TIRANË- Për të 28-ën ditë radhazi, protestuesit u mblodhën para Kryeministrisë dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Nga sheshi “Skënderbej” ata marshuan në drejtim të godinës së qeverisë me të njëjtat thirrje “Rama në burg, Berisha në burg”.

Lista me kërkesat drejtuar qeverisë dhe kryeministrit, nuk u lexuan në mënyrë integrale para Kryeministrisë, ndryshe nga siç ka ndodhur për 5 ditë me radhë, por në fjalime organizatorët u kujdesen t’i theksonin kërkesat kryesoret si dorëheqja e Kryeministrit, qeverinë teknike apo edhe ndryshimet ligjore. Edhe aktivistja Sidorela Vatnikaj i theksoi sërish edhe në një intervistë për Report Tv.

“Kërkesat që janë listuar përfshijnë dorëheqjen e kryeministrit Rama, shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura e investimet strategjikë dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në vetëm 2 mandate si edhe ngritjen e një kontrate të re mes shoqërisë së shtetit. Janë lexuar njëzëri prej më shumë se tre javësh duke thënë kërkesat e gjithë sheshit. Një dokument që i është dërguar përfaqësive diplomatike”, tha ajo.

Këtë herë protestuesve i ishte bashkuar një eurodeputete e së majtës italiane, aktiviste politike, e njohur shpesh për qëndrime ekstremiste. Ilaria Salis, vetëm 2 orë pasi kishte takuar Arlind Qorin dhe të tjerë drejtues në selinë e Lëvizja Bashkë, foli për luftë kundër imperializmit dhe kolonjalizmit nga Tirana.

"Shqipëria nuk është në shitje, Evropa nuk është në shitje. Të drejtat personave dhe natyrës duhet të vijnë përpara parasë, imperializmit, kolonjalizmit dhe pushtetit të të pasurve. Rroftë revolucioni I flamingove. Vijoni të luftoni", tha ajo.

Për 2 orë radhazi mikrofoni i kaloi aktivistëve dhe qytetarëve, ndërsa nuk munguan edhe fëmijët. Një protestuese zgjodhi këtë thirrje ekstremiste për Kryeministrin Rama.

“SPAK-ut i bëjmë thirrje: mos e tremb, se ke gjithë Shqipërinë me vete. Merre dhe arrestoje, se e meriton burgun. Jo burg, jo, se do e mbajmë me prapë me taksa. Ai do varur në litar, o njerëz”, tha ajo.

Ndihmën SPAK-ut ia kërkoi edhe një tjetër protestues, i cili i kërkon Prokurorisë së Posaçme të bëjë arrestime që revolucioni të jetë paqësor.

“Thirrje SPAK që ta bëjnë të mundur që ky revolucion të ndodhë paqësisht. Hetoni Edi Ramën, ministrat në afera korruptive, çojini në burg, pasi arrestimi i Ramës do i hapte rrugë procesit dhe Shqipërisë së re. Patjetër edhe Berishës”, tha ai. 

Kësaj radhe protestuesit kishin zgjedhur një tjetër mënyrë për të ironizuar kryeministrin Edi Rama. Dorëheqjen ia kërkuan përmes ministres, me inteligjencë artificiale. Diella u shfaq në muret e kryeministrisë dhe deklaroi se do të dorëhiqet nga kabineti ‘Rama’ pas skandalit të Zvërnecit, duke thënë se radhën e ka Rama.

“Për shkak të skandalit të Zvërnecit, deklaroj dorëheqjen time të parevokueshme nga qeveria shqiptare. Radha juaj kryeministër”, ‘tha Diella’.

Risi e kësaj ditë të 28-te ishte edhe një hapësirë në murin e shkallëve të ndërtesës së kryeministrisë, ku protestuesit kanë ngjitur disa fleta ku shkruajnë sipas tyre skandalet qeverisëse. Në fund si pas çdo protestë, nisi marshimi në rrugët e kryeqytetit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:12
Ulet pjesëmarrja, ja pamjet me dron kur protestuesit rikthehen te Kryeministria pas marshimit në rrugët e Tiranës

Report Tv sjell pamjet me dron nga marshimi i protestuesve. Pas gati 2 orësh fjalime ata marshuan rrugëve të Tiranës, me thirrjet “Rama në burg, Berisha në Burg”, “ju erdhi fundi”, “revolucion”, ndërsa siç shihet në këto pamje me dron (ora 22:45) numri i protestuesve teksa po riktheheshin sërish para Kryeministrisë është ulur.

Ora 22:31
Ervin Salianji i bashkohet protestës: Frika është shembur, asnjë makineri pushteti s’mund ta ndalë ndryshimin

1782592325_ervinsalianji.JPG

Ish-deputeti Ervin Salianji i është bashkuar sërish protestës te Kryeministria. Në një postim në rrjetet sociale ai shkruan se ky tubim është një mesazh i qartë se frika është shembur dhe se shoqëria është zgjuar. Sipas tij, ku njerëzit e humbasin frikën nuk ka asnjë makineri pushteti që mund ta ndalë ndryshimin.

