Rama: Mos dëgjoni kukuvajka e 
papagajt, marrim timonin vetëm

Rama: Mos dëgjoni kukuvajka e <br />papagajt, marrim timonin vetëm
POGRADEC- Gjatë një takimi elektoral në Pogradec, kryeministri Edi Rama nuk ka kursyer thumbat në drejtim të partive të vogla dhe më konkretisht ndaj LSI-së.

Duke iu drejtuar votuesve socialistë, Rama kërkoi të refuzojnë thirrjet e atyre që ai i quajti kukuvajka dhe dallkaukë të cilët flasin për demokracinë, integrimin dhe stabilitetin e vendit, duke thumbur kështu jo pak ish-kryetarin e LSI-së, Ilir Meta.

"Mos i dëgjoni më kukuvajkat dhe papagajt që çdo natë ju rrokanisin kokën me shprehjet për dashurinë ndaj popullit, të interesit të stabilitetit, të konsensusit të integrimit dhe lloj-lloj përrallash për pluralizmin dhe demokracinë madje kur ju dalin përpara uljani zërin TV dhe shikojini në fytyrë, e do thoni këtë e kam parë, ky ishte ai që dikur bëri një vërë në ujë, ky ishte ai që atëher zhduku një thes, dhe do kuptoni që të gjithë ata që kërkojnë votën sot janë prej 20 vjetësh që vijnë vërdalle duke marrë vota dhe duke shqyer rroga, janë të provuar, stërprovuar, të djegur të përvëluar dhe s’kanë ca u ofrojnë më shumë popullit shqiptar”, tha kreu i qeverisë. 

"Lasgushi dhe Mitrushi do votonin nr.2, PS-në"
Rama u shpreh i bindur se qytetarët e Pogradecit do votojnë PS-në për të marrë timonin e vetme dhe për të çuar përpara reformat dhe integrimin e vendit. 

"Mendoni sikur të pyesnit Lasgushin dhe Mitrushin ç'a të bëj në 25, a e imagjinoni dot që këta dy burra t'iu çonin në rrugë tjetër përveçse te dyshi?

Të çlirojmë zyrat e shtetit nga lloj- lloj dallkaukësh që janë aty si pasojë e partive pengmarrëse. Kërkojnë mundësinë për të pasur një dorë në timon dhe për të shantazhuar PS për ta detyruar të vazhdojë historinë e pushtetit që ndahet si një tepsi në Tiranë ndaj është momenti historik për të na dhënë fuqinë që sikurse kemi nisur transformimin nga zëmrat e qytetave të vazhdojmë deri në fshatrat më të largët, duke çuar rrugët, gjelbërimin, ujin, dhe turizmin", tha Rama duke shtuar se PS nuk synon pushtet për vete.

"Në 25 qershor pushtetin do ta marrë populli përmes PS-së. Ne nuk kërkojmë më shumë pushtet për vete, nëse ambicia do të ishte më shumë pushtet për vete, sot që flasim këtu, Luli dhe PD do ishin në çadër, duke u lutur që të bjerë shi se do të përvëloheshin nga dielli i Bulevardit, duke u lutur që të vinte nata e të merrnin pak frymë, në atë Bulevard që për tre muaj e pushtuan me një çadër të frikës nga drejtësia.

Nëse do donim pushtet për vete sot do prisnim 18 qershorin për të marrë 100 deputetë. Por ne quhemi PS, dhe ndryshe nga partitë e tjera që në program kanë interesat e tyre ne jemi mishërim i interesave të Shqipërisë, të këtij vendi dhe të këtij populli. 

Bëmë marrëveshje me PD që të merrnin pjesë të gjithë shqiptarët në zgjedhjet e 25 qershorit. Por në këto zgjedhje nuk ka rëndësi nëse kemi bindje të majta apo të djathta, ka rëndësi të bëjmë zgjedhjen e duhur për të vazhduar punët që duhen për Shqipërinë dhe për kombin shqiptar. 

Në shumë vite partitë i kanë mësuar njerëzit të sillen si tifozë, i ndjekin ato verbërisht me zellin e skuadrave të futbollit". 


Rama foli edhe për bilancin e qeverisë në këto katër vite, duke u ndalur konkretisht te Reforma në Drejtësi. 

"Ne ndërmorëm reformën në drejtësi, reformë që asnjë parti nuk e mendonte e jo më ta çonte përpara. Sot gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar po dridhen nga frika. Nëse populli do të bashkohet në kutinë e votimit për të marrë një vendim atdhetar dhe jo të ndarë si në tribunën e votimit, atëherë ne me të njëjtën vendosmëi, siç luftuam dhe fituam për reformën në drejtësi do luftojmë për të rritur ekonominë si asnjëherë më parë në 4 vitet e ardhshme", tha Rama. 

Batuta e Ramës: Pogradeci në hall, ikën një Fahri, vjen një Balli
Kryeministri Edi Rama ka ironizuar listën e kandidatëve të Partisë Demokratike edhe në Qarkun e Korçës. 

Nga qyteti i Pogradecit, ku zhvilloi sot takimin elektoral, kryeministri Edi Rama u ndal dhe te kandidatura më e përfolur e Lulzim Bashës, djali i botuesit të “Gazeta 55”, Fahri Balliu. Klevis Balliu kandidon i katërti në listën e PD si përfaqësues i rrethit të Pogradecit.

Përpara votuesve socialistë, Rama tha me ironi se Pogradecin e ka zënë hali dhe kjo nuk mund të tolerohet në qytetin e Lasgushit.

“Halli i madh juaj është që Partia Demokratike e sheh Pogradecin si fronin mbretëror të Fahri Balliut. Ikën një Fahri vjen një Balli. Këto janë shaka që nuk tolerohen në qytetin e Lasgush Poradecit”, tha Rama.

Klevis Balliu u rendit i katërti në listën e kandidatëve të PD-së në Korçë, për zonën e Pogradecit. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Kakavijë, radhë kilometrike makinash për të hyrë në Shqipëri, pala greke punon me vetëm 1 sportel

Kakavijë, radhë kilometrike makinash për të hyrë në Shqipëri, pala greke punon me vetëm 1 sportel