Rama: Vota e diasporës premtim i realizuar, shërbimet do i ofrojmë me Inteligjencë Artificiale! Marrëveshja me Greqinë për pensionet e vështirë

Gjatë një takimi me Këshillin e Diaposrës, kryeministri Rama tha se po negociohen edhe 8 marrëveshje të reja pensionesh, ndërsa rikujtoi se arritja e një marrëveshjeje me Italinë nuk ka qenë e lehtë, ndërsa me Greqinë është edhe më e vështirë.

Vota e diasporës, shërbimet konsullore, shkollat e gjuhës shqipe, vendosja e kontakteve, pajisja me pasaporta shqiptare e anëtarëve të Këshillit dhe shqiptarëve që nuk i kanë, marrëveshjet e kontributeve të pensioneve më shtetet e huaja, por edhe rimarrja e shtetësisë në vendet ku shqiptarët e kanë humbur, si Gjermania, ishin tematikat e diskutuara dhe të trajtuara në fjalën e kreut të qeverisë.

U kërkua vendosja e urave lidhëse më të afërta, teksa u vu theksi edhe tek ripozicionimi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria bëhet gati për pritjen e Samitit të NATO-s në vitin 2027, hodhi një hap tjetër drejt BE-së me Grupkapitullin 6 dhe dakordësinë dje në Samitin e Ballkanit Perëndimor me BE, për mbylljen e negociatave në vitin 2027 dhe më tej anëtarësimin e plotë deri më 2030. Rama premtoi kontakte më të afërta të shërbimeve konsullore, madje edhe implementimin e Inteligjencës Artificiale në shërbime për emigrantët jashtë vendit, për të zgjidhur problematikat, nëpërmjet komunikimeve me video-call me asistentët.

Ai tha se edhe marrëveshjet e vështira të kontributeve të pensioneve do të realizohen pas negociatave dhe me të gjitha vendet ku ka punëtorë shqiptarë, ndërsa pranoi se marrëveshja me Greqinë është simetrikisht më e vështirë se ajo me Italinë.

Këshilloi emigrantët në Gjermani  të rimarrin shtetësinë e humbur shqiptare më herët. 

Kreu i qeverisë bëri edhe batuta për godinën ku mbahej mbledhja, duke kujtuar se pavarësisht rikonstruksioneve dhe ndryshimeve herë pas here në ambiente, ende i dukej si një zyrë e vjetër e kohës ish-Sovjetike dhe nga çasti në çast sikur do shfaqej një punonjës i ish-Bashkimit Sovjetik për të shërbyer kafet.

Fjala e plotë e Edi Ramës:
“Ju falënderoj si këshill Kombëtar i Diasporës si mision vullnetar, mision i ri, por që ka dhënë rezultate domethënëse.

Jemi kthyer mbrëmë me ministrin shumë vonë nga Brukseli ku kemi marrë një ndjesi jashtëzakonisht pozitive, jo vetëm se ndaluam në një tjetër stacion për negociatat e BE duke hapur një grupkapitujsh tjetër, por mbi të gjitha se plani i përbashkët strategjik me KE për t’i përfunduar negociatat brenda vitit 2027 dhe për t’i hapur rrugë ratifikimit të Shqipërisë në parlamentet e vendeve anëtare, ka marrë mbështetje të plotë dhe pa asnjë ekuivok nga të gjitha vendet anëtare. Na bën të besojmë shumë fort se ambicia jonë për ta ngritur vendin në atë pikë të 2030 si një majë e të gjithë kombit tonë, e mbështetur jo vetëm në dëshirë të madhe por edhe në realitet objektiv në gjithë këtë marrëdhënie të re që kemi krijuar me Europën dhe transformimin që kemi bërë me Shqipërinë në pozicionimin ndërkombëtar.

