Rama kërkon triumf me Danimarkën
tremben Advocaat dhe Morten Olsen

Rama kërkon triumf me Danimarkën<br />tremben Advocaat dhe Morten Olsen
Kryeministri Edi Rama ka përgëzuar ekipin kombëtar të futbollit për fitoren që arrti përballë Portugalisë në ndeshjen e parë eliminatore për “Euro 2016”. Rama duke iu referuar lojës thekson se fitoren e meriton kush di ta dojë më shumë, pavarësisht rasteve. “Dua të bëj një përgëzim shumë të sinqertë për skuadrën tonë kuqezi, që entuziazmoi kombin e tërë përmes një fitoreje sa befasuese aq edhe të merituar, kundër një prej skuadrave më të mëdha të futbollit botëror. E di që shumëkush mund të thotë se fitoren e merituan portugezët dhe jo ne, por unë kam mësuar nga një trajner që admiroj që quhet Jose Mourino, që është portugez, i cili thotë se “fitoren e meriton kush di ta dojë më shumë”.

Djemtë e veshur me të bardha që kishin vënë mishin dhe shpirtin në fushë, ia rrëmbyen fitoren Portugalisë dhe na dëshmuan të gjithëve se asgjë nuk është e pamundur, kur japim të gjithë bashkë gjithçka për ta arritur” tha Rama. Më pas kryeministri është ndalur te ndeshja e radhës që do të zhvillohet më 11 Tetor me Danimarkën në Elbasan.  “Tani është e qartë që 11 tetori në Elbasan do të jetë shumë i nxehtë. Pavarësisht  rezultatit, cilido qoftë ai, unë dua të uroj me gjithë zemër që kuqezinjtë do të lënë shpirtin në fushë nga minuta e parë deri tek e fundit dhe do të vazhdojnë ta frymëzojnë kombin tonë me përkushtimin e tyre ndaj fanellës.

Ne kemi për detyrë sidoqoftë që shtëpia e re kombëtare të jetë plotësisht gati dhe të përçojë atë ditë  një imazh të bukur të Shqipërisë mikpritëse” përfundoi ai. Ndërsa kryeministri i Kosovës, Thaçi në Facebook pas fitores shkruan “Shqiptarët s'po ndalen dot së shkruari histori futbolli. Fitore masive e Shqipërisë ndaj Portugalisë pasi që Kosova fillon e para me fitore ndaj Omanit. Me vazhdu kështu, me punë shumë dhe pak fat, larg shkojmë”. Edhe në Maqedon fitorja ka bërë bujë teksa kreu i BDI, Ahmeti shkruante “Ju lumtë djemve të kombëtares, sonte nderuan një komb të tërë. Uroj që ky fillim i mbarë të na përcjell gjer në përfundim të kualifikimeve për kampionatin evropian”. Ndeshja u vlerësua si historike edhe nga ambasadori i Shqipërisë në Portugali, Edmond Trako.

Tërhiqet Advocaat, trembet Olsen

Fitorja e Shqipërisë kundër Portugalisë ka detyruar trajnerin holandez të Serbisë, Dick Advocaat të bëjë një prapaktheu në lidhje me deklaratat se kuqezinjtë do të përfundonin të fundit e grupit. Dick Advocaat tha se nuk është i befasuar me fitoren e Shqipërisë në Grupin I. “Shqipëria fitoi në Portugali duke treguar kualitetin e këtij ekipi. Nuk ka kundërshtar të dobët, këtë duhet ta kemi të gjithë në mendje”, tha Advocaat, ndonëse kohë më parë media të ndryshme kishin deklaruar se Shqipëria nuk kishte shanse për kualifikimin. 

