TIRANE- Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar kërkesën e kreut të së ashtëquajturës “Banda e Lushnjës” Aldo Bare, për rihapjen e procesit gjyqësor për pronat e tij, si një garazh në Lushnjë dhe lagunën e Karavastasë, të konfiskuara gati 11 vite më parë. “Shqiptarja.com” ka mësuar se rrëzimi i kërkesës për të rigjykuar pasurinë e Aldo Bares, është dhënë pak kohë më parë dhe se tashmë është lënë në fuqi dhe nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda.

Edhe pse i mbyllur përjetësisht në burgun e Drenovës në Korçë, kreu i të ashtëquajturës “Banda e Lushnjës” Aldo Bare me nofkën “Profesori”, kërkon një nga ish-pasuritë e tij më të çmuara, Lagunën e Karavastasë. Njeriu që për një 10 vjeçar dominoi krimin në qytetin e Lushnjës dhe jo vetëm, i është drejtuar në 30 korrik 2015 me një kërkesë Gjykatës së Krimeve të Rënda duke kërkuar rivendosjen në afat të gjykimit për rastin e sekuestrimit dhe konfiskimit të kësaj lagune nga shteti shqiptar, duke ja kaluar në inventarin e Ministrisë së Mjedisit, ku në atë kohë ministër ishte Lufter Xhuveli.