Rama inspekton punimet në Drilon-Tushemisht: Sipërfaqja rritet në 150 ha, 3 vendparkime! E kthejmë në një destinacion edhe më të preferuar për turistët

PROGRADEC- Nga 15 hektarë që ishte më parë, tani sipërfaqja ku shtrihet shëtitorja e Tushemishtit dhe Parku i Drilonit në Pogradec do të jetë 150 ha. Kryeministri Edi Rama ishte vetë për të inspektuar punimet për rehabilitimin e investimit që do të jetë në funksion të turizmit,  i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Pogradecit Ilir Xhakolli, Drejtori i FSHZH Dritan Agolli. Kreu i qeverisë shkruan se me këtë projekt transformues Driloni do të kthehet në një destinacion akoma edhe më të preferuar për turistët vendas dhe të huaj.

“MIRËMËNGJESI dhe nga kantieri i transformimit të Shëtitores së Tushemishtit dhe Parkut të Drilonit në Pogradec, që shumëfishohet në 150 hektarë, e gjitha në funksion të turizmit, me 13 ura të reja, shëtitore, korsi biçikletash, 8 mijë pemë të mbjella, 5 km gjatësi të lundrueshme me varkë, 3 parkime me 550 vende për automjete, e gjitha një zonë e aksesueshme deri në Zagorçan, për të përfunduar në pikën doganore duke e kthyer portën hyrëse të qarkut Korçë, në një destinacion turistik akoma më të preferuar për vizitorët vendas e të huaj, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Sipërfaqja ku shtrihet shëtitorja e Tushemishtit dhe Parku i Drilonit do të shumëfishohet në 150 hektarë, e gjitha në funksion të turizmit, me 13 ura të reja, shëtitore, korsi biçikletash, 8 mijë pemë të mbjella, 5 km gjatësi e lundrueshme me varkë, do të ketë 3 parkime me 550 vende për automjete, e gjitha një zonë e aksesueshme deri në Zagorçan, për të përfunduar në pikën doganore të Tushemishtit.

“Në krahasim me çfarë ka qenë më përpara e shumëfishojmë sipërfaqen, nga rreth 10-15 hektarë që ishte, sipërfaqja shkon 150 hektarë. Të gjitha në funksion të turizmit me lëvizje të kufizuara automjetesh, me ndriçim, mobilim urban që vizitohet në çdo periudhë të ditës, mundësisht në çdo periudhë të vitit. Kjo është 1 nga 13 urat e reja që janë në ndërtim. 11 kanë mbaruar. Urat janë bërë me një lartësi rreth 1.7 metra në mënyrë që aksesi dhe lundrimi me varka të jetë pa probleme. Edhe pak fillojmë me përfundimin e gjelbërimit. Do kemi rreth 7-8 mijë shkurre dhe pemë, përveç barit. Gjatësia e lundrueshme me varkë mendohet do jetë diku 4-5 km nëpër kanale të navigueshme me varka të llojeve të ndryshme që do jetë risi dhe për zonën sepse do jetë e aksesueshme deri në Zagorçan, edhe me varkë edhe me këmbë sepse është një sipërfaqë rreth 870 metra linearë e pashkelur që i shtohet parkut. Besoj brenda muajit janar mbarojmë dhe ndriçimin në të gjithë zonën që të jetë e aksesueshme edhe ditën, edhe natën. – shpjegoi drejtuesi i punimeve, ndrësa theksoi se “shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i tre parkimeve në dalje që akomodojnë rreth 550 automjete. Njerëzit do të shëtisin me biçikleta, me varka, me mjete alternative.”

Projekti transformues sjell risi arkitekturore, duke e bërë më tërheqëse dhe më të aksesueshme hapësirën publike.

“Dy janë mole që mund të ankorohen varkat dhe dy të tjerat janë mole për turistët, për vizitorët. Ajo që është e rëndësishme është dhe një pasarelë, futet në liqen, ecën nëpër liqen dhe lidhet prapë me molin tjetër që ka për të qenë një rrugë që njerëzit të mund të ecin në liqen. Po ndërkohë dhe rruga nga Tushemishti deri në doganë, është rrugë që po zgjerohet, rikonstruktohet, ka trotuar, korsi biçikletash. Bëhet një rrugë turistike njëlloj si pjesa e parë.” – detajoi Drejtori i FSHZH Agolli, teksa shtoi se: “Sezonin tjetër kjo do të ketë marrë formë, mund të kenë ngelur gjëra të vogla. Shpresojmë që në harkun kohor të 3 muajve ne të mbyllim bypass-in, se e shkurtër është si rrugë, në mënyrë që të devijojmë trafikun dhe kalojmë me shtresën e fundit, gjelbërimin dhe ndriçimin. Pjesa tjetër e punimeve, punimet nëntokësore kanë mbaruar të gjitha.”

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Pogradec u ndal për të parë nga afër ambientet e dy shkollave të reja, ndërkohë që parashikohet ndërtimi i 33 shkollave të reja deri në vitin 2024.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:32
Rama inspekton 2 shkolla në Pogradec! Ministrja: Brenda 2024 do të ndërtojmë 33 objekte të reja shkollore

 

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Pogradec u ndal për të parë nga afër ambientet e dy shkollave të reja, investim i qeverisë në bashkëpunim me bashkinë e Pogradecit.

Shkolla 9-vjecare “Servet Agolli” dhe gjimnazi “14 engjëjt”, sipas kreut të qeverisë kanë ndryshuar tërësisht cilësinë e mësimdhënies për 440 nxënës të qytetit të Pogradecit.

I shoqëruar nga ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, kryeministri u ndal në disa nga klasat si dhe ambientet sportive të shkollave.

“Praktikisht investimet në të gjithë vendin përsa i përket rehabilitimit, përsa i përket ndërtimit dhe rikonstruksionit të shkollave janë në fokus të programit të buxhetit 2024. Në ciklin e investimeve 2023 - 2024 do të ndërtojmë 33 objekte shkollore, duke përfshirë këtu edhe palestra dhe terrene sportive”, - u shpreh ministrja Manastirliu.

“Sfida është që në këto dy vite edhe shkollat të cilat janë në Pogradec dhe ku praktikisht fëmijët nuk vinin në këtë shkollë, por shkonin në shkollat e qytetit, tani mundet të vinë këtu dhe kështu që redukton mësimin me dy turne që është një tjetër objektiv i yni”, - nënvizoi ministrja e Arsimit dhe Sporteve.

Një tjetër objektiv në fokusin e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve është edhe pasurimi i bibliotekave të shkollave. Ndërkohë që Kryeministri nga ana e tij e vuri theksin tek rritja e pagave që do të bëhet për mësuesit me buxhetin e vitit 2024. “Do të vijojmë t’i rrisim pagat përsëri”, - theksoi kryeministri Rama teksa bisedoi me disa nga mësuesit e shkollave.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë