Fenomeni i përçarjes së politikanëve shqiptarë në këto njëqind vitet e fundit është i njohur, sikurse të njohura janë edhe pasojat e atyre përçarjeve për fatin e shqiptarëve. Por, deri më sot, këto përçarje në analizën historike janë interpretuar gabimisht duke i futur të gjithë politikanët në një thes, dhe më pas është dhënë vlerësimi: Të gjithë politikanët shqiptarë për inate personale kanë kompromentuar interesin kombëtar.
Fabrikimi i kësaj të “vërtete” nuk është pasojë e mosdijes, e kundërta, është plan i atyre që duke e shtrembëruar historinë, përpiqen të rregullojnë veten.
E vërteta është krejt tjetër, dhe këtë na e konfirmon një interpretim i drejtë i historisë. Kështu, për ta bërë më konkrete këtë çështje, kthehemi pak mbrapa në histori dhe sjellim raportin e Ahmet Zogut me Fan Nolin dhe Hasan Prishtinën.
I pari, çdo përpjekje të të dytëve e interpretonte si irredentizëm, duke u shprehur se një luks të tillë Shqipëria nuk mund ta konsumojë. Pra, ai për interesin e pushtetit të tij, luftonte çdo përpjekje për ta bërë shtetin shqiptar në kufijtë e tij natyralë. Noli dhe Prishtina e luftuan edhe ata Zogun, por jo për inate politike e personale, por sepse e shihnin tek ai pengesën për realizimin e projektit më të mirë për shqiptarët.
Prandaj nuk mund të thuash edhe Zogu, edhe Noli e Prishtina për interesa personale e lanë anash interesin e kombit. Jo, i pari kishte vetëm interesa personale, të dytët kishin vetëm ideale kombëtare.
Edhe sot, njëjtë nuk mund të thuash edhe Vjosa Osmani, edhe Edi Rama nuk arrijnë t’i kalojnë inatet personale. E para për fat të keq vepron vetëm me të vërtetet e partisë, i dyti vepron dhe shqetësohet për të vërtetat e shqiptarisë. E para, edhe me partinë e saj të dikurshme – LDK – e mohonte dhe e luftonte UÇK-në, dhe me partinë e tanishme – Vetëvendosjen – vazhdon ta bëjë të njëjtën gjë. Prandaj mos i kërkoni Edi Ramës, i cili pjesën më të madhe të angazhimit politik e ka mbrojtjen e UÇK-së dhe luftës së tyre të drejtë, të jetë afër dhe mirëkuptues ndaj Vjosa Osmanit dhe të tjerëve si ajo.
Koncepti i Ramës për shqiptarinë është tjetër nga ai që na serviret çdo ditë nga politikanë provincialë në Prishtinë, siç është edhe Vjosa Osmani. I pari e njeh të kaluarën historike dhe mbi bazën e saj mundohet të ndërtojë të ardhmen. E dyta, as nuk e njeh të kaluarën, e aq më pak di ta menaxhojë të tanishmen dhe të ardhmen.
Rama kriter për proshqiptarizëm e ka pozicionin pro UÇK. Vjosa Osmani e neveritshme edhe si kulturë familjare, dhe si formim politik (i thënçin formim) është anti – UÇK. Prandaj, distancimi i Ramës me Osmanin është dashuri e madhe ndaj shqiptarisë.
As Rama, dhe askush që është pak normal nuk do ofrohej me një person familja e të cilës i ka shërbye Millosheviç-it, dhe partia e të cilës e ka kundërshtuar UÇK-në në luftë, dhe e lufton edhe sot në paqe.
Prandaj, Rama nuk ka lëvizur nga qëndrimi i tij prej një shqiptari modern dhe të matur. Në Prishtinë ka ndërruar klima ku e kaluara nuk është bash e kaluara dhe e tanishmja nuk është mjaftueshëm pa të kaluarën. Kështu që mos i kërkoni Ramës llogari pse refuzon retushimin e historisë për interesa meskine të Osmanit dhe Kurtit.
Ai e di, liria dhe pavarësia e Kosovës e mbajnë vulën e UÇK-së. Çdo gjë tjetër që provohet jashtë kësaj, Rama do sillet si një cinik i kultivuar. Ashtu siç bëri dikur Diogjeni i mençur duke e përbuzur arrogancën e Aleksandirt të Madh, Rama bëri njëjtë, duke e përbuzur ligësinë e Osmanit të vogël sot.
*Azdren Shala, historian