Dy aleatët në qeverisje, Edi Rama dhe Ilir Meta kanë zhvilluar një takim në ambjentet e "Vilës 30" në kryeqytet. Në fokus të takimit të kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Kuvendit Ilir Meta, ka qenë pikërisht refoma në drejtësi dhe mënyra se si do të proçedohet me komisionin e posaçëm për këtë reformë mandati i së cilit u shty pak ditë më parë deri në mesin e vitit 2016.

Kryeministri Edi Rama pas takimit ka deklaruar se, objektiv kryesor i punës sonë është çuarja përpara e reformës në Drejtësi në vitin 2016. Sipas Ramës kësaj reforme i është bashkangjitur edhe Partia Demokratike, ndërkohë që ai ka shtuar se është kaluar kohë duke pritur që të ndalet treni dhe  tani hypëm në këtë tren dhe do ecim përpara.

Për Kryeministrin Rama hartimi i reformës dhe dhënja e vlerësimeve nga ana e Komisionit të Venecias  është një lajm shumë i mirë, pasi ky proçes bazohet në raportin e komisionit të venecias, duke shfrytëzuar bashkëpunimin gjithëpërfshirës prej një viti.

"Ne bëmë një takim për të diskutuar mbi një sërë çështjesh, natyrshëm sepse është mbyllja e një viti dhe fillon një vit ku kemi disa objektiva.Pa diskutim, një ndër objektivat kryesorë është çuarja përpara e reformës në drejtësi dhe ndamë me njëri-tjetrin kënaqësinë që trenit të reformës iu bashkua edhe Partia Demokratike. Madje, unë jam veçanërisht i kënaqur sepse kaluan shumë kohë duke pritur që të ndahej treni, tani hipën vet në tren dhe ky është një lajm shumë i mirë i fundvitit: ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se, "Raporti i Komisionit të Venecias na gjen të gjithëve të kënaqur dhe ky është një tjetër lajm shumë i mirë. Tani duhet ta finalizojmë këtë proces, mbi një bazë shumë solide që është raporti i Komisionit të Venecias, duke shfrytëzuar eksperiencën e shkëlqyer të një procesi jashtëzakonisht gjithpërfshirës, të thellë dhe cilësor që ka marrë rreth një vit, duke marrë të gjithë së bashku përgjegjësinë e madhe që t’i japim vendit, më në fund, reformën e shumë pritur dhe shumëdëshiruar prej kaq shumë vjetësh".



edi rama

Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka thënë se duhet të vlerësojmë punën e bërë deri tani ku ka patur proçes gjithpërfshirës të të gjitha forcave politike, përfshi dhe opozitën, duke kontribuuar me propozimet e saj.

"Unë besoj se në radhë të parë duhet të vlerësojmë punën e madhe që është bërë deri tani ku ka patur një proces gjithëpërfshirës të gjithë forcave politike, përfshirë edhe opozitën, e cila kontribuoi edhe me propozimet e saj, por në mënyrë të veçantë do të falënderoja edhe ekspertët vendas dhe ndërkombëtar për punën dhe për angazhimin e tyre”, -deklaroi Kryetari i Kuvendit, duke theksuar faktin se bashkëpunimi me Komisionin e Venecias ka qenë i hershëm, që nga koha e hartimit të Kushtetutës.

Që nga momenti që Shqipëria është bërë me Kushtetutë, ne kemi bashkëpunuar shumë ngushtë që me hartimin e kësaj Kushtetute me Komisionin e Venecias dhe në vijimësi për çdo çështje të rëndësishme Kushtetuese dhe dua të falënderoj edhe angazhimin e Komisionit të Venecias edhe një herë tjetër që në një kohë rekord iu përgjigj të gjitha pyetjeve duke sjellë vlerësimet paraprake të cilat janë një mbështetje shumë e rëndësishme për këtë reformë”, - shtoi Meta.

Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit vlerësoi se fakti që mazhoranca dhe opozita, janë të kënaqur me vlerësimet e Komisionit të Venecias, tregon se reforma në drejtësi mund të realizohet shumë shpejt, duke u dhënë kështu një përgjigje të rëndësishme qytetarëve.

Absolutisht, fakti që të gjithë aktorët politik, mazhoranca, opozita, janë të kënaqur me vlerësimit e këtij komisioni, tregon që e gjithë puna jonë për të ecur më shpejt, me qëllim kurorëzimin e kësaj reforme përsa i takon ndryshimeve kushtetuese në pranverë, është plotësisht e realizueshme. Natyrisht që në këtë mënyrë ne do të japim një përgjigje mjaft të rëndësishme dhe mjaft pozitive për gjithë qytetarët tanë, të cilët kërkojnë që vitin 2016 të jetojnë në një vend më të drejtë, më të sigurt dhe në një shtet sa më ligjor”, - deklaroi Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. 


ilir meta

Ky takim ka zgjatur për më shumë se dy orë dhe ai u realizua në një nga vilat qeveritare. 

Aty kanë qenë edhe dy krerët e grupeve parlamentare të PS dhe LSI, Petrit Vasili e Gramos Ruçi. Po ashtu i pranishëm në këtë takim është edhe ministri i Drejtësisë Ylli Manjani.

Ky është takimi i dytë i aleatëve në koalicionin qeverisës brenda kësaj jave, pas atij të së mërkurës në Kryesinë e Kuvendit. 

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)