Rama: Ja përgjigja e Berishës
për çdo hall qytetar: Rrugë, rrugë

Rama: Ja përgjigja e Berishës<br /> për çdo hall qytetar: Rrugë, rrugë
TIRANE - Kreu i PS-së, Edi Rama ka sulmuar Fushatën-Rrugë të kryeministrit, që nuk i jep përgjigje asnjë problemi konkret të qytetarëve. Duke iu rikthyer takimeve me banorët, sot ai bashkëbisedoi me ata të zonës së "Misto Mames".

"Një kryeministër që mbeti rrugëve", - tha Rama.- Mbeti rrugëve, me një rrugicë mbrapa dhe thotë po bëj rrugë. Dje kishte dalë përpara një rrugice që ishte më e ngushtë se shpatullat e Saliut, me gjithë antiplumb. E thoshte: Ne po bëjmë rrugë, ne po bëjmë rrugë. I thua: nuk kam ujë, rrugë thotë. I thua s'kam legalizim, rrugë. Ore, s'kam lekë për ilaçe, rrugë. Ore po kam djalin pa punë, rrugë. More si t’ia bëjmë se nuk kemi bukë? Rrugë, rrugë edhe mbeti rrugëve."

PYETJET, DREJTUAR KREUT TE PS, NGA BANORET

Unë kam një biznes të vogël. Që në momentet e para është i falimentuar. Nga listat, nga taksat, nga qeraja dhe nga çmimet e larta. Qarqet antishqiptare po na marrin frymën gjithnjë e më shumë...

Që të jemi realistë, qarku antishqiptar që po i merr frymën biznesit të vogël është qeveria. Nuk besoj se ka ndonjë komplot ndërkombëtar për t’i marrw frymën biznesit të vogël në Shqipëri dhe shkon në fakt edhe ky krahasim. E mira do ishte që qeveria ta mbështeste biznesin e vogël pavarësisht, nëse do ishte një qeveri e djathtë ose e majtë, qeveri e Partisë Demokratike apo e Partisë Socialiste. Por, ju që merreni me biznes të vogël e dini mirë që në vitin 2005 Saliu premtoi përgjysmimin e taksave për biznesin e vogël, atëherë kishte vetëm një taksë, ishte taksa e biznesit të vogël. I përgjysmoi vitin e parë dhe menjëherë vitin e dytë, si gjithmonë, i doli bishti mbrapa dardhës, ju vuri taksën e sheshtë, pastaj një vit më vonë ju vuri edhe TVSH-në dhe faktikisht me Saliun u nisët për përgjysmim, dhe e hëngrët 3- fish. Kështu ndodh me të gjitha premtimet e tij, madje me Saliun duhet pas kujdes kur të premton diçka dhe më e mira që mund të ndodhw është që të mos të premtojë, se aty ku të premton aty dije se do ta hash më keq sesa ç’je. Kështu ndodhi me biznesin e vogël, kështu ndodhi me fermerët. Ju tha do t’jua bëj naftën 400 lekë dhe sot është 800 lekë vetëm taksa që paguajnë ata, se çmimi vetë ju e dini që ka ikur dhe nuk po mbahet më. Ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël në 100 ditët e para të qeverisjes. Ne do ta përgjysmojmë tatimin e fitimit, që sot ju e keni 10% dhe do të marrë fund taksimi i dyfishtë antikushtetues. Do të paguani vetëm gjysmën e tatimit të fitimit që paguani sot dhe asgjë tjetër.

Dua të di, ambasadori amerikan që përveshi mëngët dhe e pa ashiqare që u vodhën votat, më ka bërë çudi. Çfarë të ka thënë që ty ti vodhën votat në mënyrë drastike?

