Rama: Në Durrës po hetohen 60 firma, rindërtimin do e bëjnë kompanitë që kaluan testin e tërmetit!

TIRANE-60 kompani ndërtimi janë në hetim nga prokuroria dhe policia në qytetin e Durrësit për shembjet e pallateve dhe godinave të tjera pas tërmetit tragjik të së martës së kaluar ku humbën jetën 24 persona nga 51 në total. Kryeministri Edi Rama deklaroi në mbledhjen e dhjetë të jashtëzakonshme të qeverisë se janë 30 persona në grupin e hetimit të policisë kriminale bashkë me prokurorët që po mbledhin dokumentet për të vendosur para drejtësisë autorët e ndërtimeve abuzive. Të hënë në tavolinën e kryeministrit do duhet të jenë vendosur dosjet e pallateve që do të shemben dhe ato që do të meremetohen. Kjo ishte detyra e radhës e lënë për kabinetin e tij.

E ndërsa po vijon mbledhja e fondeve nga donatorë të ndryshëm, Edi Rama tha se po bëhet gati një ligj special për rindërtimin, por ngriti shqetësimin e mungesës së fuqisë punëtore duke kërkuar përshpejtimin e procedurave për miratimin e ligjit që lejon marrjen e fuqisë punëtore nga jashtë nëse do të jetë e nevojshme. "Nuk mundet që rindërtimi të bëhet me procedura normale, prandaj është e rëndësishme të kemi një ligj të posaçëm për rindërtimin, duhet ta koordinojë si agjenci Fondi Shqiptar i Zhvillimit" tha Rama.

Por kush do ta bëjë rindërtimin? Kreu i qeverisë tha se në garë do të pranohen vetëm ato kompani që kaluan testin e tërmetit të 26 Nëntorit. "Duhet bërë edhe lista e kompanive që përmbushin parametrat e sigurisë që do të jenë pjesë e shortit për ti ftuar më pas në programimin e rindërtimit" tha ai. Por për zonat rurale, banorët që duan të ndërtojnë vetë shtëpitë, shteti u jep nga 2 mln lekë të reja në dorë (20 mln lekë të vjetra).

7400 persona deri tani janë në çadra, të cilat kryeministri kërkoi që të rikthehen sërish për t'u përdorur në raste të tjera emergjence. Ndërkohë që sot, u shpreh Rama, do të largohet nga Shqipëria për pak orë pasi duhet të jetë i pranishëm në ceremoninë e marrjes së Presidencës së OSBE-së nga Shqipëria në Bratislavë për t'u kthyer sërish nesër. Një tjetër pikë e rëndësishme e mbledhjes së sotme ishte edhe paketa anti-shqpifje, për të cilën Rama tha se do të kalojë në seancën e fundit në 19 Dhjetor me një klauzolë të vecantë për gjendjen e jashtëzakonshme, që përcakton një super dënim për ata që përhapin panik dhe lajme të rreme.

Disa nga vendimet e sotme të qeverisë
Mbyllet skema e pagesës 100% të qerave të apartamenteve, për familjet që nuk kthehen dot në shtëpi deri në përfundimin e rindërtimit ose meremetimit të banesave të tyre

• Gati për të nisur sistemimin në apartament me qera të paguar nga shtetit të 65% të familjeve në Tiranë

• Gati nisja e meremetimeve të pallateve të dëmtuara, nga një grup i parë firmash që i kanë ndërtuar ato pallate në TR&DR

• Vëmendje maksimale familjeve në zonat rurale, për akomodimin në çadra dimërore. Procesi i vendosjes së tyre vazhdon intensivisht

• Gati pagesa e dakordësuar me çmim shumë të arsyeshëm, për të gjitha strukturat hoteliere ku janë akomoduar familjet që kanë humbur strehën

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:00
Klosi: Operatorët kërkojnë certifikimin e pallateve në Durrës për turizmin

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi kërkoi që të bëhet certifikimi i pallateve në Durrës, pasi operatorët kërkojnë garanci pas situatës që ndodhi. "Operatorët kërkojnë një garanci shtesë, një certifikim për hotelet sidomos në Durrës, që është në media edhe nga debati që bëhet i rrezikuar si destinacion për sezonin e ardhshëm" tha Klosi.

