Rama: 2 rastet kur jam ndeshur me
Shullazin me porosi të PD/ Debatet

Rama: 2 rastet kur jam ndeshur me<br />Shullazin me porosi të PD/ Debatet
Edhe këtë të enjte seanca e Parlamentit shqiptar u shoqërua me tone dhe debate mjaft të ashpra mes dy forcave më të mëdha politike.Çështja e Emiljano Shullazit dhe kërcënimet e tij ndaj profesor Mynyr Konit dhe disa biznesmenëve kanë qenë në qendër të debatit parlamentar.
 
Kreu i grupit parlamentar PD akuzoi kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm Tahiri se, po e mbrojnë atë. Sipas Palokës, arrestimi i Shullazit u bë nga Prokuroria, ndërkohë që Rama deklaroi të kundërtën. Ishte policia ajo që kreu prangosjen pa denoncim, vetëm me indicie ndërkohë që prokuroria nuk reagoi.

Ne fjalën e tij Rama tha se PD po përpiqet të bashkojë çdo hero të krimit me Partinë Socialiste dhe qeverinë kur e vërteta është ndryshe, ate e ndaloi policia.  Kryeministri deklaroi se Emiljano Shullazin e ka ndeshur në zgjedhjet e 2007  dhe 2009, kur dhunoi me porosinë e PD takimin elektoral të PS në Njësinë 7, dhe për këtë ka dëshmitarë Hysin dhe Bare.

Por pak minuta më vonë Ministri i Brendshëm sqaroi se në deklaratën e tij kryeminsitri kishte bërë një lapsus për procedurën e ndjekur për arrëstimin e Shullazit. 
 
“Kryeministri bëri një lapsus. E vërteta është që policia, ka referuar çdo material për këtë çështje. Është policia që ka bërë çdo veprim për këtë çështje dhe kaq, të tjerat hetojini me Komision Hetimor”-tha Tahiri
 
Lidhur me cështjen Shullazi pati debate të ashpra që u nxitën më pas edhe me ardhjen e ish-kryeministrit Berisha në sallën e Kuvendit.
 
Nga Shullazi debati u zhvendos tek deklarata mjaft e pazakontë e ish kryeministrit Berisha i cili duke e cilësuar ekzekutivin aktual si një organizatë kriminale, u ka bërë thirrje qytetarëve që të armatosen kundër saj.

Debatet pa mikrofon në Kuvend
Edi Rama: Këtë personazh e kam ndeshur vetëm dy herë në jetën time dhe e kam ndeshur me porosinë tuaj.
Sali Berisha: Thuaja emrin, thuaja...

Edi Rama: E kam ndeshur herën e parë në zgjedhjet e vitit 2007, e kam ndeshur herën e dytë në zgjedhjet e vitit 2009.
Sali Berisha: Ja, nuk ja thotë dot emrin. Përmendja emrin. Fol me emër e mbiemër këtu.

Edi Rama: Gjobat që thuhen dhe përthuhen njëra pas tjetrës, i përket kohës së kryeministrit tënd, Jozefinë.
Bedri Hoxha: Ka frikë t’ia thotë emrin ai.
Taulant Balla: Sypeshkaqeni, si Shkëlzeni.

Flamur Noka: Rama e di këtë histori më mirë se ne. Kujton ti se nuk e dinë shqiptarët, që atë (Tahirin) ta kanë marrë me shpulla.
Edi Rama: Jozefinë, po ti mund të vish këtu e të thuash që e arrestoi Saliu.
Jozefina Topalli: Po, ai e arrestoi.

Edi Rama: Po Jozefinë, po.
Jozefina Topalli: Absolutisht.
Valentina Leskaj: Fjalën e ka z. Berisha. Po, znj. Topalli për replikë? Zgjidheni mes njëri-tjetrit. S mund ta merrni fjalën të dy njëkohësisht.
Taulant Balla: Plotësojua dëshirën, lëri të dy bashkë.

Edi Rama-Palokës: Ti pusho, se do ta marr të gjithë rrogën. Një më një. Që të gjithë e do ja fal shkollës së gazetarisë.
Taulant Balla: Sali, boll tani, ke folë 35 minuta.
Sali Berisha: Pusho ti aty, do flas sa të dua.

Flamur Noka: Ai i pari foli sa deshi.
Taulant Balla: Ka një ndryshim, ai është kryeministër, ky është një pensionist.
Valentina Leskaj: Fjalën e ka ministri Tahiri për replikë.

Flamur Noka: Por nuk mund të flasë koka e krimit për luftimin e krimit. Ti je një çerr i krimit.
Arben Çuko: Po boll tani të dëgjojmë atë, se nuk do dëgjojmë ty.
Flamur Noka: Mos dëgjoni mua. Çohuni e reagoni ju. Pse nuk reagoni?