Në qoftë se ti pret që votat tona t’i marrë Amerika për ne mos prit, se Amerika është miku më i madh i Shqipërisë, është mbështetja më e madhe për shqiptarët, por Amerika këtu nuk është për të bërë qeverisjen apo opozitën. Shqipërinë do e qeverisim ne, opozitën këtu e bëjmë ne, shqiptarët e kam fjalën. Kështu që, në 23 qershor mos mbaj mendjen tek 8 maji, po kujtoje 8 majin vetëm për një gjë; Në qoftë se e fituam me 10 vota dhe ato 10 votat na i vodhën këtë herë do të fitojmë me 50 mijë vota në Tiranë dhe do të na marrin të keqen.

Çfarë do bëhet për ne invalidët. Unë vetë jam me një këmbë, jam invalide, jam me një ndihmë ekonomike 90 mijë lekë. Jam me qera, jetoj këtu në kombinat. A mund të jetojë unë dot me 90 mijë lekë një invalide?

Këtu janë disa çështje. Çështja e parë është që këtu ka një korrupsion të pamëshirshëm me ju. Se ka shumë që i kanë këmbët, i kanë duart, i kanë sytë, i kanë veshët, i kanë të gjitha në rregull dhe shkojnë e paraqiten si individë dhe marrin lekë si invalidë dhe s’bëjnë asnjë punë. Ashtu sikundër ka një ndihmë ekonomike për njerëz që janë në gjendje fizike të plotë për të punuar dhe kjo ndihmë ekonomike është kthyer në një lëmoshë politike për të shtuar ushtrinë e votuesve të varfër. Ne do ta ndryshojmë me programin tonë mënyrën sesi do të trajtohen invalidët duke luftuar pa asnjë tolerancë korrupsionin dhe duke bërë që ato para që shoqëria shqiptare nëpërmjet qeverisë jep për invalidëve të shkojnë për ata që janë realisht invalidë dhe për ata që kanë realisht nevojë. Regjistrohen si invalidë, regjistrohen si veteranë, regjistrohen si gjithfarë, njerëz që s’kanë lidhje fare me këto. E, kështu paratë humbin dhe koston e paguajnë ata që kanë realisht nevojë për ato para. Ne do ta rrisim mbështetjen për invalidët duke regjistruar realisht invalidë dhe duke mos lejuar që të spekulohet siç është spekuluar deri sot duke shtuar fiktivisht numrat.

Siç e dini kjo zonë është e re në ndërtim dhe nuk ka infrastrukturë për shkolla, për kopshte, për qendra shëndetësore. Çfarë do bëni ju kur të vini si kryeministër i ardhshëm i vendit?

Miqtë e mi, problemi më i madh që ne kemi me qytetet tona është problemi i infrastrukturës arsimore dhe i infrastrukturës sociale. Ndryshe nga ç’propagandon Saliu ne kur drejtonim bashkinë e Tiranës kemi bërë shumë në këtë drejtim, por pengesa më e madhe ka qenë se 8 vjet qeveria ka refuzuar që t’i japë bashkisë troje për të ndërtuar shkolla, çerdhe, kopshte dhe me radhë dhe i është turrur si një hordhi barbarësh të gjitha aseteve publike për t’i privatizuar për klientët, për fisin, për miqtë e oborrit.  Ne do ndryshojmë krejtësisht këtë qasje dhe jemi shumë të vendosur që t’i japim lagjeve të qyteteve, duke filluar nga Tirana sigurisht, mbështetje të plotë për të ndërtuar jetën komunitare. Që jeta komunitare të funksionojë rreth shkollës, rreth qendrës sociale, rreth gjithë asaj infrastrukture që sot siç e thatë ju me shumë të drejtë mungon plotësisht.

Dhe e fundit ndodhi si ndodhi në 8 maj ndryshoi drejtimi i bashkisë, por faktikisht deri më sot kemi vetëm një kryetar bashkie në kutinë e televizorit, se jashtë kutisë së televizorit, nuk kemi bashki dhe nuk kemi as investime dhe as shërbime, që të mund ta justifikojnë ekzistencën e një institucioni si bashkia. Janë disa rrugë dytësore që janë hapur qëkur akoma s’po mbarojnë. E vetmja rrugë parësore është ajo që del për në Elbasan drejt Varrezave të Dëshmorëve e keni parë vetë se si e kanë bërë, një paçavure që nuk ka lidhje fare me standardet europiane dhe me standardet që ne lamë në ndërtimin e infrastrukturës në kryeqytet. Por këto janë pasojat e një drejtimi që buron nga vjedhja e votës siç janë pasojat në Shqipëri këto katër vite të një qeverisje që buron nga vjedhja e votës.