“Kjo protestë e jashtëzakonshme nuk është thjesht një tubim. Është një mesazh i qartë se frika është shembur dhe se shoqëria shqiptare është zgjuar. Bulevardi është kthyer në vendtakimin e të rinjve, profesionistëve, sipërmarrësve, intelektualëve dhe qytetarëve të zakonshëm. Njerëz me bindje të ndryshme, por të bashkuar nga një ideal i përbashkët: një Shqipëri me dinjitet, me rregulla të barabarta për të gjithë, me meritokraci, demokraci funksionale dhe institucione që i shërbejnë qytetarit, jo pushtetit. Kur njerëzit humbasin frikën dhe fitojnë besimin tek forca e tyre, asnjë propagandë dhe asnjë makineri pushteti nuk mund ta ndalë ndryshimin. Bulevardi po flet dhe zëri i qytetarëve është më i fortë se çdo përpjekje për ta heshtur atë”, shkruan Salianji.

Ora 22:15
‘Bashkohuni me ne’, ‘çohuni nga kafja’, protestuesit marshojnë në Bllok

Pas gati 2 orësh fjalime, protestuesit marshuan nëpër rrugët e Tiranës. Në bllok, ata u bënë thirrje qytetarëve që të çohen nga kafja dhe t’i bashkohen protestës.

Ora 22:13
Turisti anglez merr fjalën në protestë, emigrantja nga Franca i drejtohet në frëngjisht Macronit

1782591256_proteste.jpg

Një turist britanik mori fjalën në protestë, nga ku bëri thirrje edhe në shqip për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Edi Rama tha se turistët janë të trembur të vijnë se ka protesta këtu. Unë erdha nga Mbretëria e Bashkuar për të thënë këtu se ato janë broçkulla. Ky vend është shumë i bukur për ta shitur!”, tha ai.

Ndërsa një tjetër emigrante mori fjalën dhe iu drejtua në frëngjisht presidentit Emmanuel Macron.

Ora 21:06
Protestuesit ironizojnë Ramën/ Diella ‘flet’ nga protesta: Jap dorëheqjen nga qeveria pas skandalit të Zvërnecit, radha juaj kryeministër (VIDEO)

Protestuesit ironizuan kryeministrin Edi Rama përmes ministres me Inteligjencë Artificiale. Diella u shfaq në muret e Kryeministrisë duke thënë “për shkak të skandalit të Zvërnecit, deklaroj dorëheqjen time nga qeveria shqiptare. Radha juaj kryeministër”.

Ky moment u prit me thirrjet në kor nga protestuesit “Rama jepe dorëheqjen”, ndërsa një tjetër tha se “Ramën e braktisi edhe Diella”.

Ora 20:56
Thirrje ekstreme në protestë, qytetarja: Rama do varur në litar, jo në burg se do e mbajmë me taksa (VIDEO)

Thirrje ekstreme në protestën e sotme para kryeministrisë. Një protestuese tha se kryeministrin Edi Rama duhet ta varin në litar pasi nuk duhet ta mbajnë as në burg për të mos harxhuar taksat.

“Para 2 ditësh kryeministri u kujtua që ekzistojnë shqiptarët dhe mblodhi kabinetin qeveritar, duke kërkuar që të dilnin në terren dhe të pyesnin se çfarë hallesh kishte ky popull. Po 13 vite më parë ku ishte? Sot u kujtua që ky popull po vuan atje ku nuk duhet. Sot fshatrat janë të plakur, nuk ka njerëz. Qytetet e vogla janë plakur, shkollat janë mbyllur.

Të gjithë bashkë, në çdo cep, të ngrihemi dhe të mos e lëmë këtë kryehajdut që e ka kapur këtë vend dhe nuk po e lëshon. SPAK-ut i bëjmë thirrje: mos e tremb, se ke gjithë Shqipërinë me vete. Merre dhe arrestoje, se e meriton burgun. Jo burg, jo, se do e mbajmë me prapë me taksa. Ai do varur në litar, o njerëz. Atyre u duhet sekuestruar pasuria. Me pasuritë e këtyre pushtetarëve ne do të hapim 5 vite bukë dhe shumë të lumtur. Të gjitha bregdetet janë të privatizuara. Pse nuk arriti ky vend të bëhej si Turqia, që njerëzit të pushojnë? Këtu është çdo gjë e privatizuar”, tha qytetarja.

Ora 20:39
‘Muri i skandaleve në kryeministri’, protestuesit afishojnë akuzat për qeverinë Rama

Në murin te shkallët e ndërtesës së kryeministrisë, protestuesit kanë ngjitur disa fleta ku shkruhen skandalet që i atribuojnë qeverisë. Në mur shihet i afishuar skandali i koncesionit të check-up në Shëndetësi, dosja ‘Tahiri’, shembja e Teatrit Kombëtar, vrasja e Klodian Rashës e të tjera.