Më vjen mirë që paralelisht kemi hapur edhe një kapitull të ri edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë si vend amë dhe Diasporës, diasporës së hershme dhe të re. Programi ynë qeverisës i këtij mandati që po shkon drejt përfundimit, ka një pjesë të veçantë që i kushtohet diasporës, dhe një kalim i shpejtë i asaj ç’ka është bërë në bazë të atij programi tregon se është hedhur një bazë, mbi të cilin natyrisht ka shumë akoma për të ndërtuar, por është e pashmangshme t’ju kujtoj të gjithë këtu se kur ne morën detyrën ishte shkretëtirë në marrëdhëniet mes shtetit dhe disaporës në aspektin funksional që mundësonte marrëdhënie të institucionalizuar mes funksioneve për shqiptarët jashtë atdheut, por edhe funksionit të shumë shërbimeve që ata kanë nevojë dhe të cilat shteti duhet t’u japë në cilësinë e nevojshme.

Dhe akoma më shumë se kaq, pikënisja nga ku e ndërmorëm këtë ishte dëshpëruese edhe për faktin e thjeshtë se distanca mes shtetit dhe shqiptarëve jashtë vendit, qoftë edhe për gjënë më të vogël, ishte shumë e madhe. Ne ndërtuam faktikisht një proces, dërguam një strategji, jemi sot në kushtet ku funksionojmë me një strategji kombëtare të diasporës, ku kemi kordinatorë shtetërorë për diasporën, që ndjekin sektorë dhe fusha të ndryshme. Ku kemi një organizim që merr pamjen e vetë më kuptimplotë në këtë tryezë, ku diaspora përfaqësohet nga një Këshill Kombëtar, ku siç tregon edhe përbërja e Këshillit, përbëhet nga një mozaik që tregon edhe pikëpamjen territoriale, për të pasur në këtë organ të lartë zërin e komuniteteve të ndryshme, sipas shpërndarjes gjeografike të diasporës.

Dua ta theksoj se Diaspora mbetet edhe një mbështetje e rëndësishme, edhe në aspektin e drejtpërdrejt financiar për vendin dhe jo vetëm kaq, por këtë vit Banka e Shqipërisë ka regjistruar një rritje të konsiderueshme të emigrantëve të dërgesave ku janë më tepër se 100 mln euro në krahasim me një vit më parë, kryesisht nga Italia, Greqia, Anglia dhe SHBA. Dhe kjo i afrohet përputhjes, të ardhurave të rritjes ekonomike, rezultat i një sërë reformash të rëndësishme, por mbi të gjithë rezultat i pozicionimit të ri të Shqipërisë.

Krenar që kemi arritur t’u mundësojmë të gjithë shqiptarëve, kryesisht atyre jashtë vendit, kryesisht atyre që e kishin të pamundur shqiptimin “shqiptar” apo “jam shqiptar” dhe kujdes se nga je. Shqiptarët e kanë pasur jo të lehtë ta artikulojnë, për shkak të vështirësive ndaj tyre, por edhe mungesës së një fondi nga vendi amë, që t’u jepte sigurinë dhe krenarinë e të thënit jam nga Shqipëria. Kjo sot është e tejkaluar si fazë dhe kjo është arsyeja e krenarisë që mund të ndjejmë dhe shprehim me plotë gojën, si rezultat i përpjekjeve që kemi bërë, për ta ripozicionuar Shqipërinë në marrëdhënie kombëtare dhe ndërkombëtare. Është dashur ca kohë dhe natyrisht është bërë përpjekje e jashtëzakonshme dhe ta përjetojmë në nivel të lartë të marrëdhënieve atë ndjesi të pakëndshme, që për shumë vite i ka kushtuar shqiptarëve vështrimi me një sy nënvlerësues kur ata janë shfaqur si shqiptarë.

