Ecim së bashku rrugëve të qytetit të lashtë, shtruar me kalldrëm të ri dhe flasim për botimet e fundit letrare. Ai vetë është autor i vëllimeve poetike: “Ajsbergu i hanës”, “Këndej kaloi koha”, “Planetare”, “Hylli i zotit njeri”, i vëllimeve me tregime: “Dashuri në kullën e ngujimit” dhe “Hyjnesha e pyllit”, i romaneve “Shembja” dhe “Unaza e Virgjëreshës”, si dhe i librave studimorë: “Toka e Katedraleve”, “Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit”, “Fabian Barcata dhe ditari i tij shqiptar” etj. Gjithnjë i ndjeshëm ndaj zhvillimeve në vend e rajon, publikon komente dhe analiza në disa gazeta: “Shqip”, “Panorama”, “Koha Jonë” dhe në shtypin e Kosovës, për problematika sociale, por dhe për figura të njohura të letërsisë dhe kulturës kombëtare, si Nënë Tereza, Ismail Kadare, Musine Kokalari, Martin Camaj, Ali Podrimja, Dritëro Agolli, Ndoc Gjetja, At Zef Pllumi, Dom Simon Jubani etj.
Poeti i njohur Sadik Bejko, gjithashtu i ftuar në Lezhë në “Orën e Muzës”, na foli me vlerësim për poezinë dhe publicistikën e tij. Por vepra më e fundit që e ka spikatur Ndue Dedën edhe si prozator, është romani “Unaza e Virgjëreshës”, që dallohet për tematikën dhe sidomos për stilin e të shkruarit, gjuhën plot kolorit verior, karakteret origjinale të personazheve etj. E pyesim autorin se nga e ka marrë motivin për të trajtuar një temë të tillë. “Kam njohur dy-tre virgjëresha të përbetuara në vendlindjen time, Mirditë, - thotë ai, - për to më kanë folur edhe prindërit, gjyshja etj. I kam hasur dhe në shkrimet e vjetra, qysh nga Hahni. Njeriu vetvetiu bëhet kureshtar me ditë se si e kalonin jetën ato, si përshtateshin me punët dhe detyrat e burrave etj. Nuk kanë qenë të rralla rastet kur në malësi i gjeje edhe “zot shtëpie”. Por duket se te autori ka qenë dhe një shtysë tjetër, rendja pas virgjëreshave shqiptare e mjaft televizioneve të huaja, duke prodhuar dokumentarë sipërfaqësorë e pa nerv krijues, që nuk depërtonin me kameran e tyre në thelbin e qenies burrë-grua, apo grua burrë. Më vijnë ndër mend fjalët e veteranit të kritikës letrare Miho Gjini, Mjeshtër i Madh, i cili e vlerësonte kështu këtë roman: “Autori nuk është për mitizimin emfatik të ngjarjeve me kreshnikë, me heroizma dhe trimërira. Perënditë e Dedajt zbresin në tokë si ato të Olimpit antik, trimat shtrohen në rrogoz dhe gratë heqin dorë nga “koburja në brez” dhe “xhamadani i trimërisë”.
Dhe dita e veprimtarisë “Ora e Muzës - Lissus 2016” erdhi. 23 tetor 2016. Ajo kishte mbledhur krijues nga mbarë trojet shqiptare. Para ndërtesës së Pallatit të Kulturës, kryesuesi i saj poeti Viktor Gjikolaj na njeh me axhendën e tubimit, ku kryefjalë e ditës do të jetë poezia, kjo gjini magjepsëse e letërsisë. Ndue Dedaj e ka ndjekur në vijimësi krijimtarinë e krijuesve të rajonit të Lezhës, Kurbinit, Mirditës e më gjerë dhe flet për prurjet e tyre kohë pas kohe, duke u ndalur në vepra të Kujtim Dashit, Mark Simonit, Pjetër Jakut, Ndue Gasprit, Lulzime Celamit, Bardhok Pulajt, Çezar Ricës, Zef Zefit, Tonin Nikollit, Ernest Markut, Alket Bushit, Fatmira Locit etj. Por dhe në ato të studiuesve Tonin Çobani, Mark Vuji, Qazim Dushku, Nikollë Loka, Kastriot Marku etj.
