Ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Rama, duke thënë se ky i fundit ka kërcënuar punonjësit e administratës me vendin e punë.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Boçi shkruan se punonjësit e administratës janë kërcënuar që të sjellin 30 veta në zgjedhjet e 30 qershorit ose në të kundërt sipas pretendimeve të Boçit ata do të shkarkohen nga puna.

Më pa Boçi u bën thirrje administratës që të mos përfshihen në zgjedhjet e 30 qershorit. Ai ka vijuar të konfirmojë idenë e opozitës për të mos lejuar zgjedhjet lokale duke thënë se zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë.

Postimi i plotë:

Risia e fundit e rilindjes

Pasi privatizoi zgjedhjet me vendimin e KQZ-së partisë, Rama ka shpikur një tjetër risi, për të shkuar si “dhi e zgjebosur, por me bishtin përpjetë” në 30 Qershor-in imagjinar të tij.

Ka urdhëruar që të gjithë ata që punojnë në administratë qendrore apo lokale, duhet të sjellin gjithsecili 30 veta në kutinë e votimit.

Kush nuk realizon planin shkarkohet nga puna.

Në vend që të vinin mend nga përgjimet e “Bild”, Rama&banda, kanë shkalluar fare.

Por një porosi kam, për këdo që ka marrë përsipër të realizojë këtë kërkesë absurde, për të ruajtur “bukën e fëmijëve”:

Mos u përfshini në krimin elektoral të Ramës! Rrini të qetë. Zgjedhje në 30 qershor nuk ka!