Këtu shënohet fundi i kësaj fushate elektorale, një fushatë që ka qenë në shumë drejtime ndryshe nga të shkuarat?
Ka qenë ndryshe në dy aspekte. Njëri për meritën tonë, pasi kemi konceptuar një projekt strategjik prej shtatorit të 2011-s dhe realisht ka funksionuar thuajse si sahat zviceran, pasi kanë qenë të gjitha etapat e programuara, duke përfshirë një përdorim krejt të panjohur më parë në Shqipëri të teknologjisë së re të rrjeteve sociale, duke përfshirë një transformim të imazhit të PS në kuptimin vizual dhe sigurisht, e dyta, ka qenë ndryshe për meritën e mediave ose disponibilitetin e mediave, pasi besoj që në Shqipëri s’ka ndodhur ndonjëherë, është shumë e rrallë, e nuk e di në është e mirë apo jo, që të ketë kaq shumë hapësirë live në ekrane.
I është konsumuar debatet me orë të tëra gjatë javëve e javëve e besoj se nga kjo pikëpamje, është fushata e parë që ka kaq shumë mundësi për publikun që të përtypë argumenta dhe kundërargumenta.
Ndryshuat logon, ngjyrën e përmbajtjen e PS, ndërsa realizuat një mbyllje spektakolare me udhëtimin me helikopter nga Shkodra në Vlorë? Cila ishte simbolika e kësaj mbyllje?
Tradicionalisht e kemi mbyllur në Tiranë, por kjo nuk ofronte asgjë të re nga ideja konceptuale dhe për më tepër, dy mitingje të në të njëjtën kohë, me handikapin që tashmë Tirana s’ka shesh të dytë, ishte e pamundur. Simbolika e Veriut dhe Jugut, me dy vatrat e shqiptarisë, ishte një ide që rezultoi fatlume dhe edhe nga përshëndetjet e pafundme që kemi marrë, duket se ia kemi dalë me sukses të kurorëzojmë me një grand finale këtë udhëtim.
Mbyllni këtë fushatë nga Vlora dhe Shkodra, dy qytetet që kanë pasur një orientim të ndryshëm politik në mënyrë të vazhdueshme. E keni vënë re një faktor të tillë në këtë udhëtim?
Nëse nuk do të ketë surpriza të pakëndshme nga ana e pushtetit, në kuptimin e ndonjë eksesi të përdorimit të shtetit e ndonjë kërcitje që nuk e urojmë në dëm të procesit zgjedhor, ju siguroj që rezultati i Shkodrës do ju befasojë të gjithëve. Shkodra është përfshirë nga fryma e përgjithshme e dëshirës për ndryshim, era e rilindjes fryn fort edhe në Shkodër.
Të gjitha mitingjet tona në sheshet e mëdha kanë pasur një entuziasëm të jashtëzakonshëm e të mos harrojmë që mitingjet tona janë safi me vendalinj. Ne s’kemi import mitingjesh, një autobuz kemi dhe e dyta, ka një dallim të jashtëzakonshëm në kuptimin e entuziasmit që ka sheshi, që vlon një pasion të madh në shesh siç ishte sot në Shkodër e në Vlorë, e në Shkodër kjo s’ka ndodhur asnjëherë më parë, për aq sa unë mbaj mend.
Ndërsa kishte imazh, kishte komunikim dhe festivitet, fushata nuk mund të fshehë dot atë Shqipërinë kaq të polarizuar, ku dita e zgjedhjeve ende s’përceptohet si një rutinë demokratike. Fajtori?
Eshtë hija që vazhdon të ndjekë zgjedhjet në Shqipëri. Nëse të dielën nuk do kemi probleme ose së paku nuk do kemi probleme që të risjellin atë hije në sytë e njerëzve, besoj do të kapërcehet një ngërç shumë i madh. Ndërsa Shqipëria vazhdon ruan një gjendje polarizimi, duke gjykuar nga sondazhet, shohim një thyerje të rëndësishme të blloqeve dhe shpresojmë që këta ta tregojnë edhe rezultatet.
Çfarë do i thoni zgjedhësve dhe shqiptarëve, tek pjesa që zgjon më shumë ankth tek ata, 48 orë përpara nisjes së numërimit?
Jam shumë i kënaqur dhe mirënjohës për ata që kontribuan për realizimin e kësaj fushate të jashtëzakonshme të parë, dëgjuar dhe përjetuar nga publiku. Pas saj, në prapaskenë ka një anë tjetër që është ngrehina organizatave që nuk i kemi pasur asnjëherë më parë dhe nëse ju evidentoni që fushata ka qenë e bukur, ka qenë një projekt i realizuar në mënyrë gazsjellëse, në të njëjtën cilësi ka një organizim njerëzish për të realizuar dy gjëra.
E para pjesëmarrje sa më të madhe dhe e dyta mbrojtje të plotë të votës. Tek mbrojtja e votës ne kemi vendosur në qendër zgjedhësin si individ, kemi këmbëngulur të gjithë dhe këmbëngulim dhe sot, 48 orë më parë, që çdo invidiv që ka vendosur të votojë për Rilindjen dhe për të ndalur rrënimin, të mos shkojë vetëm në kutinë e votimit, por me patjetër që të sigurohet që të bindë edhe dikë tjetër.