Kjo na ka dhënë mundësinë të ngjitemi edhe në pozicione më të larta ku nuk ishim vite më parë, si të drejtojmë organizata dhe të marrim përsipër misione të nivelit të lartë ndërkombëtar si OSBE apo Këshilli i Sigurimit. Kjo na ka bërë që të jemi një vend që shihet me simpati kur vjen fjala të organizimit të eventeve ndërkombëtare apo brenda vendit. Jo vetëm pak më parë erdhi një mision i NATO-s për të dhënë një vlerësim se sa është e gatshme Shqipëria të presë samitin e NATOs- në vitin 2027 dhe përshtypjet e misionit të inspektimit ëhstë se do ishte e paimagjinueshme në krahasim me shumë vite më parë, ta mendoje se po flisje për Shqipërinë.

Jemi kokëlart para gjithë shqiptarëve jashtë atdheut edhe për një arsye se është mision i përmbyllur përsa na takon ne. Vota e diasporës, një mision jo i lehtë, i lidhur me një vullnet që shkon përtej ndasive partiake dhe që kërkon një votë më të madhe sesa ajo qeverisë, ndaj u vonua për një kohë të gjatë, por edhe si rezultat i punës së Këshillit të Diasporës dhe mobilizimit të zërave në Diasporë u realizua dhe sot jemi për herë të parë në republikën demokratike të Shqipërisë, ku shqiptarët të ushtrojnë të drejtën e votës, thjesht duke përdorur postën nga aty ku jetojnë. Është një sfidë më vete, nuk e shoh kryetarin e KQZ, por do jetë i pranishëm edhe më tutje për të dhënë përshtypjet për vështirësitë e procesit dhe nevojën e mobilizimit të të gjithëve, për ta ushtruar atë të drejtë që për herë të parë është kompleks për ta realizuar, por pastaj bëhet i thjeshtë kur personat janë të regjistruar.

Ruajtja e identitetit gjuhësor dhe kulturor është padiskutim pjesë e misionit tonë si komb, pjesë e misionit tonë si qytetarë të dobishëm dhe si sistem institucional. Me vjen mirë se edhe në këtë aspekt është bërë progres inkurajues, ka nevojë për më shumë, ashtu sikur me vjen mirë se kemi bërë hapa kuptimplotë edhe me qeverinë e Kosovës, duke filluar nga unifikimi i Abetares, tek tekstet shkollore të Diasporës, të unifikuar, duke punuar për dixhitalizimin dhe aksesin falas të fëmijëve dhe mësuesve në diasporë me programet dhe teknologji të avancuar, deri te shpërndarja e teksteve shkollore. 55 mijë tekste të shpërndara gjatë këtij viti janë një shifër domethënëse, por jo e jashtëzakonshme. Programi mësues për Shqipërinë është një kapitull i ri në qasjen për nevojën e mësuesve të komuniteteve shqiptare në Diasporë. Zyrtarisht kemi 20 mijë fëmijë që marrin mësim në kurse që ne ndjekim, por ka të tjerë që janë pa regjistruar dhe s’kemi marrë dijeni, por përfitoj nga rasti t’i bëjë me dije institucionet për ekzistencën e kursit përkatës. Kemi një regjistër që pasurohet hap pas hapi për diasporën dhe një databazë për studentët, që duhet përmirësuar më tej. Një tjetër komponent komuniteti arbëresh në Diasporën shqiptare. Një gurthemel për shqiptarinë. Edhe këtu është bërë punë domethënëse dhe dua të falënderoj kryetarin e Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, që është dhënë me përkushtim mbështetja për këtë përpjekjeje për të zgjuar ‘lumin e fjetur” të marrëdhënies historike me Arbëreshët. Ashtu sikur Akademia ka hapur derën për Diasporën, si shembull pozitiv, për thithjen e kontributeve të shkencëtarëve të Diasporës dhe ndërtuar sistem të ri të individëve të spikatur në vendet e zhvilluara, në forumet dhe strukturat e Akademisë së Shkencave.