Kur populli sovran ndalohet të zgjedhë, atëherë, pasoja është që mbi krye ka një zgjedhë që duhet hequr qafe një orë e më parë. Në 23 qershor ju me votën tuaj dhe gjithë Shqipëria me votën e vet do ta heqë qafe këtë zgjedhë mbytëse për të varfrit, për shtresën e mesme, për sipërmarrësit dhe për këdo që do të jetojë me punë të ndershme dhe që nuk është i lidhur me oborrin e pushtetit.

Më mirë kanë qenë spitalet në kohën e Enverit. Jam invalid. Kam edhe gruan invalide, kemi ato librezat, me ilaçet ku po ku jo. A rrojmë a nuk rrojmë s’pyet njeri, në spital stë qasin?

E para, parafytyrojeni se çfarë maskarade është zhvilluar në këto 22 vjet me sistemin shëndetësor, sa të vijë puna që të kujtohet me nostalgji një regjim me të cilin jo vetëm që kemi bërë mirë që jemi ndarë, po për të cilin unë ruaj një konsideratë të palëvizshme; Një regjim gjakatar i cili i pengoi shqiptarët ta shikojnë dritën e Europës për 50 vjet. Por, nga ana tjetër, sigurisht, sot ky krahasim bën me përgjegjësi keqqeverisjen e gjithë këtyre viteve. Avantazhet e këtij sistemi, e sistemit demokratik, janë të pakrahasueshme pozitivisht, problemi është që ne nuk kemi arritur dot t’i shfrytëzojmë këto avantazhe. E kanë katandisur shtetin tonë, i kanë katandisur institucionet tona, i kanë katandisur shërbimet tona në një gjendje të atillë që nuk janë në shërbim të njerëzve. E kanë katandisur, ata që, sot, keqqeverisin Shqipërinë situatën në pikën ku çdo gjë është mall. Këta thonë kush nuk ka lekë nuk duhet të sëmuret, sepse kujdesi shëndetësor është mall dhe duhet ta blesh, në qoftë se nuk ke lekë se blen dot mos u sëmur. Për këtë arsye në 23 qershor njerëzit duhet të votojnë që të bëjnë realitet të kundërtën. Kujdesi shëndetësor për ne nuk është mall, është e drejtë. Është e drejta e kujtdo, i punësuar, i papunë, invalid, jo invalid, nga fshati, nga qyteti, në qoftë se ka nevojë për kujdes shëndetësor duhet ta marrë falas. Shoqëria duhet të marrë përsipër përgjegjësinë që të kontribuojë që ky kujdes shëndetësor falas të paguhet nga shteti. Se shëndetësia kushton, është e vërtetë. Po kush paguan? Paguajnë ata që s’kanë? Ata që detyrohen të shesin shtëpinë për të mbajtur gjallë fëmijën me leucemi? Ata që detyrohen të shesin lope e dele në fshat për të mbajtur gjallë plakun e shtëpisë, se nuk blejnë dot përndryshe ilaçet dhe nuk e çojnë dot në spital. Këta duhet të paguajnë apo ata që janë të papunë dhe për shkak se janë të papunë janë të pasiguruar dhe kur iu bie sëmundje në shtëpi atëherë detyrohen të marrin borxh për të blerë ilaçe, detyrohet të marrin borxh për të mbajtur njerëzit në spital. Këta duhet të paguajnë? Në asnjë mënyrë JO! Duhet të paguajë shoqëria si e tërë përmes shtetit përgjegjës, i cili duhet t’ia ofrojë shërbimin falas të gjithë shqiptarëve që kanë nevojë për shërbim shëndetësor. Po këta çfarë bënë nga viti 2009 deri sot? Këta 5-fishuan tarifat për kujdesin shëndetësor. I pesëfishuan! Këta i vunë taksë ilaçeve. Ti në çdo kokërr të vogël që pi në mëngjes 10% të asaj kokrre e merr Saliu. 10% dhe taksa e tmerrshme e sheshtë është për të gjithë njësoj edhe tek ilaçet, 10% taksë çdo kokërr. Çdo pikë ilaç me pikatore çdo 10 pika një pikë e merr Saliu. Ne do ta heqim taksën e ilaçeve, të jeni të bindur. Për çfarë i themi vetes ne shoqëri, për çfarë i themi vetes ne shqiptarë me tradita solidariteti, mbështetjeje, në qoftë se nuk jemi në gjendje të garantojmë që njerëzit tanë të mund të marrin kujdes shëndetësor. Çfarë do bëjë shteti, nëse s’bën dot kaq?! Si mund t’u thuash njerëzve 1 milion të papunë që s’kam çfarë bëj se je i papunë, je i pasiguruar, kështu që po u sëmurët më vjen keq nuk ju prek dot me dorë. Por, për çfarë na duhet shteti ne, për këto duhet shteti. Raketa s’do bëjmë ne, avionë, tanke s’do prodhojmë ne. Shteti duhet pikërisht për këto. Për t’u dhënë njerëzve shërbime sipas nevojës jo sipas xhepit. Ke lekë të shërbejnë, s’ke lekë s’të shërbejnë. Mund të kesh të drejtë s’ke lekë se merr të drejtën, ta merr tjetri me lekë. Edhe e drejta është bërë mall. Kujdesi shëndetësor mall, e drejta mall, arsimi mall, gjithshka mall, mall, mall. Avantazhet e demokracisë janë të panumërta. Nga 23 qershori ne do fillojmë t’i shfrytëzojmë këto avantazhe në të mirë të njerëzve, jo në të mirë të një grushti personash që ulen në tryezën e qeverisë dhe e bëjnë qeverinë kompani biznesi. E bënë qeverinë kompani biznesi, ata, dhe e dini ju që çdo ditë 23 biznese mbyllen, çdo orë mbyllet një biznes në Shqipëri. Biznes i njerëzve të zakonshëm jo biznesi tyre, sepse biznesi i tyre ecën ditë natë.

