TIRANË- Erjon Veliaj, kryetari i zgjedhur i Tiranës ndodhet në paraburgim prej 18 muajsh, dhe detyrën mund ta ushtrojë vetëm në letra. Bashkia më e madhe në vend, sot nuk e ka një drejtues të deleguar që të qëndrojë në krye të punëve.

Nënkryetarja Anuela Ristani, që deri dje ushtronte kompetencat e kryetares, u shkarkua të premten nga Veliaj me një firmë nga ambientet e paraburgimit të Durrësit. Kryebashkiaku argumentoi se Ristani ka refuzuar të zbatojë urdhrat e tij, duke pamundësuar rrjedhimisht ushtrimin e detyrës së tij si i zgjedhur drejtpërdrejtë nga vullneti i popullit.

Një ditë nga ky urdhër i firmosur nga qelia, nuk ka ende sinjal, nëse Veliaj do t’ia delegojë kompetencat e tij ndonjërit prej 4 nënkryetarëve të tjerë.

Kjo nuk është hera e parë që Veliaj shkarkon Anuela Ristanin. Në mars të 2025, rreth 1 muaj pas arrestimit Veliaj komandoi nënkryetaren tjetër, asokohe Sara Goxhajn, por brenda ditë tërhoqi delegimin duke e rikthyer te Ristani.

Me bashkinë më të madhe pa kokë, kryeministri Edi Rama mblodhi drejtuesit politik të Tiranës së bashku me deputetët e zonës.

Takimi, i njoftuar të premten, në të njëjtën ditë që Veliaj i hoqi kompetencat Ristanit, u mbajt në një restorant në periferi të kryeqytetit, në Lundër.

Mbledhja e mbyllur për mediat, raportohet se nuk pati në qendër situatën me bashkinë e Tiranës, por u fokusua te dokumentet “Besa” dhe “Prania” Besnike, strategjia e re e socialistëve për të qëndruar afër qytetarëve.

Kryeministri u ka kërkuar të deleguarve politikë në qarqe të jenë në krye të këtij procesi dhe të dalin më shumë në zonat e tyre elektorale.

Drejtuesit politikë, së bashku me strukturat e PS-së në qarqe, deputetët dhe kryetarët e bashkive, do të hartojnë një axhendë  për takimet me qytetarët për të evidentuar problematikat apo shqetësimet e tyre, jo vetëm individuale, por edhe të karakterit komunitar: rrugë, mbetje apo investime.

Edhe pse në burg prej 10 shkurtit të 2025 Veliaj vijon të jetë kryetar ligjërisht i Bashkisë, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi nismën e Këshillit Bashkiak e më tej qeverisë për ta shkarkuar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:42
Rama publikon pamje nga takimi me deputetët dhe të deleguarit e Tiranës: Në fokus ‘Besa’, ‘Prania Besnike’ dhe ‘PasqyrAlbania’, hodhëm një hap të nevojshëm për sezonin e ri politik

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga mbledhja e zhvilluar sot me deputetët dhe të deleguarit e qarkut të Tiranës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka shkruar se në fokus të diskutimit ishte organizimi i ‘Pranisë Besnike’, metodologjia e ‘Besës’ dhe sistemi i ri ‘Pasqyr Albania’.

Sipas kryeministrit Rama, gjatë këtyre takimeve të zhvilluara ditët e fundit, është hedhur një hap të nevojshëm në përgatitjen e sezonit të ri politik të Partisë Socialiste.

Postimi i Ramës:

Me deputetët dhe drejtuesit e tjerë të njësive organizative të Partisë Socialiste të Qarkut Tiranë, patëm sot një diskutim të dobishëm për organizimin e Pranisë Besnike

metodologjinë e BESËS

dhe sistemin e ri të PasqyrAlbania

duke hedhur një hap të nevojshëm në përgatitjen e sezonit të ri politik të Partisë Socialiste

Ora 17:39
Takimi me deputetët dhe drejtuesit politikë në periferi të Tiranës, Rama pozon me stafin e restorantit: Me katnarët e mi n’dur t’sigurta!

Kryeministri Edi Rama mblodhi sot drejtuesit politikë e deputetët e Tiranës në një restorant në periferi të kryeqytetit, në Lundër.

Veç diskutimeve politike, kryeministri Rama ka gjetur edhe pak kohë për t’u përshëndetur me stafin e restorantit, për të shkëmbyer batuta me ta dhe për të shkrepur edhe fotografi.

“Me katnarët e mi ndur tsigurta”, ka shkruar Rama, krahas videos së publikuar në rrjetet sociale.