Pasi bëri ndryshimet në qeveri, Edi Rama ka kthyer sytë nga partia. Të shtunën e 21 marsit kryesocialisti ka njoftuar mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste duke kërkuar riorganizim edhe brenda partisë.

Ky do të jetë një vit zgjedhor për socialistët, të cilët do të riformatojnë strukturat e brendshme që nga baza, kryetarët e organizatave socialiste dhe zgjedhjen e forumeve të reja, proces zgjedhor që pritet të përfundojë më 12 qershor, në 35 vjetorin e krijimit të Partisë socialiste.

Asambleja do të nis punën të shtunën në orën 10:00 në një prej resorteve në bregdet.

Siç mëson Report Tv, fjala hapëse do të jetë ajo e Sekretarit të përgjithshëm të PS-së Blendi Klosi, për t'ia lënë fjalën më pas kryeministrit Edi Rama.

Axhenda parashikon një analizë për punën e Organizatave Socialiste në rang vendi, udhëzime për zgjedhjet e brendshme të partisë dhe po ashtu analizë të detajuar mbi performancën në zgjedhjet parlamentare në 2025-ën.

Socialistët duhet të përgatiten për zgjedhjet e ardhshme vendore, ato të 2027-ës, prandaj një pikë tjetër e diskutimeve në asamble do të jetë puna për zgjedhjet lokale.

Diaspora dhe përfshirja aktive e tyre është një nga pikat e tjera të diskutimit në asamblenë e socialistëve. PS vjen me një rekord pozitiv të përfshirjes së diasporës në zgjedhjet e 2025-ës dhe duke patur tashmë një strukturë të ngritur, punën për 2027-ën mund ta ketë edhe më të lehtë.