Si kryeministër mbas datës 23 qershor, çfarë do bëni ju për ilaçet që nuk futen, unë jam e sëmurë me dializë dhe i porosis ilaçet nga jashtë dhe një ilaç me bënë 220 euro dhe një tjetër 150 euro që shteti këtu nuk i ka. Ju si kryeministër i ardhshëm çfarë do bëni për këtë?

Ne kemi një problem që këtu në Shqipëri që ilaçet shiten deri edhe 3-fishin e vendit të origjinës. Ne nuk do lejojmë që në Shqipëri të shitet një ilaç i vetëm më shtrenjtë se në vendin e origjinës. Ne do të ndërtojmë një sistem shëndetësor tjetër, jo të bazuar mbi skemën e sigurimeve. Që do të thotë që do të themelojmë një institucion të ri që quhet Shërbimi Kombëtar Shëndetësor. Në qoftë se, sot, njeriu që është në punë e blen shërbimin me sigurimet, ai që është pa punë se blen dot dhe po i ra sëmundja duhet të shkojë pastaj të shkundet për të blerë ilaçe, nesër do ta blejë shteti përmes Shërbimit Kombëtar Shëndetësor për të gjithë.

Si do të bëhet puna e rendit dhe qetësisë publike dhe si do arrijmë t’i mbrojmë fëmijët, gruan nga grabitjet. Jemi familjarë dhe fëmijët pas orës 5-6 nuk mund ta lëmë fëmijën përjashta.

