"Kokaina", dhëndri i Enver Hoxhës
Firmë ndërtimi me trafikantin Gjonaj

"Kokaina", dhëndri i Enver Hoxhës<br />Firmë ndërtimi me trafikantin Gjonaj
TIRANE - Investimi i parave të fituara nga trafiku i kokainës në biznese të ndryshme, ishte dhe kamuflimi i disa prej 11 të arrestuarve në operacioin “Xibraku” ku Policia e Shtetit sekuestroi një laborator kokaine në periferi të Elbasanit si dhe arriti të bllokojë sasi të konsiderueshme droge.

Burime nga Prokuoria e Krimeve të Rënda bënë me dije për A1 Report se Gentian Gjonaj nga Vlora i arrestuar një natë më parë gjatë operacionit për asgjësimin e laboratorit të kokainës, rezulton të jetë aksioner në kompaninë "AIN shpk", me seli në Orikum së bashku me dy aksionerë të tjerë mes tyre dhe Klemend Kolaneci, i cili njihet si dhëndri i ish-diktatorit Hoxha.

Ky i fundit, kishte krijuar kompaninë së bashku me dy aksionerët e tjerë, në vitin 2008, pra 7 vjet më parë. Sipas ekstraktit të QKR, rezulton siç e shikoni dhe nga dokumentacioni , dhe emri i të arrestuarit të një dite më parë si aksioner i përbashkët me dhëndrin e Hoxhës, çka do të thotë se lidhjet jo pa qëllim kishin përfshirë në rrjetin e kokainës Ermal Hoxhën , nipin e ish-diktatorit .
 
Kompania e ndërtimit “AIN SHPK” kishte selinë e saj kryesore në Orikum të Vlorës dhe në 2012 , ai kishte hapur një seli të dyte në rrugën “Vaso Pasha” në Tiranë . 

Ermal Hoxha nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha i prangosur në këtë operacion, i cili nga hetimet paraprake rezulton si një ndër personat kryesorë të kësaj organizate kriminale sipas informacioneve të Prokurorisë ka një sërë pronash, por në pjesën më të madhe ato janë në emër të personave të tjerë.

pasuri kolaneci 1
(Në foto: Kompania e ndërtimit AIN sh.p.k e regjistruar në emër të të arrestuarit Gentian Gjonaj dhe partner Klemend Kolaneci)

pasuri kolaneci 2
(Në foto: Kompania e ndërtimit AIN sh.p.k e regjistruar në emër të të arrestuarit Gentian Gjonaj dhe partner Klemend Kolaneci)


Ndërkohë dy vëllezërit Arjan dhe Klemend Dalipi nga Elbasani investonin pasuritë e tyre në biznesin e studiove grafike, ku siç rezulton dhe nga qendra e regjistrimit të biznesve prej 2009-ës Kelmendi kishte krijuar kompaninë e tij.

Në të njëjtin biznes operonte dhe nipi i tyre nga Elbasani, Egest Dankesi i cili rezulton menaxher në një kompani reklamash.

studio grafike dalipi
(Në foto: Studio Grafike e regjistruar në emër të të arrestuarit Klemend Dalipi)

makina
(Në foto: Makina e studio grafike e sekuestruar nga policia)

Me urdhër të Prokurorit Olsi Çela mesditën e kësaj të mërkure drejt bankave të nivelit të dytë, Zyrave Qendrore të Hipotekës si dhe Tatimeve, është nisur një letër porosi për të dhënë informacion në lidhje mbi pasuritë e këtyre shtetasve si dhe urdhëri për sekuestron preventive të tyre deri në përfundim të hetimeve.

