Kryeministri Edi Rama ka mbledhur ditën e sotme shtabin elektoral në selinë rozë ku ka dhënë porositë për të gjithë drejtuesit lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2021. Ky takim erdhi pas disa ndryshimeve të bëra në disa qarqe në mbledhjen e grupit parlamentar në Elbasan, ku u ndryshuan kryetarët e qarqeve në Shkodër, Lezhë dhe Durrës.

Rama ka kërkuar nga anëtarët e shtabit dhe drejtuesit e grupeve të qarqeve që të sjellin një raport me të gjitha problemet dhe të punojnë fort pasi synimi në këto zgjedhje është të sigurojnë 74 mandate.

Gjithashtu në mbledhje u vendos që FRESSH dhe disa struktura të tjera do të riformatohen, ndërsa zhvillimi i Asamblesë u shty sërish deri në një kohë të pacaktuar.

Drejtues qarku në Shkodër u vendos Ilir Beqja, në Lezhë u vendos Lindita Nikolla. Ndërsa në Durrës u vendos vetë kryeministri Edi Rama.

Ndër qarqet problematike ka qenë Shkodra, e cila prej një viti ka qenë pa drejtues, pasi Vladrin Pjetri u hoq nga dekriminalizimi. Tashmë në këtë qark është vendosur Ilir Beqaj.

Sipas gazetares së "Report Tv", janë shtuar tensionet në radhët e ministrave, duke qenë se flitet shumë për ndryshime në qeveri, të cilat pritet të vendosen nga Asambleja.

Pas takimit, Rama u largua, ndërsa kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla u prononcua për mediat ku tha se u diskutua në lidhje me organizimin e fushatës elektorale. Balla deklaroi se në takim u diskutua për çështje të karakterit organizativ.

Më tej, Balla shtoi se takimi me shtabin elektoral do të jetë i përjavshëm për të dhënë porosi të qarta për zgjedhjet

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:44
Balla zbulon detaje nga mbledhja e PS-së: I dorëzuam Ramës një raport për vlerësimet e qytetarëve, ja çfarë diskutuam

Kreu i grupit parlamentar në PS, Taulant Balla deklaroi pas takimit me drejtuesit politikë të qarqeve se në mbledhje u diskutua për çështje të karakterit organizativ.

Ai zbuloi se kryeministrit Rama i është dorëzuar një raport mbi vlerësimet e qytetarëve.

"Ky takim i përjavshëm do të vijojë deri më 25 prill. Ne kemi diskutuar sot mbi çështje të karakterit organizativ, padyshim edhe të një raportimi të një vlerësimi që kemi mbledhur nga qytetarët mbi cilësinë e shërbimeve publike.

I kemi dorëzuar kryeministrit një përmbledhje të vlerësimeve që burojnë nga qytetarët për cilësinë e shërbimeve publike, për përmirësimin e tyre. Kemi diskutuar dhe për krijimin e një kanali komunikimi virtual me anëtarësinë e partisë, për të vlerësuar performancën e çdo përfaqësuesi të PS. Ky kanal do të kontribuojë në përmirësimin e partisë.

Thirrja ime është që të gjithë të marrin pjesë në zgjedhje. Partitë kanë detyrë të marrin pjesë në zgjedhje, populli duhet të votojë dhe të zgjedhë drejtimin që duhet. Ky është diskutimi që do të jetë i përjavshëm në shtabin tonë elektoral”, tha Balla.

Përsa i përket kandidatëve me precedentë penalë, Balla tha se ndryshimet në ligjin e dekriminalizimit janë pasqyruar fillimisht në Partinë Socialiste.

"Që në Kongresin e shkurtit ne kemi bërë ndryshime statusore të rëndësishme, të cilat njehsojnë qasjen që Kuvendi i Shqipërisë ka bërë sa i përket ligjit të dekriminalizimit. Mendoj se PS ka qenë partia e parë që e ka bërë këtë”, deklaroi Balla.

Përsa i përket vendosjen e Lindita Nikollës në Lezhë në vend të Sandër Lleshaj, Balla tha se ky vendim nuk ka të bëjë me performancën e Lleshaj, pasi sipas tij ai e ka drejtuar Ministrinë e Brendshme në mënyrë të shkëlqyer.

 “PS në mënyrë të vazhdueshme ka përzgjedhur dhe bërë ndryshime në drejtimin politik të qarqeve. Nuk ka të bëjë aspak me performancën e Lleshajt si drejtues politik në Lezhë. Ai është ministër shumë i mirë, që ka shkëlqyer në krye të Ministrisë së Brendshme. Në Lezhë PS do të marrë në zgjedhjet e ardhshme 4 mandate”, tha Balla.