"Podesta", kontrata me diktatorë dhe kundër Kosovës

Shqipëria, Egjipti, Tajlanda apo Gjeorgjia janë disa nga shtetet që kanë lobuar fuqishëm pranë zyrtarëve dhe kongresmenëve amerikanë nëpërmjet firmës së njohur "Podesta Group". Gjatë vitit 2011, qeveria shqiptare ka shpenzuar shuma të konsiderueshme për të lobuar në senatin dhe kongresin amerikan, me qëllim për rregullimin e imazhit dhe për përmirësimin e marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë. Por kryesorja, siç duket, ka qenë sigurimi i vizitave për Berishën në SHBA, si dhe pjesëmarrja e tij në mbylljen e sesionit ditor të bursës së Nju Jorkut.
Që nga 15 gushti i vitit 2011, përfaqësuesit e firmës lobuese të "Podesta Group" rezulton se kanë kryer 20 herë kontakte me përfaqësues të NASDAQ (bursës). Në sajë të tyre, Sali Berisha fitoi vjet të drejtën e shtypjes së butonit të ziles, që sinjalizon mbylljen e sesionit ditor të NASDAQ dhe atij iu dorëzua trofeu që simbolikisht u jepet personaliteteve botërore që bëjnë mbylljen ditore të bursës, çka u cilësua si një sukses i jashtëzakonshëm.
Kompanitë e lobimit që ndikojnë politikbërjen amerikane në favor të diktatorëve janë diçka e zakonshme në SHBA dhe një ndër to është edhe "Podesta Group", e themeluar nga John dhe Tony Podesta. Këta kanë mbrojtur për vite me radhë interesat e diktatorit të Egjiptit, Hosni Mubarak, si dhe të liderit të Koresë Veriore, Kim Jong-Il. Këtë e ka dëshmuar shtypi amerikan, i cili ka qenë jo pak kritik ndaj veprimtarisë së kompanive të lobingut që favorizojnë diktatorë e tiranë. John Podesta, ka qenë shef i stafit të administratës Klinton në vitet 1998-2001 dhe ka lidhje të shumta me qeverinë e presidentit Obama, me lidhje të forta, krahas Kongresit amerikan, edhe në Partinë Demokratike në fuqi në SHBA. Si për ironi të fatit, një kontratë edhe më të majme se me qeverinë shqiptare, kjo kompani e ka me Serbinë, që të lobojë kundër Kosovës në Uashington, duke u paguar me 100 mijë dollarë në muaj.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb