Çështja e Aeroportit të Vlorës rrezikon të përfundojë në arbritrazh. Pas njoftimit të qeverisë se kanë nisur procedurat për anulimin e kontratës koncesionare të Aeroportit pasi u shkelën afatet për mbylljen e punimeve, pronari i njërës prej dy kompanive që do ta ndërtonte atë, Behgjet Pacolli i MABCO njofton se ka marrë në duar shkresën zyrtare të ministrisë së Infrastrukturës, por paralajmëron se se do ta dërgojë në Gjykatën e Arbitrazhit. 

“Shteti shqiptar po zgjedh me vetëdije rrugën e arbitrazhit ndërkombëtar. MABCO ka bërë çdo përpjekje për ta shmangur këtë skenar dhe për të gjetur një zgjidhje institucionale”, thotë ai.

Ai akuzon institucionet për qëndrim paradoksal, pasi thotë se fillimisht penguan përfundimin e projektit dhe tani po përdorin pikërisht këto vonesa si argument për zgjidhjen e kontratës.

“Ky arbitrazh do të jetë pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhencës, veprimeve të kundërligjshme dhe papërgjegjshmërisë së disa përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, e veprimeve të elementëve që, nën mbulesën e institucioneve, kanë vepruar jashtë ligjit, si dhe e dështimit të një sistemi drejtësie të ndikuar për të garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të investitorit”, shprehet Pacolli.

Faturë të rëndë në arbitrazh, paralajmëroi edhe opozita, përmes kreut të saj Sali Berishës.

“Po prishin një kontratë për të cilën garantojnë qytetarët e këtij vendi se do gjobiten më së paku 500 milionë euro”, tha Berisha.

Puna në Aeroportin e Vlorës nisi në nëntor të vitit 2021, dhe ishte parashikuar të përfundonte në muajin shkurt të vitit 2026. Pasi kjo nuk u arrit, kontrata parashikonte edhe një afat 90 ditor për përfundimin e punimeve.

Mosmarrëveshjeve e përkthyera në beteja të shumta ligjore mes  dy kompanive ‘Mabco’ e Behgjet Pacollit dhe ‘2A Group’ e Valon Ademit, detyruan qeverinë që në fund të muajit maj të vendosë një ultimatum 30 ditor për zgjidhjen e konflikteve.

Në lëvizjen e fundit, Ministria e Infrastrukturës tashmë nisi procedurat e anulimit të kontratës koncesionare, duke synuar që administrimin e Aeroportit të Vlorës ta marrë në dorë shteti, ndonëse kjo do të kërkonte për procedura të shumta ligjore dhe një kohë të gjatë për t’u realizuar. Për këtë vendim, ende nuk ka një reagim nga kompania 2A Group.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:18
Anulimi i kontratës koncensionare për Aeroportin e Vlorës, reagon Pacolli: MABCO mori sot shkresën zyrtare, veprim që do t’i heqë investitorit të drejtat

Behgjet Pacolli ka reaguar lidhur me nismën e qeverisë për zgjidhjen e kontratës koncensionare për Aeroportin e Vlorës duke bërë me dije se ditën e sotme, MABCO Constructions SA është njoftuar përmes shkresës zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Pacolli shkruan se ky veprim synon t’i heqë investitorit të drejtat që burojnë nga kontrata.

Reagimi i plotë:

Sot MABCO Constructions SA mori edhe shkresën zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, me të cilën është iniciuar procedura për zgjidhjen e Kontratës së Koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Në thelb, ky veprim synon t’i heqë investitorit të drejtat që burojnë nga kontrata e partneritetit publik-privat më e madhe e realizuar ndonjëherë në Shqipëri.

Fatkeqësisht, kjo nuk është më një surprizë. Shumë njerëz e kishin kuptuar që në gusht të vitit 2025 drejtimin që po merrte kjo çështje. Unë, megjithatë, i udhëhequr nga besimi, shpresa dhe respekti për Shqipërinë, refuzova ta besoja se institucionet shtetërore do të lejonin degradimin e shtetit të së drejtës deri në këtë pikë. Për më shumë se një vit, zgjodhëm dialogun dhe rrugën institucionale, duke bërë çdo përpjekje për të shmangur një konflikt ndërkombëtar.

Gjatë kësaj kohe u përballëm me ngjarje që në një shtet ligjor nuk do të duhej të ndodhnin kurrë: tentativa për tjetërsimin e kuotave të investitorit, masa gjyqësore kontradiktore, përjashtimin e paligjshëm të MABCO-s nga administrimi i investimit dhe, në fund, bllokimin fizik të aksesit në kantier nga grupe që vepronin jashtë ligjit, ndërsa institucionet shtetërore jo vetëm që nuk ndërhynë për të rivendosur ligjshmërinë, por në praktikë toleruan vazhdimin e kësaj situate.

Pikërisht në kohën kur projekti kishte hyrë në fazën përfundimtare dhe ndodhej vetëm pak para certifikimit, investitori u pengua të përmbushte detyrimet e tij kontraktore. Sot, paradoksalisht, po përdoren si argument kundër MABCO-s pikërisht pasojat e pengesave që u krijuan ose u toleruan nga vetë institucionet shtetërore.

Ky veprim bie ndesh me vendimin e Gjykatës së Lartë, me Kontratën e Koncesionit, me Marrëveshjen Dypalëshe ndërmjet Konfederatës Zvicerane dhe Republikës së Shqipërisë për Mbrojtjen e Investimeve, si dhe me një nga parimet më themelore të së drejtës: askush nuk mund të krijojë vetë pengesën dhe më pas të përfitojë juridikisht prej saj.

Edhe shkresa e Ministrisë, për fat të keq, përmban pretendime që nuk përputhen me faktet, me dokumentacionin  dhe me realitetin e projektit. Ajo mbështetet në konkluzione që, sipas vlerësimit tonë, nuk kanë bazë faktike dhe juridike.

Dua të kujtoj edhe një fakt me rëndësi thelbësore. Që nga gushti i vitit 2025 kemi kërkuar zyrtarisht dhe në mënyrë të përsëritur që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të autorizojë një auditim të pavarur ndërkombëtar teknik dhe financiar për çdo euro të investuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, pavarësisht se nga kush është investuar. Kjo kërkesë është refuzuar ose injoruar vazhdimisht.

Po kështu, kallëzimet penale të paraqitura për veprime të dyshuara të kundërligjshme nuk kanë marrë ende një trajtim efektiv nga organet kompetente. Kjo situatë ka cenuar rëndë sigurinë juridike dhe besimin e investitorëve në funksionimin e shtetit të së drejtës.

Unë nuk kam dëshiruar kurrë që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë pasojat e veprimeve ose mosveprimeve të disa zyrtarëve. Megjithatë, në rrethanat e krijuara, MABCO nuk ka më asnjë alternativë tjetër përveç mbrojtjes së të drejtave të saj me të gjitha mjetet juridike që parashikojnë kontrata dhe e drejta ndërkombëtare.

Në arbitrazhin që po bëhet i pashmangshëm, MABCO do të paraqesë të gjitha faktet, provat dhe dokumentacionin që disponon. Nuk kam dyshim se ky proces do të nxjerrë në dritë të vërtetën.

Ky nuk është një konflikt që MABCO e ka kërkuar.

Është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve dhe mosveprimeve të atyre institucioneve që kishin detyrimin ligjor të mbronin shtetin e së drejtës, kontratën dhe investimin.