Aty ku triumfon varfëria, aty ku triumfon papunësia, aty ku triumfojnë hallet dhe problemet e mëdha dhe triumfon braktisja e rinisë, kur rinia dergjet nëpër loto e nëpër bingo dhe ku i vetmi argëtim mbetet, ku e vetmja punë, e vetmja shpresë vjen nga Reali i Madridit, nga Barcelona e nga Juventusi e nga Bayerni, nuk ke çfarë pret për mirë. Aty pret keq e më keq, rrënim i vazhdueshëm, krim, vjedhje, grabitje, dhunë, vrasje.

Por ne sot kemi dhe një problem tjetër. E keni parë si është katandisur Policia e Shtetit?! Është katandisur në atë derexhe që asnjëri nga ne në qoftë se i ndodh larg qoftë diçka ose i afrohet një kërcënim te vajza, te djali, te prona nuk i shkon mendja të marrë policinë në telefon, se s’të flet policia në telefon. Nuk e ke fare. Ose të del ndonjë muzikë atje në telefon. Gjithkujt i shkon mendja menjëherë të kapë komshinjtë, të fortët e lagjes, fisin, të bëjë çetën e vet që të mbrohet. Kjo është gjendje barbarie. E për çfarë paguhen taksat, e për çfarë na duhet shteti, në qoftë se shteti nuk është në gjendje të na mbrojë fizikisht, në qoftë se shteti nuk është në gjendje të na mbrojë pronën. Angazhimi ynë është që në 300 ditët e para të qeverisjes ne do t’i hapim një luftë frontale krimit dhe kush shkel ligjin do përballet me forcën e ligjit dhe kush prek një shqiptar të zakonshëm apo pronën e një shqiptari nuk do përballet me çetën e të fortëve apo me fisin, por do përballet me shtetit. Sepse Policia e Shtetit është aty për të mbrojtur qytetarët e këtij shteti, për të mbrojtur pronat e qytetarëve dhe pronat e përbashkëta të popullit, nuk është aty për të ngrënë fara në udhëkryq.

Kam tre pyetje për ju. Pyetjen e parë e kam për ujin e pijshëm. Unë kam 9 vjet që banoj në këtë zonë dhe megjithëse paguajmë fatura të larta ujë nuk kemi. Së dyti kam hallin e legalizimeve. Ata kanë ardhur dy tre herë dhe i kanë matur shtëpitë po legalizimin nuk na i kanë bërë. Dhe e treta ka lidhje me xhadenë. Nga të gjitha anët xhadetë i kemi gjithë gropa dhe të pakalueshme. Ju çfarë do bëni për këto?

S’ke ujë, s’ke xhade, s’ke legalizim. Po çfarë ke? Ke Saliun! Se kështu i bie. E keni parë ju që del çdo ditë në rrugë. Një kryeministër që mbeti rrugëve. Mbeti rrugëve, me një rrugicë mbrapa dhe thotë po bëj rrugë. Dje kishte dalë përpara një rrugice që ishte më e ngushtë se shpatullat e Saliut, me gjithë antiplumb. E, thoshte ne po bëjmë rrugë, ne po bëjmë rrugë. I thua nuk kam ujë, rrugë thotë, i thua s'kam legalizim, rrugë, ore s'kam lekë për ilaçe, rrugë, ore po kam djalin pa punë, rrugë, more si t’ia bëjmë se nuk kemi bukë, rrugë, rrugë edhe mbeti rrugëve.Dil në rrugë dhe rrej. “Kush ta hajë ta hajë”, thotë “tani se u pa kjo punë”. Kur i thua, po mirë na i trego rrugët. Ku i ke 10.400 kilometra. Shkoni e matini thotë, se s'kam kohë, unë po bëj rrugë. 10.400 kilometra, Tiranë- Tokio, pi kafen në Tokio dhe vazhdo rrugën në oqean. Po i thotë me lekët e vjetra, se 1.400 km ka bërë gjithsej. Pastaj çfarë ka bërë? Se rrugët nuk i ka bërë me lekët e shtëpisë së tij. Rrugët i bëjnë paratë e popullit. Shkon merr borxhe atje dhe investon e shtron rrugë. Problemi është që i bën keq, i bën shtrenjtë dhe i lë rrugët rrugëve. Se edhe rrugët kanë mbetur rrugëve, jo vetëm Saliu. Shikoni s’ka një rrugë të mbaruar. Plus që fillon rruga me katër korsi, ngushtohet, zgjerohet, vazhdon, sikur të bësh kostum edhe të kesh 22 masa.

