TIRANË- Qeveria ka vendosur të japë një shpërblim për pensionistët këtë fundvit, pavarësisht se vështirësive në buxhetin e shtetit për shkak të tërmetit dhe pandemisë së COVID-19. Gazetarja e Report Tv, Eliza Gjediku raporton se shifra nuk është përcaktuar ende, por po diskutohet të jetë 3 mijë lekë ose 5 mijë lekë, që mund t'i kushtojë buxhetit të shtetit nga 2-3.3 mld lekë. Nga rishikimi i buxhetit 2020 për herë të katërt, do përcaktohet edhe shuma që do u jepet.

Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Sigurimeve shoqërore deri në qershor të këtij viti janë gjithsej 657.904 pensionistë, 539.289 urban dhe 118.615 rural.

"Ministria e Financave dhe Ekonomisë është duke llogaritur masën e fondit/bonusit që do të parashikohet për t'u shpërndarë për kategorinë e pensionistëve dhe për të këtë do të shprehen më konkretisht në Aktin Normativ", thonë burime zyrtare nga Ministria. 

Mbetet për t'u përcaktuar edhe teknikalitetet se si do të bëhet marrja e këtyre shpërblimeve, nëse do u jepet pensionistëve me postë apo nëse do përfshihet në pensionin e muajit, për shkak të situatës pandemike me të cilën po përballet vendi.