Dedaj është modest, në kufijtë e thjeshtësisë, dhe pse jo pak i njohur në botën e të shkruarit. Flet me kënaqësi për librin, si autor, redaktor e recensent, aq më tepër që për shumë vite ka drejtuar shtëpinë botuese “Mirdita” dhe dihet sa mundim ka përgatitja e librave për botim, pajisja e shumë prej tyre me parathënie, shënime, sqarime etj. Në këtë kontekst, jo pa emocion shprehet për miqtë me të cilët ka bashkëpunuar në vite, por dhe familjarët e tij, mbështetjen dhe kurajon që një krijues gjithnjë e ka të nevojshme.
Na kujtohet vite të shkuara një takim i krijuesve të Qarkut tonë me poetin e shquar kosovar Ali Podrimja. Ndueja e njihte kaherë veprimtarinë letrare të Podrimjes, që nga koha e specializimit pasuniveristar për kritikë letrare, në mesin e viteve ’80, kur disa libra të autorëve kosovarë që botoheshin në Prishtinë hynin në fondin e rezervuar të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Të kujtohen sot këto imtësi, kur një rreth krijuesish të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare përshkojmë sheshin qëndror të Lezhës, aty para përmendores së Gjergj Fishtës. Nuk është më Podrimja mes nesh, por kanë udhëtuar nëpër “Rrugën e Kombit” drejt qytetit të “Beslidhjes” vëllezërit e tij të penës. Rrjedh lirisht biseda për krijimtarinë. Shkëmbehen librat më të fundit dhe jo vetëm. Shkrimtari Isak Ahmeti nuk kursen fjalët për veprën e Ndue Dedës “Toka e Katedraleve”, një libër studimor me vlera për historinë dhe muzeologjinë e kishës katolike në trojet e Arbërit, me parathënie të Akademikut të mirënjohur Zef Mirdita. E vështroj autorin në heshtje dhe kujtohem për vlerësimin qe ka bërë për këtë monografi dhe një studiues i vjetër shkodran, Kolë Shtjefni, i cili pati shkruar: “…studiuesit e rinj të pas 90-s kanë fillue me tregue veten me botime mjaft interesante, shkencore, siç është edhe “Toka e Katedraleve”, ku autorit i është dashtë me punue e hulumtue shumë për me dhanë një libër kaq të bukur...” Njëri nga bashkëbiseduesit sjell në vëmendje një tjetër libër të këtij autori, me titullin intrigues “Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit”, për të cilin profesori i njohur i të drejtës zakonore shqiptare Ismet Elezi, shkruan: “Meritë e veçantë e autorit është se për kuptimin e Kanunit jep gjykime dhe interpretime bashkëkohore, duke nxjerrë në plan të parë nevojën e operimit sot me frymën e ligjit…”
Libra, libra dhe vetëm libra ka rezervuar dita e sotme.
Sarë Gjergji nxjerr nga çanta librat e rinj të tij dhe na i dhuron me mirësi, ku të bën përshtypje sidomos “Stublla me shkollën e parë shqip 1584-1905”, që vërteton me fakte historike se arsimi shqip ka rrënjë shumë më të thella se dokumentet që kemi sot nëpër duar. Ndërsa profesor Isaku kishte firmosur autografe për Nduen, mua dhe miq të tjera në librin e tij më të ri “Mëvetësi e studimit dhe e krijimit të letërsisë”, botuar nga “Faik Konica” në Prishtinë, përmes të cilit merr në shqyrtim disa vepra të studiuesit të njohur kosovar Anton Nikë Berisha. Mes të ftuarve është edhe poeti emigrant Zef Bardhi, fitues i çmimit “Gjergj Fishta” vitin e kaluar me librin poetik “E paharruar”, që kishte ardhur nga Italia enkas për veprimtarinë kushtuar Fishtës. Para bibliotekës së qytetit takojmë poetin nga Klina, Vilson Culaj, që me atë humorin e tij të hollë shpotit këndshëm duke treguar një kulturë për t’u admiruar. Po bisedonte me prozatorin e filologun Ernest Marku, i cili i dhuron librin e tij më të fundit “Fjalë të turitme të gegnishtes letrare”. Ndërkohë kemi ngjitur shkallët e bibliotekës për në sallën “Gjergj Fishta”. Viktor Gjikolaj, ideator dhe moderator i veprimtarisë, gjithnjë buzagaz, përpiqet të komunikojë me të gjithë. Rreth figurës së Gjergj Fishtës si akademik foli Dr. Tonin Çobani, fishtologu më në zë i ditëve të sotme, pastaj botuesi i veprës së tij Frano Kulli, si dhe Ndue Dedaj e Kadri Ujkaj. Shkrimtari Andrea Petromilo, i klubit letrar “Petro Marko në Vlorë, paraqiti librin e tij më të ri “Trokth në livadhet e blerta”, ku merr në shqyrtim krijimtarinë letrare të një vargu krijuesish bashkëkohorë, mes të cilëve edhe atyre lezhianë.