Çështja e ujit. A e parafytyroni që është vendi i dytë në Europë për pasuri ujore. Kemi ujë më shumë se të gjithë të tjerët pas Norvegjisë dhe jemi të vetmit që nuk kemi ujë për të pirë. Ecim mbi ujë, por s’kemi ujë për të pirë. Jemi të vetmit që nuk kemi ujë për të vaditur tokat. Arabët në shkretëtirë e çojnë ujin me pikatore dhe mbjellin e bëjnë zarzavate në rërë, ne jo. Ne ecim mbi ujë dhe ujë nuk kemi për të pirë. Por, ama po ra ujë më shumë se sa duhet nga qielli ne përmbytemi direkt. Pse? Se s’ka shtet. Se këto gjëra duhet t’i bëjë shteti. Njerëzit e shkretë individualisht hapin puse, nxjerrin ujë me puse, mbledhin ujin lart nëpër çatira, tmerr i madh. Secili me ujësjellësin e vet këtu, se s’ka shtet. E ndërkohë, ndërmarrjet e ujësjellësit i kanë fole për militantët. Fut njerëz në punë, shkojnë marrin rrogën as punojnë fare.

Për sa u përket legalizimeve, mund të merrni të shikoni që çdo fushatë elektorale ky thotë: “Do t’i legalizojmë të gjitha shtëpitë”. Çdo fushatë! Në 2005-ën ka thënë: “Në fund të vitit 2006 të gjitha ndërtimet pa leje do jenë të legalizuara”. Iku 2006 erdhi 2007-a. Ne fushatën e vitit 2007 ka thënë: “Në fund të vitit 2008 të gjitha ndërtimet pa leje do jenë të legalizuara”. Iku dhe 2008-a. Tani thotë t’i legalizojmë të gjitha brenda këtij muaji. Gënjen! Dhe ata vijnë me metër atje ju masin juve shtëpitë dhe i dinë shqiptarët për budallenj. Është çudi e madhe! Dhe, thotë kushedi po më ecën dhe këtë radhë. Po këtë radhë s’ka për t’i ecur fare, se këtë radhë të rrijë mëngjes, drekë, darkë duke vjedhur vota, ne do marrim aq shumë vota sa ai nuk e hedh dot më lumin.

E gjeti Shqipërinë me rreth 200 mijë ndërtime pa leje dhe po e le me 400 mijë ndërtime pa leje dhe ka legalizuar vetëm 8%. Domethënë që të vijë radha ty që të legalizosh shtëpinë duhet të presësh 165 vjet. Me këtë ritëm duhen 165 vjet. Po a mund të presim ne 165 vjet. Kështu që kjo çështje është njësoj si gjithë të tjerat. Ne e kemi marrë angazhimin; Do bëjmë një proces serioz, ta mbyllim këtë histori. Të legalizuara ato shtëpi kthehen në kolateral për bankat dhe t’i shkon në bankë dhe i thua ja ku e kam pronën, të lutëm më jep një kredi për të hapur një biznes të vogël, a për të mbështetur studimet e djalit jashtë shtetit, a për të bërë një investim të një natyre të caktuar, se është një investim që duhet të lëvizë. Ndërsa kështu nuk bëhet asgjë. Janë të ngrirë të gjithë.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN

Netanyahu do të apelojë urdhrin e arrestit të lëshuar nga GJPN