Ora 07:58
Rama: Një mijë denoncime për ndihmë te platforma

Tre ditë pasi u vendos në shërbim të të prekurve nga tërmeti, një mijë denoncimi dhe kërkesa për ndihmë kanë shkuar në platformën e bashkëqeverisjes. "Në Durrës të bëhet gati plani i qirave, pasi stoku është zero. Në Durrës duhet parë situata me qiratë, pasi në Tiranë është mbyllur. Në Janar me kujdes dhe qetësi të spostohen nga hoteli në shtëpi me qira, jo tenda dhe rrugë, do të jetë të mbrojtur nga shteti deri në fund. 4 shkolla në Durrës që do të hidhen në tokë. E dyta përveç ligjit për konferencat e dhomave të tregtisë, Shals me të gjitha dhomat e tregtisë së rajonit, eksportues, tregtarë e kështu me radhë. Deri tani pa asnjë reklamë, ka pasur 1000 ankesa dhe kërkesa te platforma e bashkëqeverisjes" tha Rama.

Ora 07:56
Çuçi: 7400 veta në çadra, Ikonomi po përgatit raportin për konferencën e donatorëve

7400 persona janë deri tani të strehuar në çadra. "29 objekte të prishura deri tani. Milva Ikonomi koordinatore kombëtare për përgatitjen e raportit për konferencën e madhe të donatorëve. Për çadra dimërore ka shumë kërkesa, pasi duhet të zëvendësojmë ata që nuk mbajnë as shiun as të ftohtin.

Në harkun e pak ditëve do të vijnë çadrat dhe të plotësojmë kërkesat më të mëdha. Ka edhe një kërkesë të shtuar për zonat rurale. Kemi 7400 veta në çadra sot, 30% kanë nevoje për zëvendësim, por gjithsesi edhe ky numër është i ekzagjëruar, pasi kemi marrë kërkesat bruto pa i filtruar. Janë persona, jo familje" tha ministri.

Ora 07:53
Rama: Banorët do i kthejnë sërish çadrat, na duhen për raste të tjera, jo tregti

Banorët që kanë marrë apo do të marrin çadrat dimërore do të duhet ti rikthejnë sërish. "Edhe dicka që u tha të mbledhja me presidentin, të gjitha çadrat do të jepen me përgjegjësi personave, e pastaj fillon tregtia e çadrave, është një pasuri që na duhet të jetë aty për cdo emergjencë nesër, përmbytje e kështu me radhë. Kthimi i çadrës do të jetë përgjegjësi e cdo personi që e merr. Nuk mund të përdoret për bagëti apo të jepet me qira më pas. Shfaqen lloj lloj dykëmbëshash që bëhen me gjashtë këmbë".

Ora 07:52
Rama: Sot iki nga Shqipëria për të marrë drejtimin e Presidencës së OSBE-së, nesër në 07:00 jam këtu

Sot Edi Rama dhe Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj do të udhëtojnë sot drejt Sllovenisë për marrjen e presidencës së OSBE. Nesër tha Rama do të rikthehet sërish në Tiranë, ndërsa më pas do të fluturojë drejt Stambollit për të marrë pjesë në konferencën e donatorëve të organizuar nga presidenti turk Erdogan.

"Unë dua të iki pas pak, Shqipëria merr presidencën e OSBE dhe do të kem një ngarkesë plus për të drejtuar OSBE dhe duhet të shkoj sot në Bratislavë për të marrë detyrën. Dhe direkt nesër do të shkoj në Stamboll në takimin që ka organizuar presidenti me investitorë dhe biznesmenë. Besoj se do të kthehem me çadra me vete. Por duhet menaxhuar sa më mirë kjo logjistikë. Ka vlerë të madhe për të qenë pjesë e gjithë logjistikës sonë në vijim" tha Rama.