Ora 20:27
Eurodeputetja italiane në protestë: Shqipëria nuk është plaçkë për t'u shitur, mos lejoni oligarkët të vendosin për ju

Eurodeputetja italiane Ilaria Salis, e cila mbërriti sot në Tiranë, iu bashkua protestës para Kryeministrisë. Ajo mbajti edhe një fjalim me të cilin deklaroi se Shqipëria dhe pasuritë e saj natyrore nuk janë "plaçkë për t'u shitur". Eurodeputetja bëri thirrje për mbrojtjen e ishullit të Sazanit dhe Lagunës së Nartës sipas saj, interesat e oligarkëve dhe privatizimet.

“Për mua është një nder i madh, një kënaqësi e madhe të jem këtu sot. Në këto rrugë, këtu në Tiranë shohim një Evropë më të mirë, jo në Bruksel por këtu në Tiranë.  Këtu populli afirmon nevojën e vete, ëndrrën e vet, të drejtën themelore të vendosë për të ardhmen e tij. Shqipëria, toka e saj, bukuria e saj, trashëgimia e saj kulturore nuk janë një mall për të shitur. Ishulli i Sazanit dhe Laguna e Nartës duhet të mbeten zona të mbrojtura për të gjithë dhe për brezat e ardhshme. Nuk duhet të bëhen një park për të pasurit. Është e drejtë t’i kundërvihesh një modeli zhvillimi të bazuar në korrupsion, në privatizim dhe për të privilegjuar të paktët. 

Një model që nuk është për mirëqënien e popullsisë por I shërben vetëm interesave të të fuqishmëve. Për fat të keq kjo nuk vetëm në Shqipëri por ndodh në të gjithë Evropën dhe botën. Prandaj ajo që po bëni këtu është shumë e rëndësishme, po bëni historinë.  Po tregoni një rrugë për të gjithë popujt, me kurajë, dinjitet dhe aksion kolektiv. Një rrugë që na fton të marrim në duar fatin tonë. Të mos lëmë që të jenë oligarkitë të vendosën gjithçka për ne.  Shqipëria nuk është në shitje, Evropa nuk është në shitje. Të drejtat personave e natyrës duhet të vijnë përpara parasë, imperializmit, kolonjalizmit dhe pushtetit të të pasurve. Rroftë revolucioni I flamingove. Vijoni tw luftoni. Faleminderit.”, tha ajo.

Fjalimi i eurodeputetes u mbajt vetëm 2 orë pasi kishte takuar kreun e partisë Lëvizja Bashkë, Arlind Qori dhe deputetin Redi Muçi.

Ora 19:59
Protestat/ Qytetarët kërkojnë ndihmën e SPAK: Bëhu heroi ynë që ky revolucion të ndodhë paqësisht, heto Ramën, ministrat e Berishën

Një protestues i ka bërë thirrje SPAK që t’i ndihmojë që revolucioni për “Shqipërinë e re” të ndodhë paqësisht. Ai bëri thirrje që të hetohet kryeministri Edi Rama, ministrat, por edhe Sali Berisha.

“Thirrje SPAK që ta bëjnë të mundur që ky revolucion të ndodhë paqësisht. Sot SPAK e ka mundësinë që të bëhet hero për fëmijët tanë, që kur fëmijët tanë të rriten dhe të gëzojnë Shqipërinë e re të kenë heronj prokurorët e SPAK. Hetoni Edi Ramën, ministrat në afera korruptive, çojini në burg, pasi arrestimi i Ramës do i hapte rrugë procesit dhe Shqipërisë së re. Patjetër edhe Berishës”, tha një protestues.

Ora 19:55
Protesta/ Aktivistja Koka thirrje Ramës: Dorëheqje, shfuqizoni ligjin për zonat e mbrojtura! Nuk prek vetëm Shqipërinë, por edhe interesat e BE

Aktivistja Luçiana Koka, e cila është edhe pjesë e grupit koordinues të protestës, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të dorëhiqet. Ajo tha se një prej kërkesave kryesore të tyre është edhe shfuqizimi i ligjit për zonat e mbrojtura, që sipas saj nuk prek vetëm Shqipërinë, por edhe interesin e gjithë BE ku Shqipëria synon të aderojë.

“Qëndresa jonë është historike dhe kjo qëndrese kaq e bukur dhe kaq paqësorë është ajo që i ka prishur gjumin qeverisë. Ne do vazhdojmë çdo ditë e më shumë. Ndërkombëtarët janë me ne, disa prej tyre janë disa mes nesh, disa do vijnë në ditët në vazhdim. Kjo është një mbështetje e madhe. Por edhe në duhet të mbështesim ato vendime që PE ka marrë për ne. 

I pari është shfuqizimi i ligjit për zonat e mbrojtura, i cili është nëna e shumë të zezave që po përjetojmë këtu, po jepen tokat shqiptare pa kriter. Ligji që ka prek Rrjollin tim e Zvërnecin. Ky ligj nuk prek vetëm Shqipërinë, por interesat e gjithë BE, duke cenuar zonat e mbrojtura, ekosistemi i Shqipërisë cenohet edhe ekosistemi i BE aty ku ne duam të aderojmë, i thërrasim shumë fort anulimit të ligjeve dhe dorëheqjes së kryeministrit”, tha ajo.