Ishte qytet industrial. Ta besosh sot këtë duket e vështirë. Duhet parë periferinë e tij për të parë dëshmitë e ndërtesave të mëdha, për ta besuar se nën skeletet e sotme të çelikut e të hekurishteve, jo më shumë se tridhjetë vjet më parë, ishte një qytet i pasur.

I braktisur tashmë, nga gjysma e popullatës, ndonjë udhëtari që i rastis të kalojë andej, në vakte të shumta të ditës, do të mendojë se është një qytet fantazmë. Skeletet e mëdha nuk do ta lënë asnjërin të ikë dyshues. Të trishton makineria e ndryshkur, ndërsa fushat në të cilat bari e pemët janë rritur, në e mbi këmbët e makinerive, do ta bindin secilin se dikur aty ka pasur një “kohë më ndryshe” që për njerëzit e sotëm ende cilësohet “e mirë”.  

E kuqja si një ogur e ka ndjekur gjithmonë qytetin që në bazën e emrit të tij ka fjalën gjak. Edhe në kohën e themelimit, edhe në kohën e pashallarëve e të hoxhallarëve, edhe në kohën e partizanëve e të ballistëve, edhe në kohën e “ateistëve të shpifur” që nga marazi i kemi pas quajtur “të pafe”! Gjakova mund të ketë pasur edhe fat edhe fatkeqësi, por në kohën kur e ka ndjerë lirinë e kërkuar me qindra herë nëpër rrugë, ka fituar modelin më të keq të shkollave qeverisëse. Në kohën kur beteja më e rëndësishme është liria e jetës, përtej lirisë dhe të drejtave elementare, shkollat qeverisëse komunale kanë qeverisur zymtë, duke u bërë herë-herë komike e herë-herë kriminale e më të zeza se sa pushtuesit e deridjeshëm.

Pashallarët e paqes “në emër të paqes” e kanë ngufatur atë. Në kohën e lirisë, atëherë kur qyteti do të duhej të merrte drejtimin përpara, ka shkuar në ecje së prapthi, duke u bërë çdoherë e më i vogël. Dënimin me vdekje të tij, sikur e kanë nënshkruar “trimat e çarshisë, djemtë e rrugës dhe doktorët e kulturuar”. Kushedi cili do të ketë qenë faji i këtij qyteti që ndëshkimi të ishte kaq i pamëshirshëm. Mbase trashëgimia e tij e krijuar me kohë, që ka pasur një vlerë të cilësuar dikur, mbase gjithë ajo që quhet kulturë atdhetarie e qytetarie njëkohësisht. Mund të jetë që asgjë të veçantë të mos ketë pasur asnjëherë, por që tekat dhe mllefet personale janë shndërruar në armë vrasëse. Çfarë mund të jetë arti e kultura nëse jo përpjekje po aq e kulturuar për ta mbrojtur me çdo kusht shpirtin e një komuniteti dhe zemrën e përvëluar të një qyteti!

Mund të jetë që asnjëri prej tyre nuk e ka dashur qytetin e kuq, nuk e ka ndier atë, nuk ka dashur ta dojë mbase, prandaj edhe e kanë zvogëluar kaq shumë.

S’ka si të jetë që një qytet të jetë një biznes privat dhe shumë më pak të trajtohet si çiflig i pushtetarëve të djeshëm e të sotëm që kryesisht janë edhe të padije, edhe me kollare!

Njerëzit e tij nganjëherë duken se bredhin rrugëve si nomadë. Dyqanxhinjtë pranë dyqaneve presin myshterinjtë. Çekanët e zanatlinjve gati se kanë pushuar, “maqinat” e rrobaqepësve po ashtu, vekë nuk ka, plisave pluhuri u ka rënë. Në Çarshinë e Madhe ku të duhen çizme llastiku për ta kaluar, dyqanet, të gjitha janë në rend “for rent”, po as me qira nuk i do kush, ani pse janë tepër lirë! Sikur diçka të buçiste “Rent or rent, rent e u thuaj…se u shthur ordi e huaj...” Por jo, të huajt janë kudo…edhe vetë gjakovarët po bëhen të huaj, për qytetin që po tëhuajësohet!

Njerëzit e tij nganjëherë bredhin si nomadë, larg tensionit dhe larg institucionit. Larg dialogut e larg të qenit person që drejton mjedisin e vet, siç ndodh kryesisht në pjesën më të madhe të shqiptarëve, por që aty njerëzit e qytetit të vet nuk kanë asnjë armë për atë se çfarë mendojnë dhe çfarë do të donin të veprojnë. Sepse të zotët e shkollave qeverisëse, nga e para në të fundit…i kanë rrjepur, derisa ua kanë vjedhur fjalët dhe forcën. Si për çudi, të gjithë ata rend e rend, ishin Një!

Prej kalldrëmit të zhdukur deri te ndërtesa e braktisur në qendër, prej memorialëve të pasluftës, që ende s’u bënë, e deri te kurorat e dëshmorëve të shpikur, prej heroit të panjohur në lagjen e vjetër e deri te ngrehinat e ndryshkura, prej bombave deri te kontaminimi i jetës në këtë qytet, sot është Gjakova dhe qytetaria e saj që po vritet!