Shqipëria dhe Serbia ndeshen më 14 tetor në Beograd. Fitorja me Portugalinë ka trembur edhe Danimarkën, e cila përmes trajnerit Olsen ka vlerësuar maksimalisht kuqezinjtë duke deklaruar se janë një ekip i fortë me një tifozeri të zjarrtë. “Shqipëria është një skuadër me një tifozëri të zjarrtë. Të gjithë kanë një ide të qartë se si do të luajnë futboll. Ka qenë më e lehtë për të gjetur një recetë të suksesshme për të mundur ekipe të tilla por tani të gjithë kanë filluar të mendojnë edhe për fazën mbrojtëse prandaj besoj se është shumë e vështirë që të arrish rezultate pozitive. Jemi shumë të lumtur dhe entuziastë për mënyrën se si shkoi ndeshja e Portugalisë sepse ata janë kundërshtarët tanë direkt. Gjithsesi duhet të tregohemi të kujdesshëm sepse zakonisht në ndeshjet e para Portugalia bën hapa falsë por më pas fillon ngjitjen” tha ai.
 
Protagonistët, flasin Lorik Cana dhe Bala
Strategu i triumfit të Shqipërisë, De Biasi në një intervistë për mediat portugeze u shpreh se “Çdo fitore që e arrin me ekipet që janë ndër 10-11 më të mirat në ranglistën e FIFA-së është e rëndësishme. Lojtarët ishin shumë të mirë, ata kishin dëshirë të bënin paraqitje të mirë këtu. Është një fitore historike, pas një loje të vështirë. Portugalia ishte një kundërshtar i vështirë, e cila vendosi çdo gjë në fushë” tha ai ndër të tjera. Ndërsa Bekim Bala zbulon se çfarë diskutoi me Pepen pas golit. “Gol shumë i bukur. Je një lojtar që mund të luash te Reali i Madridit, ishin fjalët që më tha Pepe në momentin e golit” por nuk mungon ironia e mbrojtësit që duket nga foto.

Lorik Cana ka folur për sfidat e radhës të Kombëtares shqiptare. Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ka theksuar se kuqezinjtë i presin ndeshje të vështira në vazhdim. Duke folur për UEFA.com, Cana deklaroi se Shqipëria gjendet në një grup tejet të vështirë për kualifikimet për Francë 2016. “Për ne është një fillim i mrekullueshëm, por ne kemi një grup të vështirë. Ne kemi skuadra të mëdha në grup si Danimarka, Armenia e Serbia, kështu që të fillojmë kështu na jep një mundësi të mirë për të luftuar deri në fund”, ka thënë ndër të tjera, Cana. Ndërsa për këtë ndeshje ekipi kombëtar pritet që të përfitojë një super premio duke u nisur nga fakti që për një pikë ishin premtuar 10 mijë euro për futbollit, tashmë që u kthyen nga Portugalia me tre pikë të plota premioja pritet që të trefishohet nga FSHF.

“Kryqëzohet” Portugalia kërkon 'kokën' e Bentos
Trajneri Bento dhe ekipi kombëtar portugez janë ‘kryqëzuar’ pas humbjes. António Boronha ka deklaruar dje se trajneri duhet të japë dorëheqjen pas humbjes së turpshme.  “Paulo Bento nuk është në gjendje për të vazhduar. Humbja me Shqipërinë është më shumë se e turpshme, fyese për të gjithë.

Fernando Santos pas eksperiencës me Greqinë është një kandidaturë e mirë për stolin e ekipit” tha ai. Por trajneri Bento justifikohet për humbjes dhe nuk e ka ndërmend largimin. “Na mungoi efikasiteti pasi ndeshjen e dominuam. Goli i kundërshtarëve erdhi në rastin e vetëm që patën. Ishim në inferioritet numerik dhe nuk u mbrojtëm mirë. Shamitë e bardha dhe vërshëllimat janë normale në futboll. Kur nuk ka rezultate, publiku mërzitet. Ishte një rezultat i padrejtë, por asgjë nuk është vendosur” mbylli ai.

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

'Bota është në heshtje'/ Dëshmia prekëse në OKB e Tanya Haj-Hassan, mjekes vullnetare në Gaza (VIDEO)

'Bota është në heshtje'/ Dëshmia prekëse në OKB e Tanya Haj-Hassan, mjekes vullnetare në Gaza (VIDEO)