VLORË - Guidës turistike shqiptare së fundmi i është shtuar Parku Arkeologjik i Orikumit. Pas një projekti rehabilitues të Ministrisë së Kulturës, tashmë ky park që është brenda bazës së Pashalimanit është rikthyer në një destinacion atraktiv i turizmit elitar.

Në këtë Park ishte sot, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.  

“Parku Arekologjik i Orikumit që këtë vit do të jetë në dispozicion të publikut e të turistëve të bregdetit Jon pas një operacioni pastrimi e sistemimesh që e nxorrën nga ferrat e braktisjes”, - shkruan Rama në Facebook.

Ministrja Kumbaro tha se në këtë zonë në harkun kohorë të një viti është trefishuar numri i turistëve dhe vizitorëve si rezultat i këtyre ndërhyrjeve.

“Para një viti e gjysmë ishe e tëra e mbuluar me ferra. E rindërtuam, e pastruam, ishte komplet e braktisur, tabelat mungonin, nuk kishte udhërrëfyes dhe nuk kishte pothuajse fare turistë. Kemi bërë gjithë pastrimin e territorit, pastrimin e  vegjetacionit, kemi vendosur tabelat e reja që në hyrje të rrugës, kemi një bashkëpunim me komandën që na lehtëson gjithë aksesiblitetin e turistëve, kemi vendosur shërbimin, guidën permanente dhe në një vit kemi një trefishim të numrit të turistëve dhe vizitorëve,  jo vetëm të të huajve, por edhe të qytetit të Vlorës që nuk e frekuentonin dhe është kthyer në qendër aktivitetesh për shkollat dhe studentët”, - tha Kumbaro.
Parku i Orikumit dhe të gjitha atraksionet turistike të Vlorës, nënvizoi Ministrja Kumbaro, tashmë janë gati për sezonin veror, kur edhe fluksi i vizitorëve vendas e të huaj është shumë më i madh.

Me reformën e re, Orikumi futet brenda bashkisë së Vlorës dhe futet në gjithë itinerarin turistik të bashkisë, bashkë me monumentet e tjera që tani  janë gati për sezonin, të gjitha të pastruara, që nga kalaja e Kaninës, muret antike e me radhë” – tha ajo

Një nga monumentet më interesante të Parkut është monumenti i gërmuar nga misioni Shqiptaro-Sovjetik në vitet 1958-1960, i cilësuar si Teatër, por që pas gërmimit sërish nga misioni shqiptaro-zviceran në vitin 2013 u konfirmua se bëhet fjalë për një Fontane ose Nymfe Monumentale, e ndërtuar rreth shek. I para erës sonë.  
orikum
orikum
orikum
Redaksia Online
(o.b/ Shqiptarja.com
)