Ora 07:48
Rama: S'ka shpërblime, këngë e valle për festat, çoni dhurata për fëmijët e prekur

Për fundvit administrata nuk do të ketë shpërblime, madje as festa, ndërsa kreu i qeverisë dha një porosi. "Po kalojmë një vendim për krijimin e fondit të veçantë, që ndalon përdorimin e fondit të veçantë për veprimtari për social kulturore dhe shpërblim për vitin e ri. I falenderoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në dhurim, kryetarë bashkishë, drejtues institucionesh. Refuzoj atë shpifjen që kemi detyruar punonjësit të japin rrogën se nuk kemi lekë. Asgjë nuk është bërë me detyrim. Ne vetë i dedikuam rrogën e nëntorit, kryetarë bashkishë bënë të njëjtën gjë. Jo darka e valle për vitin e ri, të organizohemi të gjithë që të gjitha institucionet t të ndajnë një pjesë së kohës së festave për të vizitua njerëzit, të cojnë dhurata për fëmijët" tha Rama.

Ora 07:45
'Kalon në 19 Dhjetor'! Rama: Në ligjin e anti-shpifjes, klauzolë të veçantë për gjendjen e jashtëzakonshme

Në ligjin e anti-shpifjes që do kalojë në 19 Dhjetor, Edi Rama tha se do të ketë një klauzolë për lajmet e rreme në gjendje të jashtëzakonshme, që do të jenë të superdënueshme. "Në seancën e 19 Dhjetorit duhet të përcaktojnë një klauzolë në ligjin anti shpifje që besoj do të hyjë në 19 Dhjetor. Shpifja në gjendjen e jashtëzakonshme është e dënueshme, duhet të jetë e super dënueshme. Lajmet e rreme dhe lodrat mediatike si kjo që kaluam janë kriminale. Mjafton rasti i Durrësit, një lajm kriminal se po bie spitali, solli një të vdekur, pa llogaritur kaosin dhe të plagosurit për të ikur me vrap. Por spitali nuk kishte asgjë. Këto gjëra duhet të dënohen fort" tha Rama.

Ora 07:29
Rama: Brenda 19 Dhjetorit ligji special për rindërtimin, duhet ta koordinojë Fondi Shqiptar i Zhvillimit

Edi Rama tha se po bëhet gati një ligj special për rindërtimin që do të kalojë në 19 Dhjetor, ndërsa kërkoi që ta koordinojë si agjenci Fondi Shqiptar i Zhvillimit. "Klotilda Ferhati, Etilda Gjonaj dhe Edlira nga Kryeministria duhet të kenë sa më shpejt draftin e ligjit të posaçëm për rindërtimin. Është koha e shkurtër, e di, por ju lutem që në 19 dhjetor në seancën e fundit të çojmë ligjin e posaçëm për rindërtim. Nuk mundet që rindërtimi të bëhet me procedura normale, prandaj është e rëndësishme të kemi një ligj të posaçëm për rindërtimin, duhet ta koordinojë si agjenci Fondi Shqiptar i Zhvillimit" tha Rama.

Ora 07:24
Lagjet e reja, Rama: Te '5 Maji' në Tiranë mund të ketë një KÇK të vogël, të pastrohet...

Kryeministri kërkoi nisjen e pastrimit të zonave në Tiranë ku janë planifikuar që të ndërtohen lagjet e reja për të pastrehët. "Laçin ia kemi besuar kompanisë turke për ndërtimin e 500 apartamenteve. Tirana në lagjen e "5 Majit" duhet rishikuar në funksion të situatës, një plan i parë që kemi pasur të bëhet gati nëse ka nevojë për disa prishje apo shpronësim, te i famshmi kompleks i superbetonit, është pronë shteti, por mund të ketë një KCK të vogël atje, të pastrohet. Në Kombinat të shikohen edhe ato pallatet sovjetike" tha Rama.

Ora 07:22
Rama: Kush ndërton shtëpinë vetë në fshat do të marrë 20 mln lekë në dorë

2 milionë lekë do të marrin në dorë të gjithë ata banorë që jetojnë në zonat rurale dhe shtëpitë e shembura nga tërmeti duan ti ndërtojnë vetë. "100% të qirasë për një vit për ata që nuk kanë strehë, 65% e njerëzve në nevojë hyjnë në ditët në vijim, ky proces Ogerta duhet ndjekur nga ti pavarësisht se bashkia Tiranë e ka përgjegjësinë direkte. Thjeshtë një sy nga ana e qeverisë është i nevojshëm. Sot e vijim do të akomodohen të prekurit nga tërmeti i shtatorit. Të bëhet gati për shtëpitë individuale.