(Fjala e Ramës nga foltorja)



*****
Zhvillimet minute pas minute nga seanca plenare
Kryeministri Rama nga folorja e Kuvendit ka folur për herë të parë për arrestimin e Emiljano Shullazit. Ne fjalën e tij Rama tha se PD po përpiqet të bashkojë çdo hero të krimit me Partinë Sociialiste dhe qeverinë kur e vërteta është ndryshe, ate e ndaloi policia.  Kryeministri deklaroi se Emiljano Shullazin e ka ndeshur në zgjedhjet e 2007  dhe 2009, kur dhunoi me porosinë e PD takimin elektoral të PS në Njësinë 7, dhe për këtë ka dëshmitarë Hysin dhe Bare.

“Nuk e kuptoj me cfarë lloj kurajoje kërkojnë të bashkëngjisin me ne këtë lloj llumi. Si ka mundësi që nuk latë hero të botës së krimit pa e bërë hero të politikës tuaj. Flisni këtu sikur e arrestuat ju, Kush e ka arrestuar? Në fakt e vërteta edhe sikur të ishte kështu përsëri nuk do të ishte kundër asaj që po them unë. Këtë rast e vërteta është më ndryshe ndalimi është bërë nga policia e cila ka filluar procedurën pa patur një denoncim konkret por duke u nisur vetëm nga një indicia e paprovuar dhe ka kërkuar nga prokuroria për arrestim autorizim dhe e ka marrë pas mesnate kur personazhi ka qënë në qeli. Ju jeni viktimat e para që atij që ju ka drejtuar 25 vite në një vrapim të strukturuar nga një personazh si Hitleri. “-tha Rama.

Ora 13:45 Halimi: Rama mbështeti Shullazin më shumë se avokati i tij
Deputeti demokrat Eduard Halimi tha se kryeministri Edi Rama përkrahu Emiljano Shullazin kur tha se prokuroria nxori me vonesë urdhërim e arrestit të tij.

Me këtë deklaratë, tha Halimi, “Rama e bëri atë që nuk e bëri as avokati i Milit”. Ajo që tha Rama “shkon në favort të Milit”, shtoi ai.

Ora 12.30 Rama-opozitës: Shullazi sebepi i rradhës për të shtyrë reformën
Kryeministri Edi Rama e quajti përpjekje të dëshpëruar, shtyrjen e reformës në drejtësi nga Partia Demokratike. Në fjalën e tij në foltoren e parlamentit, Rama tha se tashmë pengesë e vetme e miratimit të reformës në drejtësi është opozita.

Sipas kreut të maxhorancës, arrestimi i Emiljano Shullazit, është sebepi i rradhës që opozita nuk do ta votojë reformën në drejtësi.

"Mua më bëhet qejfi që për herë të parë juve jeni vënë në mbështetje të prokurorisë, po është e njëjta që ka kërkuar burg për Xhelal Mziun. Si mund t'i thoni shqiptarëve e duam reformën por nuk ulemi ta bëjmë sepse kemi ca probleme të tjera. Ne në tavolinë jemi, ju s'jeni. Juve shyqyr që ju doli Shullazi që të gjeni sebepin tjetër edhe prapë të shtyni reformën. Çdo gjë për ju është sebep për ta shtyrë reformën. Byronë e hetimit e kemi ne në program. FBI e kemi sjellë ne në Shqipëri. E kam ftuar unë. Ju nuk e ftonit. Unë them që është humbje më e madhe e kohës kjo e enjte me ju sepse jeni kaq larg realitetit dhe keni kaq pak respekt për shqiptarët. I dini kaq budallenj sa mund të besojnë këto që juve u tregoni si të vërteta," tha Rama.

Më tej kryeministri shtoi se opozita do ta votojë reformën sepse e ka frikë atë.

"Unë se kam thënë që ju nuk e doni. Jam i bindur se ju me njërën këmbë, apo me të dyja këmbët në ajër ju do e votoni. Mendoj se e keni frikë reformëm, por nuk them se nuk e doni. Me këtë rrugë do dilni shumë keq. Ne jemi në tryezën e reformës të gatshëm çdo ditë për votuar. Aty s'ka asnjë pengesë. Venecian e llogarisnit si vend ku shkohet për poker. E keni përdorur aq shumë sa na dukej sikur na rridhte ujë në shtëpi" u shpreh Rama.

Për kryeministrin shtyja e reformës është përpjekje dëshpëruese, pasi opozita nuk do t'i shpëtojë kartonit jeshil për reformën.

