FUSHE-KRUJE- Lumi Ishëm, i cili formohet nga bashkimi i Lumit të Tiranës dhe përrenjve Tërkuza e Zeza gjarpëron nëpër fshatrat e Tiranës, Fushe-Krujës e Durrësit dhe derdhet në Kepin e Rodonit. Pamjet që po shihni në ekran i përkasin zonës së Rinasit dhe Dervenit ku ndotja është katastrofike. I ngjan një landifilli masiv në natyrë ku gjen gjithëfarëlloj mbetjesh, sidomos plastika.

Po kështu fabrikat që ndodhen në zonën e Rinasit shkarkojnë mbetjet në lumë, duke shkaktuar ndotje kimike e bakteriologjike.

Është i vetmi lum, ku institucionet nuk kanë ndërhyrë asnjëherë në tre dekadat e fundit, edhe pse media disa here e ka ngritur këtë shqetësim madhor.

Banorët e fshatrave Derven e Rinas, të cilët kanë shtëpitë pranë brigjeve të lumit Ishëm thonë se dikur ujin e përdornin për vaditje, ndërsa tashmë jo vetëm që nuk përdoret por është kthyer në kërcënim serioz për shëndetin e tyre për shkak të nivelit të lartë të kimikateve në të.

“Në kohën e komunizmit uji i lumit përdoret për vaditjen e tokave. Ne laheshim në të, aq i pastër ishte sa dukeshin gurët në fund të lumit”, tha një banor.  Vjen ere e keqe shumë, bidonë e cdo lloj mbetjesh hidhen këtu”, tha një tjetër.

Lumi Ishëm është konsideruar shpesh dhe si një ndër burimet më të mëdha të ndotjes së detit Adriatik, veçanërisht për plazhet e Durrësit të cilat ndodhen vetëm pak kilometra larg grykëderdhjes së tij.  Ujërat e zeza që hidhen në të, por edhe mbetjet kimike, kanë zhdukur florën dhe faunën. 

“I bëjmë thirrje Qeverisë e z. Rama të pastrojë lumin se po sëmuremi nga ky llum i zi”, shprehet ai.

Ministria e Mjedisit dhe Turizmit para 5 vitesh ka hartuar një dokument me 100 faqe, të quajtur  “Vlerësimi strategjik mjedisor për grykëderdhjen e Ishmit”, ku ndër të tjera thuhet se “dy nga ndërhyrjet kryesore janë trajtimi i ujërave të ndotur dhe trajtimi i mbetjeve urbane në basen pa të cilat zhvillimi i zonës nuk do të bëhej i mundur".

Por ky masterplan për ta shpëtuar Ishmin nga ndotja ka mbetur vetëm në letër!