Kryeministri Edi Rama tha se sistemi i ri i kamerave inteligjente do të rrisë sigurinë dhe cilësinë në shkolla. Ndër të tjera ai foli dhe për Policinë e Shtetit duke thënë se makinat e shtetit nuk mund të përdoren si private dhe se do të jetë e pamundur sabotimi i këtij projekti.
“Siguria në shkolla ndryshon. Shembulli i miqve nga Emiratet. Ky sistem ka hyrë në shkolla dhe jo vetëm që kanë rënë në mënyrë drastike mungesat në shkollë, por kanë rënë në mënyrë drastike edhe kopjet në shkollë. Sepse i gjithë sistemi është një sistem që funksionon për mësuesin, funksionon për prindin, funksionon për shkollën dhe, padyshim, për ministrin e Arsimit. Ashtu sikundër, në sekondën kur një person i dyshuar i afrohet derës së shkollës apo kur persona të padëshiruar vijnë vërdallë shkollës për të tregtuar lëndë narkotike, punonjësit e policisë e shohin këtë në kohë reale.
Elementët e kriminalitetit të rrugës e kanë të pamundur të shkojnë ku të duan dhe të bëjnë çfarë të duan. Natyrisht që kjo është një sfidë menaxhimi. Natyrisht që unë e kam kuptuar shumë mirë edhe mesazhin e një pjese të atyre që duhet ta kishin çuar përpara këtë projekt. Është e pamundur që një makinë policie të përdoret për punë personale. Si të gjitha makinat e policisë, do të jenë para syve të drejtuesve. Është e pamundur që makina e policisë të shkojë të ndalojë përpara restorantit dhe punonjësit e policisë të hyjnë dhe të hanë drekë në restorant, në uniformë. Dhe përsëri po flas për gjëra shumë të thjeshta.
Dhe unë e kuptoj shumë mirë ata që bëjnë çmos ta shtyjnë dhe ta sabotojnë këtë projekt, sepse dinë shumë më tepër se unë se sa hile dhe sa poshtërsi mund të bëhen duke njollosur uniformën e Policisë së Shtetit. Sepse syri për të cilin fola ka një rrjet mbulimi që, në 20 bashkitë me problematikat dhe lëvizjet më domethënëse, futet kudo. Futet kudo. Ky është sistemi i monitorimit që sjell kulmin e teknologjisë sot, me inteligjencën artificiale”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Gati ‘Smart City’, 5 mijë kamera inteligjente në 20 qytete! Rama: Sy magjik që identifikon në kohë reale shkelësit e ligjit