Bashkë me Nduen përshëndetemi me poetin Mujo Buçpapaj, botues i të vetmes gazetë letrare kombëtare “Nacional”, poetin Qazim Shehu, bashkënxënës me mua në shkollën pedagogjike “Luigj Gurakuqi” Elbasan, gazetarin Zef Përgega ardhur nga Amerika etj. Atë copë udhë deri te salla e QKF-së, ku do të vijonte tubimi letrar, e bëmë së bashku me shkrimtarin Salvador Gjeçi, i cili tregon se si përgatiti recitimin e poezive të Fishtës nga nxënësit e kësaj qëndre kulturore fëmijësh, objekt i restauruar dy vitet e fundit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit pas një letargjie të gjatë si “depo” rrangullash. Takimet s’kanë të sosur. Poeti tropojan Lulzim Logu na dhuron “Antologji e poetëve të malsisë së Gjakovës”, një botim me vlera. Edhe studiuesi Mark Zefi dhuron për miqtë librin e tij “Maksima nga veprat letrare”, i munguar në literaturën tonë. Ndërkaq na tërheq vëmendjen zëri melodioz i aktorit të mirënjohur Mirush Kabashi, Artist i Merituar, i cili sapo kishte nisur të recitonte gjithë patos vjershën e Fishtës “Metamorfoza”.
Moderatori Gjikolaj fton në podium kryetarin e Qarkut të Lezhës, Gjok Noka, i cili premtoi se veprimtari të tilla, në shërbim të letërsisë dhe kulturës do të ketë edhe në të ardhmen. Ndahen me këtë rast çmimet “Gjergj Fishta” në fushën e krijimtarisë letrare, studimore e publicitike, të cilin e marrin: Gjergj Marku për monografinë “Ansambli Mirdita”, Brunilda Përvathi për librin me poezi “Akrepa të thyera”, Gjon Marku për librin me tregime “Mëkati përtej detit” dhe Ndue Marku për vëllimin poetik “Ashklat e muzës”. Për vlerësimin e kësaj krijimtarie ishte ngritur paraprakisht një juri letrare e kryesuar nga poeti dhe studiuesi Sadik Bejko, Ndue Dedaj dhe autori i këtij shkrimi. Poetët pjesëmarrës recituan para të pranishmëve nga një poezi të zgjedhur të tyre, për çminin “Ora e Muzës”. U ngjitën me radhë në skenë: Manushaqe Toromani, Angjelina Gjeka, Gjon Neçaj, Sejdi Berisha, Adem Zaplluzha, Prengë Maca, Vilson Culaj, Salvator Gjeçi, Muharrem Kurti, Prengë Maca, Bedri Neziri, Lola Shehi, Elida Rusta, Lindita Prenga etj. Juria nderoi me çmime më të mirët e muzës poetike fishtiane të këtij edicioni: Tahir Bezhani nga Gjakova, Agim Bajrami nga Durrësi dhe Azem Baliaj nga Lezha.
Auditorin poetik e përshëndetën me krijimet e tyre poetët: Demir Gjergji, Izet Duraku, Rexhep Shahu, Isak Ahmeti, Sarë Gjergji etj.
Së bashku me Ndue Dedaj, me një tok librash në duar, dalim nga salla e “Orës së Muzës”, duke uruar që veprimtari të tilla, në shërbim të kulturës dhe letërsisë të zhvillohen dhe më shumë, veçanarisht në shkolla. Ndahemi me miqtë tanë poetë nga mbarë trevat shqiptare, për t’u takuar sërish në festa kësodore të poezisë, që zhvillohen periodikisht në Gjakovë, Durrës, Përmet, Prizren, Tetovë, në klubet letrare të diasporës etj.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com