Për ata që janë në fshat dhe duan të ndërtojnë vetë shtëpitë tu japim financim, mesatarisht 20 mln lekë të vjetra, pasi fitojnë kohë dhe nuk rrinë të presin të vijë dikush, por me një supervizionim që të garantojë të gjithë parametrat. Shtëpitë indiviuuale së bashku me komunitetin dhe shoqatat e solidaritetit, rruga tjetër me para në dorë për ata që paraqiten dhe duan të ndërtojnë vetë shtëpinë".

Ora 07:22
Rama: Në Durrës po hetohen 60 kompani! S'kemi fuqi punëtore për rindërtimin

60 kompani në Durrës janë në dorë të prokurorisë dhe policisë për ndërtimet abuzive. Vetëm ato kompani që kanë kaluar testin e tërmetit do të pranohen në garë për procesin e rindërtimet, që Rama tha se ka mungesë të fuqisë punëtore. "Në Tiranë dhe Durrës është gati të fillojë procesi i meremetimeve, në Durrës janë 12 kompani, unifikoni procedurën me Tiranën, për 24 orë të jepet leja, por plani i supervizionimit të jetë i joni.

60 firma në Durrës janë të regjistruara nga policia dhe hetimi përkatës si kompani që lidhen me godina të dëmtuara, 12 janë gati, një apel të tjera që të vijnë, nëse duan të lajnë një pjesë të shpirtit të tyre në këtë proces. Ndërkohë që procesi i hetimit vijon, janë 30 persona në grupin e hetimit të policisë kriminale bashkë me prokurorët që po mbledhin dokumentet. Nuk ka asnjë provë që fshihet të gjitha vendngjarjet janë të mbyllura nga pikëpamja e dokumenteve, provave, fotografimi, etj. Duhet bërë edhe lista e kompanive që përmbushin parametrat e sigurisë që do të jenë pjesë e shortit për ti ftuar më pas në programimin e rindërtimit.

Ky program kërkon një fuqi punëtore të madhe. Kemi një problem me fuqinë punëtore, të marrim edhe nga jashtë. Duhen mijëra njerëz që do të përfshihen në punë. Në seancën e datës 19 ta kalojmë në parlament, që e kemi bërë gati që në tetor për aksesin e fuqisë punëtore nga jashtë. Në mbledhjen e radhës të jashtëzakonshme, kryeministri Edi Rama u shpreh se "Të behen dosjet e pallateve që do të shemben. Deri ditën e hënë të jetë plani i punës në tavolinë. Kombinati dhe për pastrimin e inerteve ta bëjnë kompanitë me kontribut. Në Durrës kjo është vënë në vijë. Të fillojmë pa humbur kohë edhe transformimin e fushës në Porto Romano. Brenda Dhjetorit të mbyllen dhe të mos shkojnë më plehra në Porto Romano. Është momenti të mbyllet edhe plaga e madhe e maleve të Krujës, të fashohen".

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Drejtesi: 06/12/2019 15:46

    Ti ne radhe te pare zoti kryekorruptor duhet te hetosh Vangjushin tat qe beri kerdine me lejet e nderimit mbi rere dhe administraten qe abuzoi me vite te tera pastaj ndertuesit po tu biesh fort po ti nuk e ben se je i lidhur me Gjushin e betonit o i mjere dhe mjere Shqiperia qe te ka ty

    Përgjigju
  • Ramazoni: 06/12/2019 09:59

    Ne durres dhe ne tirane riparimet e pallateve po behen me kartonxhes! Mire qe spo i ngjisin dhe tullat me skoc! Shqiperi e mjere!

    Përgjigju
  • Emigranti: 06/12/2019 08:41

    Normale që ska më fuqi punëtore, sepse si PD dhe PS punuan fortë për veten e tyre vodhën sa deshën dhe detyruan gjithë rininë të ikte nga syt këmbët.

    Përgjigju
    • Adri: 06/12/2019 13:35

      Fix fare....

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Ministri i Financave akuzon Prokurorinë Speciale se po lufton Kurtin e motivuar politikisht

Kosovë/ Ministri i Financave akuzon Prokurorinë Speciale se po lufton Kurtin e motivuar politikisht