Pas kapjes së Nicolas Maduro në Venezuelë nga amerikanët, në Shqipëri lindi shpresa e madhe, sidomos te Partia Demokratike, se edhe Edi Ramës i erdhi fundi dhe ai do të merrej me helikopter për t'u çuar drejt SHBA-ve. Shumë eksponentë të PD-së, shpërthyen në statuse dhe deklarata, duke ngritur frymën se shpëtimi po vinte nga Presidenti Trump.

Por tani që Rama është pajisur me ftesë për në Bordin e Paqes dhe pasi u bë e qartë që i dorëzoi familjes Trump, Zvërnecin dhe Sazanin bashkë, Sali Berisha ka mohuar që Partia Demokratike, të ketë patur qëndrimin (dhe shpresën) se kryeministrin do ta largojnë si Maduron e Venezuelës.

Berisha tha në emisionin "Opinion" se këto deklarata i ka përhapur Rama vetë, për të bërë diversion, madje e quajti "teknikë e ulët moralisht".

"Jo, nuk e kam thënë kurrë. Kjo është teknikë e marrëdhënieve të tij publike, një teknikë shumë e ulët moralisht. Të gjitha këto i nxjerr vetë ai. Ramën nuk e rrëzon as Amerika, as SKAP, por do e rrëzojë opozita. I përhap vetë Rama këto. E kam bërë shumë të qartë se Ramën do e rrëzojnë qytetarët. Këto janë teknika, që Rama i përhap vetë. Janë mashtrime shumë të ulëta. Laburistët e përdorën këtë teknikë, por iu kthye në boomerang", deklaroi Berisha.

Mirëpo kjo deklaratë bie ndesh me statuset e numrit 2 të PD-së, Flamur Nokës, i cili në ekzaltim e sipër nga kapja e Maduros, shkruante se pas diktatorit të Venezuelës, rradhën e ka Ramaduro! 

Ndoshta Noka nuk është konsultuar me partinë dhe këto i ka qëndrime personale. Por fundja nuk ka bërë ndonjë mëkat, thjesht ka treguar me fjalë, shpresën që ekziston në Partinë Demokratike, që dikush nga jashtë të bëjë punën që ata nuk po e bëjnë dot prej 13 vitesh./ Tema