Investimi në ndërtim
Gentian Gjonaj dhe dhëndëri i Enver Hoxhës, Klement Kolaneci kanë investuar së bashku në ndërtimin e pallateve në Vlorë. Kolaneci ka qenë pjesë e aksionerëve, duke u përfaqësuar si arkitekt i firmës “Ain Shpk”. Kolaneci, mësohet të ketë bërë projektimet e ndërtimit të pallateve në Vlorë dhe zona të ndryshme, sin ë qytetin e Orikumit.   Ndërkohë që nga ana tjetër, shtetasi nga Vlora Gentian Gjonaj,ka qënë njeriu që ka investuar ekonomikisht, ndërkohë mbetet mister burimi i të ardhurave financiare për ndërtimin e këtyre objekteve.

Për të hedhur dritë lidhur me këto investime në ndërtim, burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kanë urdhëruar nisjen e hetimeve paralele për verifikimin e pasurisë së të gjithë prej anëtarëve të grupit kriminal, përfshirë këtu dhe shtetasin Gentian Gjonaj. Sipas hetuesve nëse do konstatohen se investimet e kryera nuk korrespodojnë me të ardhurat, atëherë do urdhërohet sekuestrimi i pronave që rezultojnë në emër të shtetasit Gentian Gjonaj.

Transporti ndërkombëtar
Në objektin tregtar të kompanisë “Ain Shpk” rezulton se kjo kompani ka si prioritet të saj dhe transportin ndërkombëtar të mallrave.Në objekt thuhet “Import-export tregti artikuj të ndryshëm, agjenci turistike, imobiliare, transport mallrash brenda dhe jashtë vendit, shërbime në ndërtim, prodhim tregtim bojrash, zbatim-projketime në ndërtim”. Dyshimet e prokurorisë janë se pikërisht nëpërmjet kësaj kompanie mund të jenë kryer dhe dërgesat e Kokainës drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Sekuestrot, Kolaneci i zhytur në borxhe dhe hua financiare të zeza
Megjithëse aksioner me 20 për qind të kuotave në kompaninë “Ain Shpk” dhëndëri i ish-diktatorit Enver Hoxha, Klement Kolaneci, rezulton me shumë probleme financiare. Një fakt i tillë, vërtetohet nga një seri urdhër-ekzekutimesh përbarimore, të cilat kanë vendosur masa sekuestrosh prenvetive në llogaritë financiare të Kolanecit dhe tek kapitalet e aksioneve të tij.

Bëhet fjalë për disa kredi të marra në banka, ndërkohë që disa vendime sekuestrimi janë marrë kundër Kolanecit, nga persona privatë të cilët i kanë dhënë hua financiare, Klement Kolanecit dhe Pranvera Kolanecit, të cilët nuk kanë arritur tia kthejnë. Nisur nga kjo situatë, ata i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës duke nxjerë urdhër-ekzekutimet dhe më pas kanë vënë në lëvizje, përmbarimin privat. Gazeta “Shqiptarja.com” disponon një urdhër-ekzekutimi, ku Shpëtim Xhafa, në cilësinë e kreditorit kërkon sekuestrimin e aksioneve të Kolanecit dhe gruas së tij Pranvera, në disa kompani ku ata ishin aksionerë.

Kolaneci njihet si një ndër arkitektët që projektoi dhe ndoqi nga afër punimet për ndërtimit e Piramidës që sot ndodhet në qëndër të Tiranës. Piramida është ndërtuar pas vdekjes së Enver Hoxhës, dhe ka pasur si qëllim krijim e një muzeu personal të Enverit, duke nënkuptuar njëherësh një imitim të piramidave të Egjiptit. Veç kësaj, Kolaneci njihet dhe si një nga njerëzit që ka prijektuar godinën e Muzeut Kombëtar në qëndër të Tiranës.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Avokati që kallëzoi Këlliçin në SPAK: Dënohet deri në 6 vite burg, ka prova që falsifikoi diplomën e s'deklaroi pasurinë! Mohoi edhe gruan

Avokati që kallëzoi Këlliçin në SPAK: Dënohet deri në 6 vite burg, ka prova që falsifikoi diplomën e s'deklaroi pasurinë! Mohoi edhe gruan