Jeta e tyre në Diasporë është lehtësuar në aspektin e shërbimeve konsullore, për pajisjen me dokumente, certifikata, të gjitha ato që deri para ca vitesh, brenda dhe jashtë, e akoma më keq, teksa u duhej të mbanin radhë për të paguar faturat e energjisë brenda vendit, jashtë nuk kishin ku të shkonin e t’i paguanin. Vitin e ardhshëm do lancojmë edhe modelin e ri të Inteligjencës Artificiale në këtë Platformë dhe asistenti dixhital në platformë, që sot është me shkrim, të kthehet në asistent ë gjallë, do të jenë dy prej tyre, e do të kryejë të gjithë procesin e dhënies së shërbimit për Diasporën. Do jetë komunikim me video-call, ku në praninë tënde asistenti do ta bëjë për ty shërbimin. Ky do të jetë asistenti i parë i këtij niveli në Europë.

Dua të tërheq vëmendjen në këtë kontekst për ndryshimin e ndodhur në Gjermani, e cila ka hequr dorë për të pasur nënshtetësi unike dhe ka hapur rrugën për të pasur dy nënshtetësi. Deri dje ka detyruar shqiptarët për të hequr deri dje shtetësinë shqiptare dhe të marrin atë shqiptare. Ka shumë shqiptarë që dua ta marrin shtetësinë shqiptare dhe Ministria e Jashtme duhet të angazhohet për këtë. E vështirë ta bësh, e lehtë ta thuash. Ministria e Jashtme dhe e Brendshme janë në fund dhe jo në fillim të trenit dhe shërbimet jepen më mirë atje në territor, pasi është më lehtë me rikonstruksione si kjo këtu, ku sa herë vij këtu më duket sikur do më shfaqet përfaqësuesi i ambasadës sovjetike. Mbase duhet nxjerrë ndonjë sy jashtë nga kjo godinë që duhet të ketë mbetur si në ato kohë me letrat sekrete, sepse ndonjëherë është si kod sekret, flet dhe shkruan shqip por diçka të pengon.

Mbështetja që i kemi dhënë disporës për pensionet, njohjes së viteve të punës, për t’i marrë dhe njohur. Kur morëm pushtetin kishte marrëveshje vetëm me një vend, por sot kemi numër të madh marrëveshjesh dhe jemi duke negociuar 8 marrëveshje të tjera. Kemi mbyllur atë me Italinë, që ishte më e vështira për shkak të njerëzve që e kërkonin dhe barrës financiare që i shtohej shtetit italian. Ndërsa marrëveshja me Greqinë është më e vështirë se ajo me Italinë.Por edhe për shtetin shqiptar se ishin kontribute që ishin të gjitha në Itali. Kemi edhe të tjera më të vështira dhe po mbyllim dhe negociojmë marrëveshjet me vende ku ka punonjës shqiptarë. 

Për pasaportat e shqiptarëve do të thoja se Ministria e Jashtme do të lante shumë mëkate të asaj kohe që më përndjek e mua sa herë vij këtu. Nuk e di se sa e kanë pasaportën shqiptare nga anëtarët e Diasporës shqiptare. Por edhe nëse duke u dhënë nga një kafe në këtë ambient të kohës sovjetike, t’i kërkoni butësisht nëse kanë nevojë për pasaportën shqiptare, dhe pasi të pajisen të lënë edhe shenjat e gishtave, sepse pa lënë gjurmët e gishtave nuk e marrin dot pasaportën shqiptare (bën batutë me një prej të pranishmëve për pasaportën dhe gjuhën shqipe, nëse e kishte pasaportën shqiptare). Këshilli Kombëtar i Diasporës ka qenë rregullator i gjithë këtij ndryshimi të dukshëm".

A.Q/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Shehaj mban të bllokuar Foltoren, s'lë të Tabakun të flasë! Deputeti në Facebook: Unë të kam mbrojtur, duhet të ishe në krah me mua

Shehaj mban të bllokuar Foltoren, s'lë të Tabakun të flasë! Deputeti në Facebook: Unë të kam mbrojtur, duhet të ishe në krah me mua