokuruar në këtë mënyrë nuk mund të kalojë 50% të kontratës fillestare. Projektligji kërkon gjithashtu që këto punë apo shërbime të jenë teknikisht ose ekonomikisht të pandashme nga kontrata fillestare.

Marrëveshjet kuadër mund të zgjasin shtatë vjet

Ndryshime parashikohen edhe për marrëveshjet kuadër. Afati normal maksimal rritet nga pesë në shtatë vjet, ndërsa në rrethana të jashtëzakonshme mund të jetë edhe më i gjatë.

Përjashtimi duhet të lidhet me jetëgjatësinë e mallrave, instalimeve ose sistemeve dhe me vështirësitë teknike që mund të krijojë ndryshimi i furnizuesit. Në këto raste, autoriteti duhet të argumentojë pse marrëveshja ka nevojë për një afat më të gjatë.

Më shumë detyrime për publikimin

Projektligji forcon edhe disa prej kërkesave për publikimin e procedurave.

Për procedurën e kufizuar, dialogun konkurrues dhe negocimin me shpallje paraprake kërkohet njoftim publik. Autoriteti duhet të publikojë fituesin brenda pesë ditëve nga klasifikimi përfundimtar dhe nënshkrimin e kontratës brenda pesë ditëve nga lidhja e saj.

Megjithatë, për shkak të natyrës së sektorit, informacioni mund të mos publikohet kur cenon interesat e mbrojtjes dhe sigurisë, interesin publik, interesat legjitime tregtare ose konkurrencën. Informacioni i klasifikuar nuk mund të përfshihet në njoftimet publike.

Në praktikë, edhe aktualisht një pjesë e prokurimeve në këtë sektor bëhen publike. Ministria e Mbrojtjes njofton se informacioni që mund të bëhet publik për prokurimet sipas ligjit nr. 36/2020 publikohet në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik dhe në faqen e ministrisë.

Ndër procedurat e publikuara së fundmi është tenderi për infrastrukturën e Bazës Ajrore të Kuçovës, me fond limit rreth 732 milionë lekë pa TVSH, i klasifikuar në nivelin “konfidencial”. Procedura ishte hapur sipas ligjit aktual nr. 36/2020 dhe më pas rezulton e anuluar në faqen e Ministrisë së Mbrojtjes.

Operatorët do të mund të ankohen edhe kur tenderi anulohet

Një ndryshim me rëndësi për kompanitë pjesëmarrëse është zgjerimi i së drejtës së ankimit.

Ligji aktual nuk parashikon shprehimisht të drejtën e operatorit ekonomik për të kundërshtuar vendimin e autoritetit për anulimin e procedurës. Projektligji e shton këtë mundësi, krahas ankimeve për dokumentet e tenderit dhe vlerësimin apo klasifikimin e ofertave.

Rregullat për ankimet dhe mjetet juridike kanë qenë ndër pikat ku SIGMA kishte evidentuar mangësi në përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë europian.

Kontratat mund të shpallen të pavlefshme, gjoba deri në 10%

Projektligji shton edhe rregulla më të hollësishme për pavlefshmërinë e kontratave.

Një kontratë mund të konsiderohet e pavlefshme, ndër të tjera, kur është lidhur pa njoftim paraprak në kundërshtim me ligjin ose kur shkeljet e procedurës së ankimit, të shoqëruara me shkelje të tjera, kanë ndikuar në mundësinë e një ofertuesi për të fituar kontratën.

Kërkesa për pavlefshmëri mund të bëhet brenda 30 ditëve në rastet kur është publikuar njoftimi përkatës dhe, në raste të tjera, deri në gjashtë muaj pas lidhjes së kontratës.

Megjithatë, për arsye mbizotëruese të interesit publik, sidomos për interesa të mbrojtjes ose sigurisë, Komisioni i Prokurimit Publik mund të vendosë që kontrata të vazhdojë të ketë efekt. Në këtë rast mund të vendosen masa alternative, përfshirë gjobë deri në 10% të vlerës së kontratës ose shkurtimin e kohëzgjatjes së saj.

Ligji i ri përbëhet nga 80 nene dhe, sipas relacionit, ndryshimet janë aq të gjera sa u vlerësua e pamjaftueshme ndërhyrja me amendime në ligjin ekzistues. Pas miratimit, ligji nr. 36/2020 do të shfuqizohet. Aktet nënligjore duhet të miratohen brenda gjashtë muajve dhe regjimi i ri do të fillojë të prodhojë efekte gjashtë muaj pas hyrjes së ligjit në fuqi./Monitor 

Kliko këtu për të lexuar projektligjin