Qindra ish të përndjekur janë të privuar sot nga njohja e viteve të punës së detyruar nëpër miniera gjatë epokës së komunizmit.

Në të kundërt të minatorëve të sotëm, atyre nuk u njihet e drejta as për shtesë pensioni për shkak të punës së vështirë, por as edhe ulja e moshës në 55 vjeç.

"Shteti nuk e njeh punën e minierës, dihet kur kam qenë në burg kam punuar në galeri"

"Kam bërë punë 15 vite në burgun e Spaçit, në miniera punë të detyruar. Në momentin që dolëm në 91 nga burgu kam qenë i ri 34- vjeç, tani kam kohën për të marrë pensionin dhe nuk na e japin të drejtën e pensionit. Është bërë drafti ka një vit e gjysmë por po mbahet nëpër sirtarë. Ne kërkojmë edhe një herë nga ministria e përkrahjes sociale ta kalojnë sa më shpejt draftin sepse edhe mosha po na ikën. Kemi punuar në minierat e Spaçit dhe kemi nxjerrë me tonelata ar"
- shprehen ish të përndjekurit.  

 Agron Hoxha, specialist pranë Institutit të Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë thotë se shkak për këtë është fakti se nuk mund të dokumentojnë punën nëpër miniera, dhe këto vite pune nuk u merren parasysh në llogaritjen e pensionit.

"Gjithë të burgosurit që kanë punuar nëpër miniera e Spaçit dhe Qafë Barit kanë punuar në nëntokë. Të burgosurit kërkojnë të përfitojnë këtë të drejtë që është dhe legjitime, pra ata kërkojnë të trajtohen tek puna më e vështirë. Pra duke qenë në nëntokë të përfitojnë ashtu siç është ligji sot. Ne duke qenë të burgosur politik nuk kemi punuar dmth nuk jemi dënuar me punë të detyruar por me jemi dënuar thjesht me burg politik. Kështu që ne nuk mund ta gjejmë dot, sepse edhe arkivat janë djegur të Drejtorive të Minierave, nuk janë më dhe unë nuk e vërtetojë dot psh që në Spaç kam bërë 12 vjet e 6 muaj punë", shprehet Hoxha.  

Ish të përndjekurit thonë se kanë kontaktuar me institucionet përkatëse, nga të cilat kanë marrë përgjigjen se prej rreth dy vjetësh është gati një draft-ligj për njohjen e punës në miniera. Por, sipas tyre, drafti ka ngecur në Ministrinë e Financave e cila duhet të vlerësojë kostot që do të ketë miratimi i tij në buxhetin e shtetit për të proceduar më pas me miratimin e tij.


Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)