Pastaj, më tutje ka një rrjet shumë të gjerë organizativ e një përgatitje, më e mira deri më sot, të njerëzve në komisione dhe numërues në lartësinë e detyrës, të predispozuar për të ruajtur integritetin e çdo vote, të çdo subjekti opozitar brenda dhe jashtë koalicionit, pa dyshim.
Në mënyrë të kuptueshme, edhe ju e ndieni këtë polarizim, por në qoftë se ju fitoni zgjedhjet, çfarë mendoni se duhet të bëni në mënyrë që të shëroni frakturat ...?
Unë besoj se Shqipëria ka vuajtur shumë nga vënia në shfrytëzim e dy ndasive të mëdha të së shkuarës. Shqipëria erdhi në fazën e lirisë duke mbartur në shpinë një ndasi të madhe, e 50 viteve ku lufta e klasave ndau ne dhe ata, e ajo veri-jug, që ka shkaqe historike e është ushqyer nga armiqtë e Shqipërisë.
Po ta vini re, gjatë këtyre viteve, edhe pse ne jemi i vetmi vend që nuk trashëguam asnjë barrë ideologjike, as barrë etnike, as ndonjë barrë fetare në kuptimin e konflikteve të vërejtura në Ballkan pas viteve 1990, prapë mbetëm në një lloj stanjacioni në polarizim, pasi këto ndaësi u elaboruan dhe u hodhën në mes të arenës për të mbajtur gjallë një konflikt dhe për nxjerrë pushtet nga ky konflikt. Unë këto besoj që gjeneratori i ndasive është kryetari i PD.
Po ta shikoni këtë fushatë, të dyja këto ndasi u theksuan shumë fort, u theksua ndasia e etërive e bijve, që ka qenë formula e vjetër komuniste ku babai armik damkoste edhe të birin. E sidomos, dy javët e fundit nxorri krye në mënyrë të ulët dhe të pabesë, ndasia veri-jug, duke i thënë veriorëve e të ardhurve në Tiranë që për Ramën ju jenis shpellarë, etj, etj.
Një gjë tjetër shumë e rrezikshme, për herë të parë në fushatë u përdor edhe feja, nga eksponentët më të lartë të PD, duke bërë insinuata të drejtëpërdrejta, duke arritur deri në pikën e tmerrshme ku arriti kryetari i Bashkisë së Tiranës, që në një fjalim shkoi deri atje sa tha që Rama nuk i do muslimanët, ndërsa sot paradite, në disa vende kulti në Elbasan kanë qarkulluar trakte ndaj Ben Blushit, të nxitura nga një sekt pushteti në PD që rrotullohet rreth kryeministrit që shfrytëzon të gjitha këto për pushtet.
Unë jam sot këtu për të thënë që do të bëj gjithçka që të treja këto pika pika kyçe të dalin jashtë debatit dhe kufijve të arenës politike. Një nga arsyet pse e mbyllim me një simbolikë të fortë jug-veri është për të thënë që jemi një Shqipëri, ishte për t’i dhënë përgjigje në mënyrë qytetare, kësaj përpjekje të përbindshme për Shqipërinë që s’mund dot të vazhdojë kështu. Nuk mundet ky vend të ketë një kryeministër 70 vjeç, pasi s’bëhet fjalë për një De Gaulle apo Churchill, por për një dinosaur të një kohe të shkuar që s’ka më lidhje me këtë kohë.
Në Tiranë u regjistrua dalja juaj e parë përkrah Ilir Metës në këtë fushatë. Përse është vendosur për një fushatë të ndarë me të gjithë aleatët tuaj?
Sot ishte dita për të bërë një apel të fundit, për pjesëmarrjen dhe për të garantuar suksesin, duke i angazhuar publikisht të gjithë përfaqësuesit tanë në të gjithë nivelet e administrimit që të jenë atje në mbrojtje të çdo vote dhe të drejtës së çdo zgjedhësi që vota të numërohet siç duhet.
Ka pasur zëra dhe informacione se në bazë ka pasur disa fërkime mes PS e LSI. Ka qenë e vështirë që të lihet e kaluara pas?
S’ka qenë një fushë me lule, sigurisht, por ka qenë shumë më pak e vështirë nga sa prisnim pas një periudhe të gjatë ndarje dhe ka pasur shumë më tepër mirëkuptim nga sa mund të imagjinohej. Ju sigroj se nuk ka pasur probleme të ujrave të turbulluar mes palëve.
A ka diçka që ju ka mbetur merak nga kjo fushatë, përshembull një debat i drejtëpërdrejtë me Berishën?
Për këtë e besoj që jeni dëshmitar, se kërkova debat disa herë e kryetari i PD i është shmangur dhe e kuptoj se përse. Normalisht, debat duhet të kishte, por nuk pati sepse kryetari i PD iu shmang debatit. Kjo është e mirëkuptueshme, ka qenë në këndvështrimin tim fushata më e vështirë dhe beteja më e pamundur për PD, pas tetë vjet në qeverisje, me një bilanc që unë e quaj skamjeje, në kushtet kur dështimet janë spektakolare dhe sukseset duhet t’i kërkosh vërtet me zemërgjerësi të madhe për t’i parë. E ka qenë një fushatë në ndjekje, në ndjekje të programit tonë, organizimit tonë, të qasjes sonë ndaj gjërave, me ide ata kopjojnë, në konventë ata kopjojnë, në kënd fjale, ata kopjuan. Kjo ishte fushata e vështirë e një partie të lodhur e kryemintri të rraskapitur.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 22.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)