Marrja e një prone me qira po kushton më shumë këtë vit. Shifrat e INSTAT tregojnë se veç ndikimit të luftës në Iran, shtrenjtimi i qirave është një nga faktorët kryesor që po mban të lartë inflacionin.

Në muajin e kaluar marrja e një apartamenti me qira sipas raportit ishte 7.1% më kushtueshme se prilli i 2025-ës. Në raport me janar-shkurt të këtij viti, qiratë e ngadalësuan rritjen, pasi në këtë dymujor shtrenjtim ishte 8.5% thotë INSTAT.

Por si periudhë 4-mujore shtrenjtimi është më i larti historik. Në janar-prill të këtij viti rezulton se çmimet e qirave u rritën me 7.8%, shifër që është 4 herë më e lartë se vjet.

Çmimet e qirave
Janar-Prill 2024      4.4%
Janar-Prill 2025      1.6%
Janar-Prill 2026      7.8%

Ekspertët e tregut të pasurive të patundshme vlerësojnë se në treg po ndodh një efekt zinxhir. Blerja e apartamenteve për t’i dhënë më pas me qira po e shtrenjton e tregun e qiradhënies.

Ndërkohë Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e inflacionit të çmimit të qirave po ndikohet nga dy faktorë. Ka pak apartamente në treg për qira afatgjatë, pasi pjesa dërrmuese janë kthyer në qira ditore apo javore në shërbim të sezonit turistik, dhe faktori i dytë është kursi i këmbimit.

Me zhvlerësimin e euros, një pjesë e pronave nuk jepen më me qira në euro por në lekë, duke u konvertuar automatikisht në një çmim qiraje më të lartë.

Trendi rritës i çmimit të qirave nuk pritet të ndalet as në muajit në vijim, duke reflektuar edhe efektin sezonal prej turizmit, edhe pse sipas agjentëve të tregut kërkesa për apartamente me qira edhe të kushtueshme po udhëhiqet nga kryeqyteti.