Kryeministri Edi Rama është shprehur se kontributi në PS nuk duhet të shërbejë kurrë për kërkimin e favoreve për veten, familjarët e të afërmit.

Komentet Rama i bëri gjatë fjalës së tij në 35-vjetorin e themelimit të PS dega Tiranë, ku rrëfeu edhe një historik të shkurtër që nga anëtarësimi i tij në PS, deri në garimin për kryetar të kësaj force politike.

Më tej kryeministri tha se çdo socialist ka 1001 arsye për të thënë ‘të dhjefsha partinë’ por sipas Ramës, ka një arsye të madhe për t’u ndjerë krenar. Kjo pasi sipas Ramës, PS është forca kryesore që ka kontribuar në çështjen kombëtare.

“Një gjë dua t’ju them të gjithë atyre socialistëve, që në emër të punës që bëjnë, kërkojnë favore, që për atë që kanë bërë, partia duhet t’u rregullojë dhëndrin në punë. Cili hero i Luftës Nacional Çlirimtare do ta kërkonte këtë favor në emër të gjakut të tij? Përkundrazi. Çdo hero e dëshmor që është atje te varrezat, çdo pensionist veteran që sot është në botën tjetër, sot ndihet i poshtëruar, nga përdorimi i kontributit për të rregulluar dhëndrin. Ne jemi në mandatin e katërt, jo se nuk kemi bërë nga këto, por sepse njerëzit e dinë që jemi të vetmit në këtë vend që e njohim një kufij moral me njerëzit. 

Dritëro Agolli këtu tha atë që të tjerët e thonin pastaj në kor pas disa muajsht. Por kur e tha këtu ishte tradhtari. Qeveritë e PS janë akuzuar shpesh për tradhti ndaj kauzës kombëtare. Por unë po ju them një gjë, që nëse Shqipëria ka një arkiv për të gjithë kontributorët e çështjes kombëtare dhe nëse rilindasit tanë janë në krye të asaj arkive, duhet ta dini shumë mirë të gjithë se kush është socialist ka 1001 arsye që të thotë ‘të dhjefsha partinë’, por ka 1 arsye të madhe për të qenë krenar, sepse në atë listë është PS si kontributore”, tha mes të tjerash Rama.


Lajmi kryesor:

PS Tiranë feston 35-vjetorin e themelimit, Rama: Vlerësoj maksimalisht punën e patronazhistëve! S'kemi kërkuar lirimin e Veliajt, sado i padrejtë të na duket arrestimi i tij