"Pse e vononi? Pse harxhojmë kohë me marrëzitë tuaja dhe nuk punohet me reformën. Pse sot nuk mblidhet komisioni dhe pse brenda kësaj jave nuk mbaron?  Çfarë e pengon, asgjë. Ju mendoni se sa më shume të merreni me gjëra pa lidhje me reformën me pseudoçështje në emër të lirisë, aq më shumë do mund ta shtyni dhe t'i shpëtoni kartonit jeshil për reformën. Është një përpjekje e dëshpëruar, njerëzish të dëshpëruar, në një parti pa asnjë vizion, pa argumenta, vetëm me shtypin e ditës dhe qytetarin dixhital. Edhe partia famëkeqe e punës i shikonte me rezerve letrat anonime," tha Rama duke e mbyllur fjalën me këtë frazë: "Ju hani një përshesh që as nuk e gatuani dhe as nuk keni mundësi ta refuzoni."

Ora 11:21 Paloka; Ka tabulate qe tregojne lidhjen e  Rames me krimin
Një deklaratë mjaft e fortë ka ardhur nga kreu i grupit parlamentar Edi Paloka në replikë me kryeminsitrin Rama. Nga foltorja e Kuvendit Paloka tha se ekzistojnë disa tabulate telefonike që tregojnë lidhjet e kryeministrit Rama me krimin.

Ai tha se këto tabulate, janë paraqitur në gjykatë nga ai, në gjyqin që kishte kundër Ramës, por nuk u pranuan si prova.

“Do zoti hapen ato tabulate që nuk mu pranuan si provë në gjyqin kundër teje. Uroj që prokuria ti shkojë deri në fund dhe ti publikojë tabulatet dhe të shohim kush është shpifesi, e a kam shpifur unë për lidhjet tuaja”, tha Paloka, i cili akuzoi kreun e qverisë se ka lidhje me Shullazin.
 

Ora 11:20 Paloka: Shullazi eshte future pa dijeninë e Ramës në burg
Kreu i grupit parlamentar demokrat tha se Shullazi është arrestuar pa dijeninë e kryeministrit Rama

"Nuk habitem nga habia e Ruçit, por e vetmja habi këtu është që ku ky vend po shkon drejt rrënimit moral e politik por ka arritur deri në atë pikë sa krimi i Shullazëve të kërcënoi universitetin dhe Rucit i duket habi pse kjo çështje ngrihet në parlament. Kjo është absurde. Ne përfaqësojmë interesat e qytetarëve. Shefi juaj i vërtetë është futur pa dijeninë e shefit tuaj të zgjedhur me referendum në burg. Urojmë që shqetësimi juaj të mos jetë si ai i Ramës dhe i Tahirit që për 3 ditë nuk dinin ku të shkonin se u kishin kapur shefin. Ky është problemi që duhet të diskutojmë, jo për të bërë pallavra," deklaroi Paloka:
 
Pas deklaratës së Edi Palokës në foltoren e Kuvendit lidhur me çështjen “Shullazi ka reaguar edhe kryeministri Rama i cili e ka cilësuar Palokën si një shpifës të dënuar nga Gjykata.
 
"E kam çuar këtë zotëri në gjyq e i kam thënë provo një të vetëm. Në gjyq si pulë. “Kjo është cështje politike nuk kam asnjë lidhje, Jam përfaqësues i një aprtie kam parti bindja e partisë është provë kshu thoshtë në Gjykatë. Është dënuar si shpifës nga Gjykata”-tha Rama duke i’u drejtuar Palokës.

Ora 11:14 Boçi: Shullazi personazh i krijuar nga kryeministri Rama.
Luçiano Boçi, shefi i departamentit për arsimin në Partinë Demokratike tha se zgjedhjet e u tronditen nga politika e veshur me krim, duke bërë një analogji të Republikës së Letrave me atë të Rrugës.

"Këto zgjidhje nuk ishin aspak të lehta. U shkelën, u dhunuan, u tronditën nga politika e veshur me krim dhe nga krimi që kërkoi të vishte tunikën e akademikut. Republika e dijes në analogji me atë të letrave u kërcënua nga Republika e Rrugës dhe i'u kërkua t'i imponoheshin me zor," tha Boçi.

Më tej ai u shpreh se ishte kryeministri Edi Rama ai që e çoi Shullazin tek Koni duke shtuar se ai e krijoi atë si personazh.

"Shumë kolegë në këtë sallë, do thonin që ishte Rama vetë ai që e çoi Konin vetë tek Shullazi, më lejoni të bëj një paralelizëm të thjeshtë. Kur Tolstoin e pyetën me indinjatë duke akuzuar pse Ana Kareninën e çoi në rrotat e trenit, ai tha ajo shkoi vetë. Unë thjesht e krijova dhe e mbështeta. Ndjesë se s'mund të krahasohet Rama me Tolstoin. Rama i krijon personazhet e tij për të grabitur vlera njerëzore. Nëse do e pyesja Ramën për personazhin e tij real, do thoshte ka ikur vetë. Gjithsesi prej nesh e di mirë se ky është i krijuar nga ky kryeministër, ai e mbështeti e frymëzoi dhe  bëri atë që të kapërcej portën e rëndë të universitetit," deklaroi Boçi.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë