VIDEO/ Edi Rama sot me fëmijët diabetikë
Për prindërit e Damianës, dhe jo vetëm, ky është një lehtësim. “Kemi vite që e presim dhe jemi të gëzuar që kjo do të realizohet,” thotë nëna e Damianës, e cila është detyruar të lerë punën për t’u kujdesur për vajzën e saj. “Është një ndihmesë shumë e madhe jo vetëm për ne, por për shumë fëmijë që vuajnë nga diabeti,” -shprehet kryefamiljari Bashkim Bakiu.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu shpjegoi se “momentalisht rimburojmë 100% insulinat për të gjithë pacientët, qofshin fëmijë, qofshin të rritur. Mirëpo për fëmijët, familjeve u kushton shumë blerja e fishave. 100 mijë lekë në muaj, madje edhe më tepër i kushton çdo familjeje blerja e fishave të diabetit. Janë 1800 fëmijë në të gjithë Shqipërinë, të cilët vuajnë nga diabeti, për të cilët qeveria planifikon rimbursimin për vitin 2018 të fishave të diabetit.”
Ministrja e Shëndetësisë shpjegoi mënyrën e rimbursimit të fishave dhe njoftoi se “nga janari do të hyjë në fuqi me miratimin e buxhetit dhe listës së materialeve të rimbursueshme. Nga pikëpamja e rimbursimit merret receta tek mjeku i familjes dhe familjet do të tërheqin fishat një herë në dy muaj, siç merren medikamentet e tjera.”
Kryeministri Rama tha se me këtë vendim, një barrë e madhe lehtësohet nga buxheti i familjeve. ”Jemi këtu për t’u thënë se do t’ua lehtësojmë këtë barrë. Është një barrë e madhe, por që na takon ne që ta marrim përsipër për fëmijët, pasi për familjet është hall i madh për t’u marrë me këtë sëmundje, që me përparimet e shkencës kam shumë besim që do të vijë dita më herët se vonë t’i gjendet një zgjidhje. Por, ndërkohë, ne na duhet të zgjidhim këtë që e kemi më imediate, që të paguajmë nga buxheti fishat për të gjithë fëmijët.”
Ministrja Manastirliu sqaroi gjithashtu se familjet do të lehtësohen ndjeshëm edhe nga burokracitë e përfitimit të ndihmës ekonomike që jep shteti për këto familje. “Kemi vendosur që në kuadër edhe të derregullimit, pra, të burokracive që ekzistojnë për marrjen e ndihmës që i alokon shteti të gjithë pjesës së fëmijëve që marrin pagesë invaliditeti, të heqim paraqitjen tek shërbimi social shtetëror, një herë në vit. Fëmijët janë të diagnostikuar një herë me diabet dhe nuk ka më kuptim që të shkojnë çdo vit për të bërë dokumente dhe për të marrë një ndihmë financiare që i jepet familjes.”
Ndërsa duke folur për benefitet e recetës elektronike në shmangien e abuzimeve me medikamentet, ministrja Manastirliu tha se në gjysmën e parë të vitit të ardhhëm, receta elektronike do të shtrihet në të gjithë vendin. “Receta elektronike do të shtrihet edhe më gjerë. Ka përfunduar shtrirja në Fier, po mbaron Shkodra dhe besoj se 6 mujorin e parë të 2018 përfundon shtrirja në të gjithë Shqipërinë.”
Për vajzën tjetër të familjes Bakiu, e cila aktualisht është nxënëse në klasën e dytë, por edhe për të gjithë fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e katërt, Kryeministri Rama tha se vitin e ardhshëm, prindërit nuk do të shpenzojnë për blerjen e librave. “Vitin tjetër do t’u japim libra falas. Edhe ky është një lehtësim, se me ato lekët që kushtonin librat e shkollës, prindërit mund të blejnë për ju libra të tjerë, lodra, apo veshjet që ju keni dëshirë.”
Batutat e kryeministrit me fëmijët:
Rama: Në çfarë klase je ti?
Vajza: Jam në klasën e dytë
Rama: Vitin tjetër do i japim librat falas. Me ato lekë prindërit do blejnë të tjera gjëra jashtëshkollorë. Kështu do shkojë kjo punë, avash avash.
Babai: Unë jam taksist.
Rama: Punë e vështirë. Mua më vjen keq se jam shkëputur nga taksitë, sepse më parë i kisha barometër, se rrija natën që shikoja punimet. Hipja në një taksi dhe i thoja ‘jepi tani’.
Rama-vajzës së madhe: Sa larg e ke shkollën?
Vajza: Gjysmë ore.
Babai: Jo gjysmë ore moj babi, 10 minuta.
Rama: I duket gjysmë ore se shkon me përtesë. Në çfarë klase je ti?
Vajza: Në klasë të gjashtë.
Rama-djalit: Qenkeni në një klasë, po ti qenke si Erjon Braçe, i vogël fare. Apo kështu jeni ju të Kombinatit.
d.c./shqiptarja.com

VIDEO








